nga Prof. Myslim Pashaj, 20 Prill 2010
“…Ndodhesha përmidis imazhit satelitor të arkipelagut të ujdhesave Joniane dhe Korfuzit. Pas zhurmës së befasishme që u bë në disa mediume shqiptare, u gjeta në një pozicion sureal, që s’e kisha menduar të kësillojshëm. Në shtëpi, kish ikur qyshkur qetësia, nëpër alarmin e ditëve, kur isha gjendur, kundruall shtetit.
E papritur kish qënë, për qeverinë dhe firmën e saj, për negociatorët, opinionin shqiptar, dhe për palën greke, gjithashtu. Kësisoj, ishim pesë. Po ama, në këtë bashkësi, si fillim isha në vetminë dhe përhumbjen time prej “kamikazi”. Raportin e parë të forcave e mendoja si një ushtarak, 4:1. Këtu fusja edhe opinionin shqiptar i cili pësoi një lloj turbullimi për ta marrë veten, pak më vonë, përmes një gumzhime që filloi të rritej e të rritej.
Ky ish, atdhetarizmi, të cilit nuk i vije dot fre, teksa bashkohej, në anën time. Netët pagjumë, njëfarësoj, riplotësoheshin vetëm në këtë imazh që vinte nga larg, shumë larg Dheut dhe Detit, që mbase për fajin tim, ndjehesha i huaj.
Në pamundësi se ku të gjeja ndonjë mbështetje miratuese, rrija mbi një imazh, të cilin e kisha shfrytëzuar aq shumë, gjatë atyre muajëve. Ishte pamja satelitore e marrë nga Land Sat, prej më shumë se 1000 km largësi, e në sajë të saktësisë së lartë të sensorëve, mund të shikoje objekte, për të cilat hulumtoje, sikur të ishin shumë pranë teje.
Lëvizjet, ngjyrimet, format e llojllojshme, të fusnin me të vërtetë, në një botë sureale mbi të cilën mund të abstragoje edhe gjendjen tënde shpirtrore. Aty gjeja një lloj prehjeje, teksa sillja e përsillja pranë, Otranton, Karaburunin, ujdhesat rrotull Korfuzit, Sarandën të cilat ishin përzjerë brenda meje.
Qysh në fillesë të erës moderne është bërë zakon të njohësh në natyrë shënjat e krijuesit hyjnor, i cili shpesh, është i përqasur me një ndërtues, arkitekt dhe piktor të jashtëzakonshëm. Vështrimi dhe arti i tij mbështjell dhe gatuan tërë botën e dukshme prandaj, nuk ke pse habitesh edhe me këtë detin Jon, që më dukej se e kisha, në sy dhe në duar.
Hodha vështrim te një interpretim të cilin e kisha bërë para nja dy ditësh. Aty kisha shënuar:
‘”Poshtë Gjuhëzës dhe atij Sazanit rri varur Barka e Noahut e cila kërkon që të ikë vjedhurazi, siç e thamë atypari, në drejtim të Itakës.”
Korfuzi i ngjan asaj Barke biblike. Bashi i saj, është, po ajo shkëputje e dalë nga gjiri i Sarandës, ndërsa kepi i mbetur këtej, nga Dheu, që tani e ka emërin Stillo, është fundbarka, që ka mall për Kërkyrën. Ato kanë qënë pjesë të njëratjetrës, dhe kur, në Përmbytjen e Madhe, atëherë kur u hapën portat e qiellit, e kur ujrat përfshinë gjithë Dheun, nuk mbeti asnjë pjesë e thatë, po u bë ujanë e gjallesat u zhdukën. Të shpëtuarit ngelën tek kjo Barkë dhe drejtimi i shpëtimit sërish, mbeti në kahje të Itakës, ose afërsisht, tek ajo vijë e vonët, në të cilën u nis Eskili për në Siqeli.
2.
Në lexim e sipër të imazhit, bie zilja e celularit. Më kërkonte një gazetare e KLAN-it, ndihmëtare e Blendi Fevziut. Kisha ikur prej pamjes satelitore dhe isha kthyer aty ku nuk doja që të qëndroja. Përsëri më kërkonin, për shpjegime. Sa më shumë që ngulmonin, aq më shumë ndjehesha i lidhur, prej një lloj memecllëku, ndryshe nga dita e parë, kur isha shumë real e i drejtpërdrejt. Ndërkaq, tani më duhej që t’i matja mirë fjalët, mbasi përballë dallohej rreziku, të cilin e kisha kërkuar vet, ose më saktë, ai, befas m’u shfaq, sapo preka një vijë ndarëse kufitare detare, të harruar qyshkur, e cila po ta krahasoja me klonet me rrymë elektrike e kufirit tokësor, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, më kish futur në rrymë, pikërisht, në atë mesdeti që siç pretendohej se e kishin ndarë, në mënyrë të barabartë.
Gazetarja, ngulmoi nja dy herë, që të më mbushte mendjen, se bëhej fjalë për një regjistrim, ashtu siç do të regjistronin edhe përfaqësuesin e shtetit. Mirpo, thoja me vete, pastaj do ta gatuajnë, siç do të dëshironin ata, për të nxjerrë edhe përfundimet.
Kisha bërë disa emisione të tjerë, në Top-Show dhe Zonë e Ndaluar, pas News 24, po kjo nuk kish qënë e mjaftë, për shqyrtimin krahasimor të njoftimeve tejet të ndryshme. Atypëraty, ma dha mendja që t’i ktheja përgjigje, se nuk do të ishte e mirë që të kryhej më parë regjistrimi në studio dhe pastaj transmetimi; mbasi nuk mund të kisha besim, se si do të qepej dhe gatuhej materiali, në formën reale dhe të duhur, çka mund të më nxirte zhveshur, mbi atë Det aq shumë të përfolur, të cilin në atë moment, po e kundroja nga një pamje satelitore.
Mirë, tha gazetarja në skajin tjetër, duke më lënë të kuptoj se do të bisedonte me drejtuesin e emisionit. A duhej shkuar apo jo? Dikush më pati këshilluar që të mos bëja asnjë çap më tej, drejt KLAN-it, sepse dihej, që në krye të gardhit, se ai e kish të shkruar në ballë, që i shërbente Qeverisë. Prapë ndarje. Kjo s’kish kuptim. Të dukej si një lojë. Ish fjala për një projekt të përfunduar midis të dy shteteve, të firmosur me një gatim buzëqeshjesh, që s’ishin parë kurrë, në të shkuarën. Kështu që, diskutimi i ngritur, në një tymnajë mediumesh, kishte hapur ca pozicione të paparashkuara, që siç u kuptua, s’ish gjë tjetër veçse një lloj ndeshjeje…se ai (mbasi, asnjëherë nuk u përmend emëri i shqiptarit që kish dhënë kumtin e kushtrimit) pra se ky njeriu, që e kish përzjerë këtë prush, duhet të ish i lajthitur, ose më keq se kaq, i mësyrë dhe futur, në këtë mes, prej qarqesh përsëri të fshehta, të huaja ose dhe nga brenda, me qëllim të caktuar, për t’i krijuar telashe Qeverisë, drejtpërdrejt pas zgjedhjeve.
