Nga Halil Matoshi, 28 Mars 2013
Më 4 tetor 2011, në një shkrim me titull “Merkel ‘firmos’ integritetin e Kosovës”, pata vënë theksin tek qëndrimi i fortë parimor gjerman, në mbrojtje të Kosovës, përkatësisht integritetit të saj tokësor dhe pakthyeshmërisë së pavarësisë.
Ndonëse Qeveria e Kosovës për hesape të një lojtari të tretë dhe nga papërvoja e injoranca ekspozonte para kamerave televizive pjesëtarët e shërbimit inteligjent gjerman, BND, kjo natyrisht se do t’i kushtojë shumë kryeministrit Thaçi, mirëpo Gjermania asnjëherë nuk e përdori këtë skandal për t’iu hakmarrë Kosovës dhe popullit të saj.
Në këtë vazhdë më e zëshmja kundër secilës ide të rikthimit të Ballkanit “në vijat e zjarrit” si në vitet ’90 edhe para dy vjetësh ishte kancelaria gjermane Angela Merkel, e cila me drejtpërdrejtshmërinë e saj i dha mesazhin presidentit serb, Boris Tadiq, se nuk ka ndarje të Kosovës dhe askujt s’do t’i shkojë ndërmend ta përligjë “revolucionin e barrikadave” dhe se çfarëdo destabilizimi i Kosovës do të jetë fatal për perspektivën e Serbisë në BE, pra në këto kondita Beogradi nuk do ta marrë dritën e gjelbër për statusin e vendit kandidat në bllok.
Epoka në të cilën gjendemi nuk është epokë e ndarjeve etnike, por e integrimeve, dhe secila tendencë ndarjeje në Ballkan provokon zinxhirin e reaksioneve, sepse asnjëra nga shtetet e rajonit nuk ka një strukturë të qëndrueshme monoetnike, pos Shqipërisë. Së këndejmi është fat për Kosovën që Angela Merkel është një grua konsistente dhe po ashtu kurora e fatit qëndron në faktin se Gjermania e patronditur nga kriza globale po rikthehet fuqishëm në lidershipin e BE-së, me shtete anëtare buzë falimentimit dhe me “euro të rrëshqitshme”.
Gjermania po do që Kosovës së pavarur t’i vihet pikë, për t’iu rikthyer fuqishëm shpëtimit të vetë bllokut. Në këtë kontekst, fat i mirë për Kosovën ishte edhe fakti se një gjeneral gjerman (Buhler) me sens të hollë diplomatik dhe shkathtësi negociuese u gjet në ballë të KFOR-it asokohe dhe i cili “e shpëtoi” Serbinë dhe serbët kosovarë nga përfshirja masive në konflikt, në një konflikt padyshim fatal për prosperitetin e Serbisë dhe të ardhmen e vetë serbëve kosovarë në shtetin e ri, ndërsa Kosovën e nxori nga unilateraliteti, që iu përshkrua, fillimisht edhe nga SHBA-ja dhe BE-ja pas ndërhyrjes së Prishtinës me polici në veri të vendit më 26 korrik 2012.
Ndoshta fundi i tregimit kosovar ka hyrë tashmë në rrugën e Happy Endit, ngase duket të kenë pushuar fërkimet mes partnerëve evropianë dhe amerikanë për “autorësinë” mbi zgjidhjen paqësore të “çështjes së veriut”, por duket se edhe Moska ka marrë një kurs më shtendosës karshi Perëndimit.
Relevante për Prishtinën është që ta përmbyllë çështjen e integritetit tokësor dhe të shpërthejë drejt afirmimit të saj ndërkombëtar, duke marrë njohje nga pesëshja e BE-së dhe për t’iu afruar anëtarësimit në OKB, që është jetike.
Merkel megjithatë që më 2011 e hapi udhën për zgjidhje, dhe i trimëroi edhe amerikanët që ta pasojnë me një fjali. S’ka ndarje!
Kosova fundja është një çështje evropiane!
Qeveria e Kosovës duke qenë konsistente që të mos hapet Pakoja Ahtisaari por të kërkohen brenda saj zgjidhje kreative dëshmoi lidership për sa u përket politikave të jashtme, mirëpo nuk duhet harruar se në krah të saj vazhdon të jetë ShBA-ja dhe posaçërisht Gjermania.
Prishtina duke shpallur amnesti të përgjithshme garantoi serbët atje se nuk do të ketë kurrfarë ndërmarrjesh ndëshkuese ndaj asnjë qytetari, madje nuk do të ketë ndjekje për qytetarët që “mbahen me zor” në barrikada dhe as për ata serbë që naivisht janë anëtarësuar në “strukturat paralele.”
Këto ditë këshilltari i politik i Grupit Parlamentar në pushtet në Bundestagun Gjerman (CDU-CSU), Hans Falenski, dëshmoi se Gjermania vazhdon të jetë në kursin e Merkelit të shpallur më 2011, ka thënë se më e rëndësishmja është që të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që do të nënkuptonte sigurimin e ulëses për Kosovën në OKB, në këtë rast Bundestagu do të hiqte dorë nga disa kushte që ia ka parashtruar Serbisë për dhënien e datës për fillimin e negociatave me BE-në.
”… e kjo më vonë do të përfshinte edhe presionin mbi Serbinë për pranimin e ulëses për Kosovën në OKB. Në qoftë se do të vinte deri te një zhvillim i këtillë, Bundestagu do të ishte i gatshëm të toleronte mospërmbushjen e disa kushteve shtesë të parashtruara për Serbinë”, ka thënë Falenski, për gazetën “Politika”.
