Detajet antiperëndimore të krizës së Berishës

0
33

Nga Mero Baze, 8 Shkurt 2013

Ka një përpjekje të qartë nga Sali Berisha për të gjetur paralele amerikane, italiane, ose në tërësi perëndimore për të justifikuar vrasjet politike të 21 Janarit. Dhe për ta bërë këtë është angazhuar personalisht qeveria. Zëdhënësja zyrtare e qeverisë shqiptare, Majlinda Bregu, poston në Facebook një deklaratë sovjetike të Gjykatës së Tiranës kundër qeverisë së SHBA, në vend që t’i kërkonte ndjesë qeverisë amerikane, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tenton të krahasojë shkëmbimin e zjarrit me një njeri të armatosur në ambasadën amerikane, me 21 janarin. Gjesti i zëdhënëses së qeverisë shqiptare dhe Ministrit të Drejtësisë, tregon se detajet antiperëndimore të retorikës së qeverisë janë thelbësore, burojnë nga zyra e kryeministrit dhe kontrollohen prej tij. Bile zonja Bregu duket se ka qenë aq në hall në postimin e saj, sa ka vënë dhe stafin e vet ta mbështesë me komente, ndërkohë që kërkon të miratohet ligji i administratës publike, i cili mbron punonjësit nga politizimi.

Por pikësëpari paralelet perëndimore që Berisha përzgjedh si alibi për vrasjet e tij politike janë të stisura dhe pa asnjë bazë krahasimore.

Në përshkrimin e shkurtër të vendimit të Gjykatës së Tiranës, ka një përpjekje banale për të gjetur paralele perëndimore, duke iu referuar një rasti në Itali kur një polic ka vrarë një protestues gjatë protestave të dhunshme kundër mbledhjes së G-8 në Itali. Nuk jam i sigurt nëse gjyqtarët, që kanë pranuar ta përfshijnë rastin si precedent, ta kenë lexuar vetë rastin në fjalë, por nëse e kanë lexuar dhe e kanë përfshirë, atëherë jemi para një trupi gjykues më shumë se sa të politizuar. Rasti në fjalë, së pari bën fjalë për një polic që ka qëlluar në rastin e një mbrojtje të nevojshme, rrethuar në një makinë duke qenë shënjestër e agresorëve. Polici mes të tjerash nuk ishte pjesë e masave të sigurisë për G-8 dhe për këtë arsye ishte dhe i armatosur.

Ata që kanë vrarë më 21 janar nuk janë policë të armatosur, por oficerë të Gardës, të cilët në momentin që kanë qëlluar me fishekë luftarakë mbi turmën, shihet qartë që nuk kanë pasur asnjë rrezik, jo për jetën, por as për nxirje syri, siç i ka ndodhur Komandantit të Gardës nga njerëzit e vet.

Por edhe më i rëndë dhe cinik është rasti që citon Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Në deklaratën e tij të diktuar nga Sali Berisha përpiqet të gjejë paralele cinike me sulmin mbi ambasadën amerikane në Tirane me vrasjet e 21 Janarit. “Kur qytetarët kanë arritur të kacavirren në muret e ndonjë ambasade, janë ekzekutuar,” tha Halimi, duke iu përgjigjur kështu ambasadorit të SHBA në Tiranë, që u shpreh i tronditur nga vendimi i gjykatës.

Bëhet fjalë për një ish- punonjës policie të armatosur që u ngjit në muret e ambasadës amerikane dhe shkëmbeu zjarr për 20 minuta me rojet e sigurisë derisa u vra. Po të shtosh pastaj dhe kontekstin e antiterrorizmit, pasi ishte gushti i vitit 1998, është qartazi një cinizëm i hidhur, i cili buron nga një qëndrim i qartësuar antiamerikan i qeverisë shqiptare. Që të jemi edhe më të qartë, Eduard Halimi më 1998-ën nuk kishte as lidhje me PD dhe Berishën, i cili e paska fiksuar ne mendje fort këtë detaj për shkak të armiqësisë së atëhershme me Mariza Linon, ish- ambasadore e SHBA.

Ajo që ndodhi më 21 janar nuk ka asnjë lidhje me mbrojtjen e nevojshme në rrethana të caktuara, pasi mbrojtje e nevojshme përdoret në rastin kur intensiteti i sulmit është më i madh se intensiteti i mbrojtjes. Në rastin konkret ne kemi pasur vetëm një palë armë, vetëm një palë njerëz të armatosur, vetëm një bandë të furnizuar me armë luftarake dhe ajo ishte njësia e zjarrit e Gardës së Republikës. Ata qëlluan mbi njerëz të paarmatosur dhe të pafajshëm në kushte të plota qetësie, dhe e bënë këtë me urdhër. Këtu mbyllet spekulimi me paralelet perëndimore që tenton të gjejë Sali Berisha, dhe mbetet e hapur vetëm një paralele, ajo e Sali Berishës të vitit 1996 me Sali Berishën e vitit 2013. Përdorimi i figurave të larta politike nga ana e tij me qëndrime politike kundër SHBA, janë tregues i qartë se ai jo vetëm që është i vetëdijshëm për krizën, por dhe po kujdeset ta mbajë atë gjallë.