Pra, një njeri folklorik (bile një gazetë kish botuar asaj dite një fotografi veshur me kostum jugor të labërisë dhe ku shënonte se ja , kush merret me Detin, një folklorist…etj…) Ndërkaq hamendje të tjera, arrinin deri atje, sa nëpër blogje thoshin, se ky njeriu që më vonë thirrej Kolonel, duhet të ketë marrë pare të madhe, nga Edi Rama, duke u bërë tellall i tij… etj. Kësilloj Qeveria u vu në siklet dhe në mënyrë qesharake, po kapej prej këtij folklorizmi. Ndërkohë, ajo e kish zgjedhur hullinë e pastër, se ku duhej të ecte, e matur, me një besim shumë të madh, tek drejtësia dhe paanësia, me të cilën ishte ndërtuar marrëveshja, ku Shqipëria nuk kish humbur, asnjë milimetër.
Në këtë vijë, me kursim të madh, jepeshin shpjegime. Në mënyrë gjysëmzyrtare, u thirr, një përzjerje e Konferencës për Shtyp, apo lektoriumit, që më vonë do të përsëritej si një auditorium në Evropianin e Tiranës, ku vet Ministri i Mbrojtjes, Imami, me një shpurë të zgjedhur, do të bënte një prezantim të shkoqur, e shumë të afërt, për disa mediume, veçse pa kamera, vetëm kamera, jo! Siç u përfytyrua, pak më vonë, ishte e domosdoshme që njëherë e mirë, të merrej vesh, se këtu nuk bëhej fjalë, tamam për një ballafaqim serioz. Si mund ta kuptoje? Ja, pra, ” një Don Kishot që luftonte me mullinjtë e Erës.”
Atypëraty, sa ish dëgjuar kjo shprehje, nja dy gazetarë shpotitës, kishin qeshur me njëritjetrin duke pyetur: more po kush është, ky Don Kishoti? Qeveria apo ai tjetri, paemër? Po Mullinjtë e erës kush janë? Në të dy anët, po të bëhej krahasimi, nuk i dilte mirë Qeverisë edhe sikur ajo të ishte Don Kishot dhe mulliri me erë, të ish ai tjetri, apo dhe e kundërta, sikur mulli me erë, të ish Qeveria. Kish plasur e qeshura, teksa Kundëradmirali, në një mjedis komod shpjegonte se si ishte ndërtuar marrëveshja. Ai kish qënë shumë i qartë, i besueshëm e askërkund nuk kish përmendur emërin e atij tjetrit.
Rrotull një skice, që ishte botuar tek Shqiptarja, ku një lapsus grafik, si për fat të mirë të palës tjetër, i kish rënë në dorë ekipit, i cili gjatë gjithë shpjegimit, rrihte të jepte njoftim, se nuk ia vlente të merrej, me një njeri që kish bërë një gabim të atillë matjeje… dhe ku pa… në mesin e Ngushtesës së Otrantos. Rreth këtij vizatimi, që kish një shifër të gabuar, të zhvendosur, për një kohë të gjatë, ishte gjetur si një degë e vogël, e mbetur mbi det dhe ku, këta të marrëveshjes, mundoheshin të mbaheshin në të. Kështu që, pas kësaj Konference për Shtyp, u muar njëfarësoj frymë lirshëm, sepse më në fund, denjësisht Qeveria shpjegoi dhe me shumë kujdes, duke qënë e kursyer, për të përmendur ndonjë emër, por vetëm ” pretendime të shfaqura në media”.
Një stepje erdhi, po asaj dite edhe tek vrapuesit e parë, që qenë përballur, me të dhëna të tjera. Në lëkundje e sipër, erdhën tek Kullat Binjake, Mentor Nazarko e Andi Bushati, duke shfaqur edhe ata, qasje të tjera. Teksa në Lap Top, uleshin e ngjiteshin pamje të hartave, skicave, ligjeve detare të cituara, ia mbrrini një analist tjetër me peshë, Artan Hoxha për të cilin thuhej se drejtonte një Institut Studimesh. Nga të gjithë ata që kanë qënë në Konferencë Shtypi, Artani duhej të ish i vetmi, që kish rrokur, që në krye të herës, se në ato vizatime dhe pamje që ishin trajtuar, kish diçka që nuk shkonte. Ai menjëherë vuri gishtin, në njërin prej ujdhesave: Othonoin, pastaj e uli drejt Erikuzës, përqasi dy standarte të Detit Territorial dhe Hapësirës së Afërt, dhe ashtu si padashje tha ” nuk e besoj se kanë përfituar, shumë…”
” Megjithatë po të krahasohet me shpjegimet që ke dhënë ti, ky i Qeverisë ishte shumë më komod ” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se në të vërtetë, gishtat e tij, mbi imazhin satelitor, teksa kalonin përmes ujdhesave të Arkipelgut, gati sa po i përthitheshin. Në atë çast të zhgënjyer dhe plot alarm telefonuan edhe Tedi Blushi dhe një Artan Hoxha tjetër i emisionit “Jungle”. Ishte trazuar skena, si kallame gushti, siç thuhej ne Kremenar, fshatin tim të lindjes.
3.
Makina ndaloi në hyrjen e ishKionstudios Shqipëria e Re. Ishte natë dhe frynte një thëllim i pazakontë vjeshte. Sa u futa ndënë hark, përsipër kisha ca simbole të thyer, dhe një shqiponjë të mugullt, të copëtuar. Kisha ngritur sytë lart, padashje, me vetminë ardhëse, ndënë një shpend të gjysmuar, e një harku të plasaritur. Kot e thashë, që isha vetëm.
Nga pas më ndiqte, dikush që s’më ndahej, prej nja dy ditësh. Kërcënimi i ardhur në facebook, ishte shndrruar befas në një person të dytë që nuk më kanoste, por përkundër më mbronte. Kështu dukej.
Kisha qëndruar poshtë atij harku që s’ish hark, dhe në hutim e sipër, nuk po e pikasja atë tjetrin, që t’i thoshja, të avitej, për të thurur një copë çorapeje më llafe, aty rrotull meje, ku ca fjalë, tani kishin marrë Detin e Dheun.