Falenski ka thënë se vendimtare është fjala e deputetëve.
“Fjalën e fundit lidhur me pajtimin ose refuzimin për dhënien e datës për Serbinë nuk do ta japë kabineti qeveritar, as Ministria e Jashtme, por ne, deputetët.”
Në bisedimet me Prishtinën, sipas shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, Beogradi nuk mund të pranojë asgjë më pak se kontrollin e policisë, të drejtësisë dhe planifikimit hapësinor nga bashkësia e komunave serbe në Kosovë”, mirëpo ai paguhet për deklarata të forta për t’i joshur serbët kosovarë, që të mos bëjnë probleme të cilat do t’ia humbnin shansin Serbisë për të marrë datën e negociatave për aderim në bllok. Tashti serbët pos policisë dhe drejtësisë janë kujtuar edhe për planifikimin hapësinor sepse, sipas Vulinit, kjo është e vetmja mënyrë që të pengohet ndryshimi i strukturës etnike në veri. Por sipas një politikani të serbëve lokal, Petar Jakshiq, kjo është e rëndësishme sepse Prishtina dëshiron që të sjellë në veri “drenicakë me përvojë lufte.”
Në anën tjetër oferta e fundit e baroneshës Ashton për Serbinë, sipas gazetës “Blic” të Beogradit është ultimative: merre ose lëre!
Oferta (së paku siç është publikuar në mediat serbe) nuk e cenon në asnjë pikë Pakon Ahtisaari dhe pos saj është e bazuar edhe në Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe me ligjet e Kosovës. Kështu që Asociacioni i komunave nuk do të ketë kompetenca të aprovojë ligje, por do ta ketë statutin e vet dhe do ta përfaqësojë bashkësinë serbe para autoriteteve qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë karrige në Këshillin konsultativ të bashkësive.
Më e rëndësishmja e kësaj oferte është fakti se ky plan parashikon që sivjet të mbahen zgjedhjet komunale në komunat veriore, me ndihmën e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në harmoni me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare. Sipas “Blicit”, kjo ofertë është përshkrim i Planit të Ahtisaarit që është inkorporuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Në anën tjetër, sipas Vulinit, serbët insistojnë që Asociacioni të ketë kompetenca në kontrollin policor, në drejtësi duke kërkuar Gjykatë të Apelit dhe së fundi edhe në planifikim hapësinor, që janë kompetenca klasike shtetërore.
Mirëpo presidenti serb, Tomislav Nikoliq, para bisedimeve të 2 prillit sërish i është rikthyer tezës së vjetër serbe: Edhe BE-në, edhe Kosovën!
“Duhet të synojmë të arrijmë të dy qëllimet, kurse janë shumë të lidhura të dyja çështjet. Zgjidhjet që kanë të bëjnë me Kosovën do të mund të rrezikonin rrugën tonë drejt BE-së. Shqiptarët po i parashtrojnë kërkesat e tyre kurse ne duhet të përshtatemi. Në qoftë se për këtë e kanë përkrahjen e BE-së, atëherë neve atje as nuk na presin”, ka thënë ai për televizionin serb B92. Sipas tij, vija e kuqe serbe është të mos pranohet kurrë pavarësia e Kosovës, që në Kosovë të mos ketë forca të armatosura dhe që serbët atje ku jetojnë vetë të vendosin për problemet e tyre.
Tashti Beogradit i është zënë bishti me derë nga BE-ja dhe nuk janë duke u mërzitur gjithaq për të drejtat e serbëve kosovarë dhe mirëqenien e tyre, porse u plas t’i shmangen njohjes së pavarësisë dhe pranimit se Kosova nesër do t’i ketë forcat e veta të armatosura. Kur jemi sidomos tek refuzimi serb që Kosova të ketë ushtri dhe në kontekstin që ata kërkojnë kontroll mbi policinë. Beogradi duket se me politika afatgjata mësyn kryengritje në veri dhe shkëputje. Prandaj përpiqet të arrijë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë prerogativa shtetërore, gjë që do të ishte vërtet fillimi i ndarjes faktike nga Kosova.
Mirëpo as në SHBA dhe as brenda BE-së nuk kanë disponim për ta hapur Kutinë e Pandorës në Ballkan, e duke pasur parasysh qëndrimin e fortë gjerman, Serbia nuk do t’ia dalë të arrijë synimet e veta, por do të përshtatet, siç tha edhe vetë, presidenti serb.
Duke pasur parasysh kushtet për anëtarësim në BE, Brukseli nuk do ta pranojë në bllok një anëtar që ka pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër dhe që ushqen armiqësi ndaj tij duke e penguar në secilin hap.
Nëse nuk do të ketë marrëveshje me kushtet e modifikuara të Prishtinës, më 2 prill, atëherë do të ketë më 3 apo 30 prill, përndryshe Serbia e humb definitivisht marrjen e datës për negociata për anëtarësim në BE, kurse Kosova do të vazhdojë të jetë peng i një konflikti të ngrirë…
Bastet shkojnë në favor të marrëveshjes, ngase Serbia po çmendet përditë duke qenë peng e nacionalizmit ekspansionist.
Ajo s’ka më kohë.
Kosova ka dy përparësi në këtë proces: E para, natyrisht është mbështetja e Perëndimit dhe, e dyta, mospasja sens për kohën!