Veton Surroi
Nt: BE, Kosova dhe Serbia: Tri personazhe në kërkim të rolit
1. Skena teatrale që përfundoi pastaj me aprovimin e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kosovën bëri një prerje të roleve në trekëndëshin BE-Serbi-Kosovë, prerje që mund të jetë simbolike për muajt e vitet që vijnë.
Personazhi i parë, Serbia, ishte sërish në qendër të vëmendjes, me kërkesë që nga salla të largohen përfaqësuesit e Kosovës. Personazhi i dytë, BE-ja, ishte e befasuar me iniciativën e radhës së Serbisë. Personazhi i tretë, Kosova, ishte duke vëzhguar tërë këtë ngjarje, nga vendet e rezervuara për vëzhgues.
Inskenimi teatral do të vazhdonte pas aprovimit të rezolutës, po ashtu. Një tekst rezolute që u shpjegon personave që nuk janë më të mitur se dialogu është një gjë e mirë, përnjëherë u shndërrua në fitore të madhe. Për Serbinë, për BE-në dhe për Kosovën.
Parë nga këndi deklarativ, të gjithë patën arsye të shpallin fitore. Serbia, ngaqë kishte arritur të ndërtonte së bashku me BE-në një tekst, të cilin mund ta interpretonte si vazhdim të negociatave për statusin e Kosovës. BE-ja, ngaqë e kishte detyruar Serbinë që të dakordojë me të tekstin e rezolutës, me ç’gjë çështja e Kosovës largohet nga OKB-ja dhe hyn në rrafshin politik europian. Kosova, ngase kishte dështuar përpjekja e Serbisë për të miratuar një rezolutë antikosovare.
2. Ky inskenim teatral, megjithatë, ka për personazhet ende tekst gëzimi e brenge. Nga aspekti taktik, Serbia arriti një fitore të pashpallur, duke e ndërruar diskursin pas mendimit të GJND-së. Anipse vetë e kishte kërkuar mendimin dhe ky ishte krejtësisht i qartë dhe në disfavor të Serbisë, Beogradi zyrtar përdori ofensivën me draft-rezolutën për të tërhequr vëmendjen nga përmbajtja e mendimit. Dhe këtë e bëri me sukses: ajo që do të duhej të ishte ofensivë diplomatike e Kosovës për të përdorur mendimin e GJND-së për njohje të pavarësisë së Kosovës nga vendet e Botës së Tretë u shndërrua në një ofensivë të përkrahësve perëndimorë të pavarësisë së Kosovës për të bllokuar iniciativën e re të Serbisë.
Nga aspekti strategjik, megjithatë, Beogradi ka arsye të brengoset. Me dramën rreth rezolutës, Serbia për herë të parë u tërhoq nga një politikë që do të mbështetej te Bota e Tretë, të painkuadruarit apo shtetet e fuqishme që janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe do ta shpinte çështjen e Kosovës me dorën e vet prej OKB-së në BE. Me këtë, raporti mes Kosovës dhe Serbisë do të kushtëzohet shumë më pak nga Rezoluta 1244 e shumë më tepër nga procesi i integrimit në BE. Në udhëkryqin Managua-Bruksel, Serbia është sot më afër përzgjedhjes së rrugëtimit drejt Brukselit, e kjo do të thotë edhe sjellje përkatëse.
BE-ja po ashtu shënoi një fitore të veten të pashpallur. Pas miratimit të Traktatit të Lisbonës, i cili i jep kompetenca shtesë Komisionit Europian në Çështje të Politikës së Jashtme, Baronesha Ashton arriti që të bashkojë mendimin e 27 vendeve anëtare kundër draft-rezolutës serbe. Por, edhe kjo fitore taktike ka kokëdhembjen e vet të madhe përpara. BE-ja, me tekstin që dakordoi me Serbinë, arriti tek emërtuesi më i ulët i përbashkët (dialogu është gjë e mirë) e një platformë e këtillë vështirë që mund të mbajë ujë për çfarëdo procesi serioz dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Për Kosovën nuk ka ndonjë relevancë fitorja taktike e Brukselit, por definimi i Kosovës si palë e barabartë në këtë dialog, e kjo nënkupton që Kosova duhet të njihet si palë kontraktuese në procesin integrues europian.
3. Kosova është në një situatë të veçantë, ku i gëzohet çdo gjëje. Duke qenë vëzhguese e ngjarjeve rreth vetes, fitore quhet çdo gjë, posaçërisht ngase vjen si fryt i mundit të huaj, apo pse mund të përdoren shumë mirë në tregun e brendshëm politik. E këtillë ishte edhe çështja e qëndrimit të krerëve shtetërorë në sallën e Asamblesë. Ajo mori dimensionin e një fitore morale të Kosovës, por në thelb as ishte fryt i punës së Kosovës e as kishte ndonjë peshë vendimi; rezoluta do të kalonte me apo praninë e tyre, as që do të pyeteshin për të.
Kjo gjendje megjithatë duhet ta brengosë Kosovën. Procesi i dialogut me Serbinë, me rolin lehtësues të BE-së, është një sfidë e gjatë me shumë të panjohura. Së pari, ngase Kosova nuk ka politikëbërje në këtë drejtim, e së dyti ngase roli lehtësues i BE-së nuk është i fiksuar. Ky rol, i cili fillon nga pika më e ulët e emërtuesit të përbashkët, do të ndërtohet për çdo ditë në balancën e shteteve të BE-së, gjegjësisht të balancës mes BE-së dhe Serbisë. Kosova e papërgatitur shumë shpejt mund të gjendet nën trysninë e një procesi negociator, ku interesi i fundit në tavolinë është ai i Kosovës.
4. Dy të panjohura do të trajtohen në javët në vijim. E para është korniza e dialogut: çka është ajo që duhet ta ulë Prishtinën e Beogradin në një tavolinë të siguruar nga Brukseli?
E dyta është korniza kohore: sa do të zgjasë ky proces, si do t’i definohet fundi, cili është matësi kohor i suksesit të tij?
Dhe kështu fillojnë negociatat.