Isha futur në mes, të ndoca gardheve të Ish-Kinostudios, dhe ku s’kish më dritë, si në anë të rrugës kryesore që të çonte në drejtim të Dajtit.Thurinat ishin gati rrethanore; ca ara kulturore të fundme, me emëra krejtësisht të huaj, që kishin lidhje me studiot e sotme pamore të televizioneve që pas një kohe të gjatë kishin gjetur mundësinë, për ta pushtuar, të vetmin mjedis dritësor të atij sistemit që shkoi, siç ish Kinostudjoja.
Këto gardhe dhe rrugina të pashtruara, pothujse kredheshin në natë dhe nuk isha në gjendje që të shquaja, se për ku, do të shkoja.
Vinin ca drita depërtuese, nëpër boshllëqe të gardheve, sikur të ishin njoftime e pazare që ende bëheshin, se kush do të zotëronte atë pjese toke, e kush atë më tej. Kështuqë, të aviteshin në mendje pamje, kur muaj, më parë, kish ndodhur një kërcënim, dikund, midis ullinjëve të dikurshëm, ku bëheshin gërmime dhe një pronar mediumi e kanoste një tjetër, afër eskavatorëve që vijonin të thellonin hapjen e dheut. Ndalova që të orientohesha për të gjetur, se ku mund të ishte, ateljejea e Akademisë “Marubi” ku qenë ngujuar në roja, si në një llogore, studentë dhe pedagogë të ateve pamore, po nuk po i shquaja dot. Më pas, dolën njëri pastjetrit, përsëri, nëpër thurinën rrethanore emra: Ora-News, Scan, NTV, A1, dhe pak më tej KLAN. Të gjitha si të fshehura dhe që në brendësi buronin dritë, ashtu siç pretendonin. Shkoja më tej dhe prapë, si në ndonjë përrallë, sikur avitesha drejt ndonjë shpelle, ose diçka e përafërt, me të.
Isha drejtuar për tek KLAN-i, pasi kisha pyetur nja dy policë. Në rruginë, s’pipëtinte gjësend. Xhan…Xhin.
Si do ta përballoja takimin e parë me Kundëradmiralin?
Për mua, kjo, kish më shumë rëndësi, se sa debati kundruall njëritjetrit. Sidoqoftë mendoja, se mund të takoheshim, lirshëm, sikur të mos kish ndodhur asgjë; bile mund të uleshim, afër njëritjetrit, në ndënjëse dhe të shkëmbenim fjalë…” more po si ndodhi kështu? Si u plekse në këtë mesele? ” do t’i thosha unë. Kurse ai:” Këtë pyetje do ta bëja unë. Je, jashtë çdo kariere tjetër, e në vend të rrish rehat, duke numëruar ditët, vjen e kokolepsesh me Marrëveshjen. E kupton, i je futur detit më këmbë…kujdes se do të mbytesh…”
E përfytyroja se që në ditën e parë që është shfaqur në mediumet shqiptare dyshimi për marrëveshjen, ai duhet të ketë pësuar një nga goditjet më të rënda të jetës së tij, e ndërkaq, befas ishte bërë një personazh në gjithë mjedisin shqiptar, ku në të shumtën e herës, i lëshoheshin fjalë dhe akuza për „shitje” etj…etj; të cilat nuk ishin të vërteta.
Në gjithë këtë ndeshje, kish një forcë tërheqëse, që më bënte herë herë të dobët, pa energjinë e duhur, me një lloj pengimi, që nuk e kishin burimin tek argumetet, se sa tek trazimi që i kisha shkaktuar Kundëradmiralit, të cilin e njihja, kisha shkëmbyer respekt të ndërsjellët, dhe askund s’nxora prej gojës sime, ndonjë fjalë veçse „ atë e kam mik…po s’mund të hesht…”
Gjatë gjithë kësaj kohe, këtë e konsideroja një lloj mëkati, që kisha bërë, po në të vërtetë, nuk ishte mëkat, sepse në të, nuk fshihej asnjë lloj vepre e ligë, dashakeqe. Mirpo përkthimi, në krahun tjetër, mund të ketë qënë i ndryshëm, se unë duhet të isha, në fund të fundit, krijuesi i një drame, që s’mund të falej. Sëpari nga Qeveria, sepse asaj i përfolej vepra e një marrëveshjeje detare të paqme, dhe së dyti, me palën diplomatike shqiptare, pjesëtarë të një beteje, e kur për ta thuhej, se ishin kthyer fitimtarë, kurse ja se, na doli. Kështu që, duhej të isha unë ai humbësi i sigurtë, sepse qysh në fillim, vetëm prej raportit të forcave, do të mjaftonte të merrej një përgjigje fshikulluese. Si mund të harrohej vallë, lobi Grek që kish pësuar fyerjen më të madhe të mundur, në këtë gjysëmshekulli? Po, prej nga vallë?…nga figurantë të panjohur e të paemër. Kuptohej se beteja do të fitohej, kish nënkuptuar, Qeveria, veçse duhet pasur kujdes, dhe durim.
Në këtë mes, Kundëradmirali, u gjend në transhenë e parë, dhe vetëm për shkakun tim, ai ishte përfshirë në një fushatë ku dalldia atdhetare e zgjuar, mund të të bënte fli këdo, që t’i dilte para, edhe kur mund të ishe, fare i pafajshëm. Prandaj, sa herë më duhej që të hapja gojë, e të thosha një fjalë, gjunjët me priteshin dhe zëri më rrëgjohej, sepse i kisha prishur qetësinë një njeriu, dhe e kisha të pamundur që ta riparoja, sepse nuk më linin fijet e pleksura, të thurjes së asaj rrjete pikash matjesh, koordinatash, nenesh, që të ekspozuara, kishin marrë një fuqi tjetër, si dalje nga fundi i detit, apo ngjallje mitike e një qënieje, të harruar.
Ne,që të dy, edhe pse Kunderadmirali kish një rang të lartë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, kurse unë me një gradë më të ulët, por sidoqoftë një Kolonel në rezervë, ndodheshim tanimë, anash kësaj qënieje, fare të vegjël dhe të pafuqishëm edhe pse në KLAN do të takosheshim për herë të parë, për t’ia ndrequr kryet njëritjetrit, siç do të thosh një analist, pas këtij debati.
U avita, me hap të shpejtë tek dera dhe në afrim e sipër kisha marrë në telefon gazetaren për mbritjen time. Fevziu dhe ndihmëtarja e tij ishin tek dera. U takuam. Isha shumë i qetë, po nuk e di se ç’mund të ketë ndodhur, me buzëqeshjen time, dhe si mund të jëtë komentuar ajo. Sa më preku në shpatull, Fevziu, u interesua për hartat, nëse i kisha prurë me vete, dhe a i kisha, ato në flesh? Kish shumë rëndësi, ndeshja e hartave, ku nuk luftohej, as me shpatë e as me ndonjë armë tjetër, por me vija të hartografuara, në një Det që e kishin ndarë. Po më vinte mirë, mbasi ishte pjesë e përvojës sime dhe e fushës së veprimtarisë hartografike, që ishte zgjuar. Hartat dhe koordinatat do të futeshin në betejë.
