Dhjetë motive, për të cilat ia vlen të jetosh

0
39

Mustafa Nano

E përditshmja italiane La Repubblica publikoi disa ditë më parë mendimet e Roberto Saviano-s të ngucura në një rubrikë me titull “10 motive, për të cilat ia vlen të jetosh”. M’u duk interesante. Më pëlqeu “loja”. Bëra një Nanonews me 10 motivet e Saviano-s. Dhe mendova se secili ka 10 motive të vetat, për të cilat ia vlen të jetojë. Pak më pas u ula dhe unë të shkruaja 10 motive të miat.

Ia vlen të jetosh:

1. Për të bërë për çdo vit nja dhjetë ditë pushime në gjirin e Gjipésë, afër fshatit Dhërmí; në shoqërinë e pak njerëzve.

2. Për të pirë një gotë verë pranë një oxhaku, me dikë që e ke shumë xhan, ndërsa jashtë bie një rrebesh, të cilin ta sjell brenda veç trokitja e pikave në xhamat e dritares.

3. Për t’u përpjekur për të arritur diçka, e në fund të ndjesh se është fati që të ka marrë me të mirë e të ka mbajtur me hatër.

4. Për të parë Al Pacino-n në një nga sallat e Broadway-it, ndërsa është duke luajtur rolin e tregëtarit të Venedikut në dramën homonime të Shakespeare-it.

5. [me që ra fjala për Venedikun] Për të bërë një xhiro me gondola në Canal Grande.

6. Për të parë prindërit e moshuar që i gëzohen çdo çasti të jetës.

7. Për të bërë fëmijë e për t’iu gëzuar faktit që, kurdo të ikësh nga kjo botë, edhe në mos paç bërë gjë tjetër, diçka autentike e jotja do të mbetet se s’bën.

8. Për të marrë vesh, se dikush në këtë botë, John Stuart Mill, ka shprehur një mendim, të cilin do donte ta kish shprehur, i pari, secili prej nesh: “Sikur gjithë njerëzimi të kish të njëjtin opinion mbi një çështje të caktuar, e sikur vetëm një person të kish opinion të kundërt, gjithë njerëzimi do kish të drejtë t’ia mbyllte gojën këtij njeriut të vetëm po aq sa ky i fundit do kish të drejtë (po të kish mundësi, kuptohet) t’ia mbyllte gojën gjithë njerëzimit”. Po jua sjell edhe në anglisht: If all mankind minus one were of one opinion, mankind would be no more justified in silencing that one person than he, if he had the power, would be justified in silencing mankind.

9. Për të parë nudo, fare-fare nudo, foto-modelen Gisele Bundchen.

10. Për të krijuar i përndjekur nga ideja se s’ke ç’të krijosh më.