Dhe tashti, nji republikë të re…

0
31

Nga Ardian Ndreca, 25 Qershor 2013

Ma në fund Edi Rama e çliroi të djathtën prej uzurpatorit plak që mbante peng tash dy dekada të kaluemen dhe të ardhmen e Shqipnisë, tue vendosë me nji fitore të thellë daljen përfundimisht prej skenës politike të Sali Berishës.

Atë që nuk mbërriti me e ba vetë e djathta shqiptare (nëse ka ende kuptim me folë kështu për nji thark ku shkrryhen Islami, Xhuveli e shumë si këta!) ia bani dhuratë asaj Edi Rama.

Berisha ishte përzgjatja e së keqes që pat zanë rranjë në vitin 1944, fryma e tij antidemokratike dhe etja tribale për pushtet na kanë kushtue dy dekada të historisë sonë.

Në fakt me datën 23 qershor e djathta nuk ka humbë, ajo ka fitue bindshëm pse sot ka mundësinë historike me u çlirue përgjithmonë prej Berishës, Bashës e sojit të tyne.

Fajtorë për humbjen e thellë nuk janë vetëm megallomanët dhe demagogët pa asnji lloj spesori intelektual, moral e politik që kanë tregue vokacionin e tyne prej shërbëtorësh tue iu përkulë Berishës në gjithë këto vite; ata si Bumçi, Topalli, Basha, Noka, Olldashi, Bregu etj., por e gjithë PD-ja.

Janë shkaktarë të kësaj humbjeje të gjithë ata, militanta të verbët, lolo, media në shërbim të rrenës, hyzmeqarë, prostituta debatesh shterpë, idiotë profesionista, brejtësa, hajna, dallkaukë, budallenj, oportunista… që kanë kontribu në dorzimin e shtetit në duert e nji njeriu të vetëm dhe e kanë fuqizue atë herë me mungesën e tyne të karakterit e herë me mendësinë totalitare të stampueme në negativin e ndërgjegjes qysh prej kohës së komunizmit.

Sot Edi Rama nuk asht për t’u pasë zili prej askujt, së pari pse ka në krah Ilir Metën, së dyti pse po bahet gati me marrë në dorë nji vend të gjunjëzuem prej borxheve, prej papunësisë, prej krimit të organizuem dhe prej monopoleve.

Berisha në tetë vjet ka mendue vetëm për pushtetin, dhe asnjiherë për shtetin shqiptar, prandaj sfida e madhe e Ramës, dhe nuk asht e thanun se do t’ia dalin medoemos, asht rimëkambja e shtetit shqiptar. Kjo rimëkambje kalon nepërmjet de-berishizimit të t’gjitha strukturave – tue mos i ba lëshime tundimit të fortë dhe të kuptueshëm të zëvendësimit të nji palë militantash me nji palë tjetër! Militantat e Ramës apo të kujtdo tjetër do të duhet të përfitojnë si gjithë shqiptarët tjerë prej ecjes para të vendit dhe jo prej privilegjeve të pameritueme; shteti ka nevojë për profesionista të ndershëm e të përkushtuem, jo për zelltarë mitingjesh.

Shqipnia duket se asht zgjue prej nji gjumi dy dekadash, jemi tue nisë prej vitit zero dhe kemi nevojë urgjente për nji republikë të re, të vërtetë e të drejtë. Ajo gropa e errët që ka hapë Berisha në hartën e Ballkanit perëndimor duhet të kthehet në nji shtet, prandaj nuk ka ma kuptim që në krye të nji republike të re të vijojë me qëndrue nji president që përfaqson vetëm nji regjim tarafesh e klanesh monstruoze.