Punonjës të ndryshëm, ndofta kameramanë, a të shërbimeve të tjera, më hidhnin ca shikime të ftohta, nga koka gjer tek këmbët. Një burrë i shkurtër, të cilin dikund e kisha parë, kaloi përbri si me hap rreshtor dhe ish gati që të më shtynte, në koridorin e ngushtë. U shkëputa, dhe hyra, në të majtë, tek studioja OPINION. Ishte plot dritë. Eca pak më tej. Krahët robotikë të kamerave, m’u duken në çast si ca gjymtyrë dinosaurësh, po veçse, kishin nga një sy të madh katror e të zi, shumë të zi, në pritje të përndezjes së sensorëve. Dy ndënjëse të bardha ishin kundruall. Monitorë të mëdhenj që ndodheshin në një gjum të pjesshëm, në atë ngrehinë dekori, prisinin të shpërfaqnin pamje të një ndeshjeje, të pazakontë. Ndjeva shqetësimin e parë. Studioja nuk të joshte, po përkundër, ruante në vete, një lloj kanosjeje, sepse pak a shumë, do të quhej një lloj „fushe luftimi” veçse shumë më ndryshe, se ajo e luftës prejvërteti, por ashtu e butë e me dritë, kur pritej që të vinte tek ky KLAN, një pjesë e Detit Jon, për ta parë shqiptarët, se kush e kish ngarë, e kush e kish trazuar, në kohët moderne.
U mbërtheva, në vështrim, tek monitori kundruall, për të përfytyruar se sa mirë do të ishte sikur të kisha punuar, në qefin tim, me një mjeshtër të dizajnit dixhital, që gjatë kohës së debatit, monitori të shfaqte të animuar atë Kalin e Drunjtë të grekërve në fushën e Trojës. Ky Kal, teksa, ne do të debatonim, në argumentet tona, pro e kundër, të ecte dhe nga pas, të hidhte farë pikash e koordinatash ndarëse, të detit të përbashkët, dhe ashtu pas tij, ato, të ruanin marrëveshjen e cenuar.
„ Ja, pra, ku i kini. Nuk doni t’i pranoni? Iu sjellim miqësinë dhe mirëkuptimin. Ç’doni tjetër?”
Isha shumë i përhumbur dhe zëri i ndihmëtares së Fevziut më përmendi. Ishte ajo që siç do të merrej vesh të nesërmen, do të shkruante tekstin e përfundimit të betejës.
Duke u kthyer në të djathtë, hodha shikimin për andej dhe dallova dekorin e „Histori me Zhurmues” ku godina të stërmadha të pikturuara ngjanin se ishin gati në rënie, duke ta përcjellë ndjesinë e një shformimi që mjeshtri i dekorit e kish kompozuar me qëllim të caktuar, për t’i bërë rrëfimet e së shkuarës, me fuqinë e lëkundjes dhe të gremisjes. Një ndjesi e tillë, nuk më pëlqeu dhe prap, ashtu rrotull meje, kërkova atë tjetrin.
Një vashë më erdhi pas shpine, që të më ngjiste lart, tek posti dixhital dhe regjisura, ku të çoja flesh-in me ato pamje që kisha përzgjedhur.
„ Mbase, nuk është e nevojshme, fare „ tha ajo „ se unë kam bërë një lloj përzgjedhjeje, të hartave, që ju keni publikuar…”
„ Domethënë…” mendova, „ këta e kanë bërë planin se ç’të marrin dhe ç’të diskutojnë, pra kanë një plan për të cilin do të kenë punuar, qysh atëherë, kur më kanë ftuar për regjistrim, por që unë nuk e pata pranuar.”
Ajo m’i tregoi. E para ishte, skema e Otrantos, ku „ lapsusi grafik ” ishte bërë një lloj gomoneje mbi të cilën nuk transportoheshin, për një brigjet matanë, klandestinë, por koordinata të mashtrimit e stisjes, me të cilat do të provohej, se Deti ishte keqpërdorur dhe marrëveshja apo veshmarrja, do të ngrihej edhe më e fuqishme, pas këtij debati.
Unë i dhashë hartat e mija: një version të Tongos e të gjirit të Ftelias, një Barketë tragjike që e fusja në skenë, por që askush nuk më kuptonte, sepse e quanin „ plesht” kurse ca të tjerë, që nuk e dinin se ku binte, (siç ishte Godo i cili e quajti të banuar apo gjysëm të banuar…) pra sillja një Barketë të harruar për shqiptarët, sikur ta kisha nxjerrë, jo nga zbaticëbatica detare, por nga shpina e ndonjë anijeje mitike të Eneas, atë të arkipelagut dhe një rivizatim të asaj „ skicës ” që Qeveria ime e kish marrë si model.
Në studio s’kish njeri. Ishte shumë vonë. Sapo kishin mbaruar ndeshjet e Champions League. Të dy kamerat robotike, që s’ishin ende në funksion, më shihnin me të njëjtin dyshim, si edhe njerëzit rrotull. Veçse ato, si të High Tech-ut kishin marrë dhe përpunuar gjithë opinionet dhe informacionet dhe do të luanin për bukuri në skenën e OPINION. Pashë përballë, në tavolinën e atij tjetrit, ku dallova një ndryshim, po të krahasohej me ndënjësen time dhe tavolinkën e vogël. Mbi të, rrinte Fjalori Enciklopedik Shqiptar.
Unë u afrova, ta shikoj, sëtoku, me ca udhëzues të tjerë lundrimorë që tregonin se këtu, ishte punuar më parë, për të sjellë të gjithë bazën materiale që i duhej palës së Qeverisë. E kuptova, se prej atij fjalori do të dilte dëshmia e Sarandës, e cila, sipas tyre do të ishte shpartalluese. Heu! Dreq!. Unë kam ardhur me duar në xhepa, apo me duar në det. Atypëraty, u ngushëllova se po ta hedhësh të mirëm në det, do të gjesh në tokë. Shkopi tregues ishte i njëjtë me timin, një pjesë antene, që kushedi nga e kishin hequr. Ishte një sajim, si për një ndeshje skerme, pra një lloj shpate e cila do të shërbente për të rrëfyer hartat.
4.
Me treguesin e skermës, në çastin kur kisha sjellë Lap Top-in, për ta bërë gati, në derë hyri Kunderadmirali. Unë u ngrita në këmbë dhe i dola përpara. Dy hapa, se të avitej, ai zgjati dorën, e cila me shpejtësi u drejtua ndaj meje, që në takim me dorën time, nuk kish asnjë lloj mesazhi miqësie, por përkundër, një parakacafytje groteske. Sytë e tij ishin të ftohtë, që në të vërtetë nuk po më shihnin, por në formën e një prerjeje, më lanë një vragë urrejtje e cila nuk ishte e pabazë.
Altruizmi për të cilën kisha menduar, pak më parë, si një skenë të përfytyruar, aq me naivitet, rrallë se e gjen dot, kështu që takimi duhet të ishte burrash. Se burri flet para sysh dhe jo pas shpine. Mirpo s’para kuptohet ajo që thuhet se burri nuk matet me pëllëmbë, por me zemër. Njohja jonë kish humbur. Ne ishim të larguar dhe pse jo të armiqësuar. Këtë largesë njerëzore e pëlqente edhe Qeveria, gjersa ajo, më kish zhvendosur në një front turbullire, kur i takonte asaj që para daljes në „fushëbetejë” të shqyrtonte argumentet e përbashkët të Detit, sepse Deti ynë duhet të na bashkonte, dhe jo të na ndante. Do të ishte një debat fort i çuditshëm. Unë do të përpiqesha që t’i besoja zemrës, në këtë përvojë të re. Mbasi siç kuptohej, ndaj mesazheve të mija mirëdashëse, ai nuk mund të bentë të njëjtën gjë. Të vetmen armë që i kishte dhënë në dorë Qeveria ishte, jo një mbrojtje teknike, por „ sulmi me ç’të jetë e mundur” A do të funksiononte parimi i zemrës që e kish përzgjedhur? Të dalë ku të dalë!
Ishim shumë të larguar. Po rregullonte ca shënime që i nxori prej çantës. Pastaj, në zymtësi u ul për pak çaste.
A ka vallë një heshtje të mbushur me dritë?
Lëviznin kamerat e mëdha robotike. Midis nesh asnjë fjalë që të bëhej si urë lidhëse. Mbi dekorin rrinte dhe vrojtonte Qeveria në absurdin e vet. Na kishin prurë këtu, dhe prisnin që të shpallej fitimtari. Kjo ishte një betejë, siç e mendonin ata, shumë vendimtare. KLAN-i mbas Champions League ofronte një ndeshje tjetër. Më bënte përshtypje rekuiziata e plotësuar me kujdes, e në krahë të Kundëradmiralit, sapo kish filluar lëvizja. Ai nuk ishte i vetëm. Ndërsa unë kisha një Lap Top që i ishin vësulur viruset.
5.
Në kënd u shfaq Klanori.
Nja dy stenda ishin zhvendosur enkas, ku do të vareshin harta, të cilat duket se ishin sjellë qysh paradite. Përse do të ndesheshim? Kush do të fërkonte duart? Dikur, në kohën e ndarjes së kufijëve tragjikë të Iliroshqiptarëve moderne, e vranë një gjenaral që ishte në Komisionin Ndërkombëtar. Kurse tani, kur ndajmë kufijtë detarë, në një ekip dypalësh, ndër bisedime diplomatike, kë duan vallë të vrasin? Kush iu kish prishur punë dhe kujt i ishin çrregulluar llogaritë, vëllimet dhe shtrati i nëndetit? Krahasimi nuk ishte i saktë. Veçse, në çast, më preku supit ajo vetja e dytë, për të më kujtuar se afërsisht diçka të tillë kish kumtuar , ai njëriu fantazmë i facebook, tek thosh ” se edhe ti si Trebicka do të përfundosh…o tellall,… paret do t’i marrësh me vete, se ditët të numëruara i ke.”
Kurse, në krahë të fantazmës, Qeveria hidhte çurrega me urrejtje dhe dashaligësi.
Përfytyrimi, në një hapësirëkohë të shkurtër, përsëri më çoi tek ai Kali i Drunjtë i cili, e kishte bërë punën e vet, në mbjelljen, e asaj vije. Po ku do të ketë përfunduar ai kalë? Mos ndofta, tek Miniera, a Gurorja Romake e Gramës, ku rrinte, prapë i fshehur? Kërkoja me sy, në monitorin e madh, ku ende nuk ish shfaqur ndonjë pamje, e hamendoja aortën e Otrantos, ku ishte sjellë një udhë e re, e një afrim i paparë, i kryer si me një by-pass, të ri. Atypëraty, po më merrej fryma, ndërkaq Qeveria qeshte, kurse ndërtuesit e emisionit, matnin sasinë e oksigjenit dhe gjakut të detit, për të më provuar, në sytë e bashkësisë, se ky shartim, kjo prerje dhe kjo lidhje, na kish sjellë, atë energjinë e harruar. Kirurgjia ishte bërë e saktë, pra ai by-pass-i barazlargësisë ishte një mbështjellë velloje, e projektuar dhe veshur, me kujdes, në sytë e të gjithëve, për të na thënë se kemi qënë të barabartë, ndërsa ai Kali i Drunjtë, rrinte sërish i fshehur, në Gramë.
Ne, të dy të ndërsyer, do të jepnim shfaqje, para tanëve, si në një shëmbull të ri, se si e hamë vetveten, në mbrojtje të fitores së fqinjit tonë, në detin tonë historik. Sado që Kundëradmirali, mundohej që të të mos e jepte veten, dukej i tërë i përfshirë nga shqetësimi dhe kjo, ishte e natyrshme. Ne ishim të dy mjeranë dhe mbi vete kishim një Qeveri, po kaq mjerane, që na kish ndërsyer, njëri me tjetrin. Po si do të thuash ti? Që në fund të kësaj premiere, fqinji ynë, të kuptonte, se ç’bëjmë ne për ‘fjalën e dhënë” pra atë” marrëveshjen dhe firmat” se të shihni se ” mund të murosim një të gjallë, që ju të na besoni ” ose sikur ta përkthejmë me terminologji detare: ” do ta detosim të gjallë!” etj etj.
Vetëm Deti e dinte se sa lumenj derdheshin në të…
Si një amanet të largët në kohë, i hedhur në Detin Jon, ai do ta qesë që do ta qesë në lëndinë.
6.
Erdhi shënja pamore e OPINION kur unë dhe Kundëradmirali u zgjuam e u pamë në sy.
Fevziu na prezantoi. Po thoshim fjalë parafabrikate, si copa akujsh që binin aty afër siglës që projektohej në dysheme. Ende nuk kish ardhur koha të ngriheshim, si të thuash, të merrnim pushkët, ato shpatat e skermës dhe të numëronim hapat. Rënia e mjegullës asaj nate, jashtë, u përzie edhe me një përgjim të ethshëm të telefonave, mbasi prej ditësh, merrej me mend, se kjo punë nuk mund të kalohej kaq lehtë, “se të teket ty dhe t’i dalësh përpara shtetit dhe t’i thuash, “hajde baba, të të tregoj arat…” ” Hajde Mëmë të të tregoj Detet” “…dhe ” të na prishësh miqësinë… kur ne mezi e kemi sjellë gjer këtu…” ” more ksenofob i kobshëm!”
Kështu që përgjimi nuk mund të ishte përgjërim, por pjesë e dytë e vetvetes që më kishte bërë të kujdesshëm, për t’u vetlidhur mirë e mirë, për të folur në autoçensurë, se kështu, kish dashur Qeveria. Rënia e mjegullës ishte diçka më tepër se kaq. Doja të sillja ndërmend diçka të rrokshme që të mund t’i a kujtoja Kundëradmiralit. Përshëmbull, kur ishim të ftuar në fregatën luftarake të Mbretërisë së Bashkuar, për hartat shqiptare që ia dhamë admiralit anglez , ku dalloheshin qartë brigjet dhe detet tanë historikë. Kurse, ne s’e pamë kurrë hartën e marrëveshjes, që mesa duket në të ardhmen, ajo do të gjendej në ndonjë rrëzë shkëmbi, apo brenda ndonjë shisheje që do ta nxirrte Deti, me kumte të fshehta e të mistershme. Po s’kishte kohë. Kundëradmirali i ishte drejtuar asaj skicës, ku kish gjetur mashtrimin e madh dhe një trekëndësh që e kish quajtur gjithashtu: ” trekëndësh i mashtrimit ”
Murmurima e Klanorit, vinte pas së qeshurës së tij të përhimtë e cila ishte shkrirë me shkallaren e skenës, ku qe ulur, atje tek rrinë ndoca spektatorë. Ai, sikur të komunikonte me ndonjë tjetër, por që në fakt nuk kish një tillë, veçse duke ndjekur bisedën, e pushtonte mesa dukej, një kënaqësi e veçantë si ajo, kur ndërsa me Google, ishte matur largësia nga Barketa deri në Kepin e Mërtesës dhe në të kundërt, deri në Kepin e Kasiopesë, apo kur unë thosha, se nuk ishte e vërtetë kjo largësi, mbasi e kisha matur vet, në natyrë, e këtu ai shkrihej (shkaraz një grimëherë e fiksova, ndërsa merrja goditje dhe kundërpërgjigjesha) sepse ishte gjetur kapja, derisa ky i lajthituri, na dilte dhe kundër Google, do të thotë, se e ka një dërrasë mangut; e kjo mor ta marrsha, mund të ishte si një zhdrivillim i mirëfilltë, për atë që pritej, të shkruhej të nesërmen. Nuk kish thënë kot një ministër, se ” një budall, ka hedhur një gur në pus…” apo për më tepër “e ka hedhur në Det…” dhe gjithë, ne të mënçurit e Shqipërisë ta gjejmë…
Ndërsa mundohesha që të ndërprisja sulmet e atij që ishte kundruall, si: ” në je burrë!” ” Si burrë, apo grua… more kundëradmiral, po ne nuk jemi në lojë këtu…” Në të vërtetë, kisha gabuar, sepse ne ishim në lojë gjersa po qeshte Klanori, apo më tej: ” se po mashtroni dhe shpifni! ”
Unë i afrohesha kundëradmiralit, vetëm me fjalën e kundërshtisë, duke e kuptuar shumë vonë, se pozicionet që ishin hapur në KLAN, ishin për një studiues të pavaruar, që bën ekspertizë, por dhe të Qeverisë përballë e cila nuk duhej të përgojohej. Po ama, duhej të përbaltej me domosdo, ai i paemëri.
Kështu, që aty, nga gjysma e bisedës, ndërsa jepeshin publicitetet mendoja, se po emetoheshin edhe reklama për nja dy personazhe shqiptarë si ne, që qeveria i kish kthyer në dordolecë. Kuptova se nuk ndodhesha në truallin tim, por në dhe të huaj dhe m’u kujtua ajo thënia që nuk e nëpërmendja aq shkoqur:
” Kolonel në vend të huaj, si të bjerë daullja, luaj…” Po, “Kolonelit, nuk ka se kush t’i shkruaj…” thosh para ca ditësh Adrian Thano, sipas titullit të një romani të Markezit.
Unë në timen që në timen, mundohesha të jepja shpejgime për Sarandën, kur ai tjetri më flakërinte para sysh Enciklopedinë Shqiptare, të thërrisja diçka prej mitit dhe legjendës, kurse ai tjetri më kërcënonte, se do të më ndreqte samarin me ligjin ndërkombëtar, kur unë i përmëndja për të satën herë “përmes kanalit të Korfuzit” ai sërish nxirrte të njëjtin by-pass, të qepur përbukuri, në atë kirurgji, me gjëlpërën, shkopin dhe kursorin e fqinjit, duke më hedhur argumente, që të më mbyste, në thellomat e panjohura, të atij kanali që e kish një incident historik të ndodhur gjysëm shekulli me parë; kur fjalët që më vinin në fjalorin e Qeverisë, hasje mina të vendosura aty, jo nga duar të huaja, por nga vet ne shqiptarët, kundër njëritjetrit.
Klanori prapë në psherëtimë e sipër, duke e parandjerë fitoren e kësaj nate, të sakrifikuar, pas ndjekjeve, të ndeshjeve të Champions League, gjëllinte i palodhur dhe i gëzuar, në këndin e djathtë, për të nxjerrë prej andej, një stendë dhe një hartë të Sarandës, të varur në të, që ishte një origjinal përpilimi, nga ato që ruhen në Arkivin e Institutit, për ta pasur kundërshtari im, si një tregim real. Ai po e rregullonte, ndërsa Fevziu, pa dashjen e tij, ndihte leximin në Enciklopedi, se kush quhej gjiri i Sarandës. Dhe pikë. Shkopinjtë mbaheshin kot, ndër duar. Në ta, shkarkoheshin, vetëm ca ofshama, e vinte nga vinte, kundëradmirali i drejtohej skicës se pikës 150, në afërsi të së cilës, ishte mbytur prej tramundanës gomonia e Nëntë Janarit, me shqiptarë të humbur, në kohët moderne. Aty përballë, tek gurorja romake e Gramës, ishte Kali i Drunjtë dhe poshtë tij kish shkuar për të marrë njoftime edhe ajo fantazma, që më shfaqej ato ditë, e më thosh se më donte shumë, aq sa edhe Deti…
“Mos mor mik se i mbytyri të mbyt! Pika 150, sipas të gjitha gjasave nuk të mban dot përsipër.”
Doja t’ia thoja diça Kundëradmiralit, por ne që të dy ishim shurdhmemecë.
Kundërshtari, pati nja dy momente, kur u tregua më i qetë dhe mosndërhyrës, e kësilloj, kisha nisur të ndjej një farë afërie, ndaj kolegut të cilin e kisha vlerësuar gjithkund.
Kushedi, në cilat gjeohapësirë ai po lundronte? Apo, në thelb, më sëfundi, kish nisur të kuptonte, se marrëveshja “ishte lidhur e stërlidhur, me mjeshtëri, me atë barazlargësinë që e thamë atypari…mirpo këtu qënka fshehur humbja… nuk e dimë ende, nëse është humbje apo çfarë tjetër? ” Apo kjo enigma nuk zhbirohej dot… s’dihet se ku e ka fillin në atë terr, apo gjysëmterr…
Pastaj sërish: “ti shitesh si ekspert…” ” Duro o zemër duro, siç duron mali dëborën…”
Kish arritur kulmi, mbasi Qeveria në tërë shtatin e saj, ishte shkundur prej pasigurisë dhe ndeshja (jo e demave, poe e djemave) po e sillte përfundimin e duhur. Kurse kënaqësia e Klanorit tanimë kish shkuar në dalldi. Ai hapi krahët, sikur të jepte ndihmë, për të matur mesin e largësisë nga Ujdhesa Tongo deri në kepin Sidero.
Dilnin herë pas here, në monitor, me urdhërin e Kundëradmiralit, pamjet: ” Hartën! Atë slajdin e parë! Googlin… skicën! Gjirin! ”
Ai i thërriste dhe regjisura i ndiqte, me vëmendje. Pra, ajo, ishte atje sipër, ku punonte një ekip i tërë, me teknologjitë e duhura, po ama pa harruar dhe fantazmën, që si e përdalë që ishte, dilte prej meje dhe shkonte tek kipi tjetër. Ndjeva një lloj lehtësimi, sepse në fund të fundit edhe pse, sipas asaj pale, ata e kishin në duar fitoren rrëzëllitëse, kjo ishte edhe fitore e imja, sepse pa dyshim, që në këtë ndarje detare kish fituar Shqipëria…
Klanori, erdhi me butësi e miqësi, pranë meje, veçse me një keqardhje, sikur më thosh: ” po ç’t’u desh more njeri që iu fute kësaj…a me tërë mend, s’e kuptove që kjo largësi është e barabartë… me atë tjetrën…” m’u buzëqesh prapë, me art dhe spektakël të gatuar bashkë, duke iu afruar, këtij njeriut tjetër, për t’i dhënë një lloj ndihme.
” Ku do t’ia dijë hëna se lehin qentë! Or Zotni!” më shpëtoi mua urtë e butë edhe vet nuk e kuptova se nga më erdhi. Mirpo sigla lajmëronte se fillonte pjesa e fundit.
7.
Ai trupngjeshuri që ishte dukur në hollin parahyrjes, i ra tërthor studios duke folur me zë të lartë, dhe kundërshtues ” Jo, drejtimi nuk është jugperëndim, por juglindje. Shikojeni mirë!” Ai në nxitim e sipër, nuk po shikonte nga ne, po ish gati në vrap, po ama donte ta nxirrte që ta nxirrte. Po, ky ç’pati? Mesa duket ishte njëri prej atyre që rrinin sipër dhe bënin gati të dhënat që nxirte Qeveria. Gjithësesi, ky nuk ish një fund, se gati po nisej që nga fillimi, sërish tek ajo skica”shpëtimtare”
” Oh, sa harta kam parë sonte sa s’kam hasur gjatë gjithë jetës sime” tha Fevziu.
Mirpo Qeveria në vend të nxirrte hartën e saj, ia kish qepur sytë asaj skicës dhe blatimit të Sarandës, hartave dhe pamjeve që s’mbaronin, kurse vetëm ajo harta jonë nuk dukej…që nuk dukej gjëkund. Kjo hartë po bëhej për herë e më tepër si pjesë e misterit.
8.
Gazetarët me sytë katër, shënonin për ditën e nesërme për ta mbaruar këtë telash të Qeverisë, që të marrim frymë, e zot na ruajsh nga këta ksenofobë, që u shtuan, këta historianë… po lërini, u kam rixha… këto historira, se a bëhet fortunë në një fundgote me ujë ? ”
E në këto e sipër, Kundëradmirali, më kujtoi mashtrimin e radhës, jo me ndarje në tavolinën diplomatike por me atë çmëndurinë se po i futesha detit më këmbë.
” Po, ke të drejtë, miku im! I jam futur detit në këmbë. Tani jam në pluskim. Më mbajnë sipër, matjet, koordinanat, hartat, imazhet ilire që u ringritën mbi imazhet satelitore, vijat bregore dhe thellësitë, ku ndodhen reliktet historike…”doja të thoja.
Sa tragjikomik po bëhej ai takim në KLAN dhe sa dëshpërim ndjeja për veten dhe kundëradmiralin, mikun tim. Tragjikomikja ishte e gatuar në brendësi të ngjarjes, ku s’dinim se në cilin front ishim, na humbiste Otranto dhe shfaqej prapë, ç’mbronim vallë, kujt i blatoheshim, kujt i raportonim, si përsilleshim në atë çorjenim, kush ish betaja jonë dhe kush ngrohte duart atje më tej nesh, kush i kish ndezur zjarret e këshërisë rrotull, dhe ç’epitete merrnim, prej shikuesëve, teksa ishim dy vëllezër po s’qemë të zotë të masnim Detin tonë, sa po pataksej gjithësecili, kur Kryeministri e kish pikasur se kush ia kish me hile Qeverisë së tij dhe fap, ” shkojnë e fshihen në legjendë “, ” po do ta kap… s’të kap dot…” qeshte më pas, se po mblidheshin të gjithë zogjtë e maleve Akrokeraune, për të fluturuar mbi atë Det, që t’i dilnin zot.
Gradat tona të mëdha dhe lulkat po binin një e nga një, në këtë shportë të shpuar të përuljes dhe mungesës së dinjitetit, sa po gajasej edhe vet Greku, fqinji ynë historik. Është i joni, jo s’është i joni, është i krahut, jo është e këmbës, je i zoti, jo je i mangët, jemi në mes, jo jemi në anë, jemi në shkëmb jo jemi në cektinë, jemi në plesht, jo jemi në shqipe, jemi në Tongo, jo jemi në Sidero. Kërkonim, Sarandën gjenim Limionin, ndaj ndeshja jonë ishte vulgare e në këtë ultësirë aluvionesh, ku s’kishim rënë vet, po na kish urdhëruar Qeveria.
Sepse dy ushtarakë janë përgatitur për beteja që të mbrojnë Shqipërinë, e kanë përfytyruar skena mësymjesh e mbrojtjesh pafund, pse vallë? : ” për Mëmëdheun dhe Mëmëdetin”
Në këtë det të turbullt ta dish më thosh ajo fantazma, askush nuk mund të jetë i bukur. Shikoi helenët, më thosh ajo sërish, në mitin e tyre, rrinë dhe s’bëzajnë.
Mëtojmë të ekplorojmë Detin, po ky Det na linçon të gjithëve, të dy palët. E ke parë një shtëllungë të butë që i rri përkrah vijës ndarëse kufitare detare, ajo duket tamam si brerore. Sikur të shohësh rrethin e hënës dhe pas saj të hetosh, se si do të jetë nesër koha.
Ndërkaq doja të thoja një fjalë të ëmbël, por s’e gjeja dot.
E kisha marrë një rol, në këtë teatër absurd, kur askush nuk më kishte llogaritur, në atë regjisurë.
Vinte e nga vinte, rreth nesh dhe prap një kompas s’na ndahej. Sa hapnim krahët, aq edhe ai hiqte rrethin, sa hidhnim hapat, aq edhe ai shënonte harkun. Në argumentet tona asgjë nuk puqej, prandaj miqtë tanë helenë gajaseshin, në Athinë.
Në këtë krusmë ku na kishin prurë, ndiqnim skenarin e tjetërkujt, ndërsa shqiptarët të ndarë afërsisht më dysh, shihnin gladiatorët, e nuk e merrnin dot vesh, se ku ishte humbja e detit dhe ku ishte fitorja. Mu për këtë arësye, pyetnin se kujt skuadre i përkisnim.
” E ke radhën ti që ta qëllosh tjetrin, atë që ke përballë, me sa fuqi dhe me sa dredhi që të kesh. Merre Barketën dhe fshikulloje në hapësirë. Të shikojmë se sa duron. OK!”
“Tani mbarove? Të lumtë! Të shohim ty tjetrin, sulju atij që të ra, merr hakun, sa të të mbajë krahu! Jepi jepi! Merr kepin Sidero si topuz dhe hidhe përtej në Stillo. Ashtu de!”
Taktika, strategjia, mësymja, shpinëmarrja e krahëmarrja të mësuara, në stërvitje pafund erdhën edhe gjatë këtij ballafaqimi tragjikomik. Herë herë nga xhepat e shkëmbinjëvë detarë dilte prapë ai kali i Drunjtë që në indiferencën e tij, shkelte syrin.
…kështu të dashur shikues, për dy orë rresht ishim në një përballje shumë të veçantë, që rrallë eshtë parë ndonjëherë…thosh në fund Fevziu.
Një oshëtimë detare, thonë se është ndjerë në brigje të Karaburunit.
9.
E nesërmja, me ditë, thuhej, se do të dilte, më e mënçme se nata që shkoi.
Dhe ashtu erdhi, fije për pe, dingas me lajmet e para në KLAN dhe sojin e tij. Flitej për një ballafaqim, i cili kish treguar se ai që ish thirrur e që besohej se kish ngritur atë fortunën, në gotën e ujit, nuk kish lidhje me Detin. Ish fantazmagori e tij. E pabesueshme për shqiptarët e fisëm, po ai mor kokorrosh, nuk e dinte se ku ish gjiri i Sarandës, edhe pse emërin i këtij gjiu e kishte shkruar vet me duart e tij, në hartë. Sepse në thëniet e tij të debatit, kish çuditur gjithë shikuesit, me herezinë moderne të kumtimit se nuk i besonte Google, duke na prishur marrëdhëniet edhe me këtë motorr gjigant të internetit në botë. Po ç’ti bësh, se kaq di! S’mbaron këtu, se kërkonte dhe hartë, pa.
Ke mbetur prapa. Mbrothësia e Qeverisë i thosh, se hartat mor tungjatjeta, janë njëlloj në gjithë botën edhe simbolikën e tyre. Vetëm, kur të qorrohen satelitët, ah atëhere, po, do kemi nevojë për harta, siç iu shpjegua pyetjes së butë, të bërë nga drejtuesi i emisionit. U përdor e gjithë teknologjia e mundshme: e nisur nga kompasi vizorja, deri tek Google të cilat ishin armët më të mira, në mbrojtje të kufijëve detarë, që për hir të së vërtetës s’i kemi pasur kurrë, por që i fituam, more dashamir i Zotit!
Le të merremi në të ardhmen me gjëra të larta e fisnike, siç na ka hije ne shqiptarëve të sotëm. Atë çfarë iu sollëm mbrëmë, është vetëm një remineshencë e së shkuarës. Pikë! Kemi një perifrazim të thënies ballkanase që po e kujtojmë për ju:
” Më bli një kalë me shalë o baba se kam gjetur një patkua.”
Ju e kuptoni moralin e kësaj thënie. Mos harroni se Kali i Drunjtë rri i fshehur ne guroren roamke te Gramës.
Përfundoi KLANI …
10.
Po dilja nga ajo derë po nuk dija se ku kisha qënë dhe ç’kisha thënë. Në të kapërcyer të pragut, ( po në fakt aty nuk kish prag) me mirësi të vërtetë Fevziu më tha, se do të më thërriste prapë, për një emision të veçantë. Sepse të më kuptosh drejt, ky i sotmi ishte politik, mbasi ai që kishe përballë ishte një person mjaft i lartë i Shtabit të Përgjithshëm. Ah po! Se më duhej të kuptoja, që politika qënka përzjerë keqas në këtë rrëfim… desha të thosha.
Gazetarja, mesa dukej ishte me rrufë dhe qe mbështjellë paksa tepër, tek priste në afërsi të një ledhi, të cilin e kish kapur terri. Ajo dukej e kënaqur se e kish mbaruar rolin e shënueses së pikëve dhe numërimit të gafave çka do të ishte një lëndë e vërtetë, për të nesërmen. Shkëmbyem duart me Blendin dhe unë ktheva thëmbrat nga kisha patur gishtërinjtë e këmbëve dhe largohesha e largohesha prej një vendi aq të panjohur, të cilit i kisha dhënë diçka, të cilën ai nuk e donte, dhe ashtu doli, sepse aty pranoheshin vetëm kandidatë, për në shpellat e Ali Babës.
Dola nga errësira e gardheve të thurur keqas, në ishKinostudio e u gjenda në rrugë ku s’dukeshim makina të lëviznin. Pas pak, drejt meje vinte me shpejtësi një veturë e cila ndaloi tek këmbët. “E humbe ndeshjen.Të rroni vet!” më tha njeriu im. Në celular vijonin të vinin mesazhe, si pickime grenzash. S’e kisha mendjen gjëkund tjetër, veçse tek ajo që do të nisja në gazetë, një lloj testi, atë të përpjestimorit…që do të thotë sa Det more ti, po sa mora unë… ti nuk more asgjë, ta thashë! Të rrosh vet!
Gëzuash o Qeveri se nesër bëhesh turtulleshë!
Në shtëpi, vijonte një natë e klonuar, me ca kopje identike qelizash, e organizamsh që i prodhonte nata e qeverisë sime.
Mbi tavolinën më priste imazhi satelitor.
Pjesë nga libri “Deti që nuk falet” i prof. Myslim Pashaj