TemA Online, 27 Maj 2012
Tryeza e parë mes dy përfaqësuesve negociator nga dy partitë e mëdha për zgjedhjen e Presidentit nuk ka sjellë asnjë produkt konkret. Takimi i mbajtur rreth orës 11:00 midis dy krerëve te grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Socialiste, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi ka sjellë në tyezë një plan propozimi katëpikësh që mendohet të shqyrtohet nga një tryezë e përgjithshme mes krerëve të të gjitha partive politike në vend. Një fakt i tillë është bërë i ditur për mediat nga zoti. Ruci, i cili e la të kuptohet si një verdikt përfundimtar te PS, në pritje të përgjigjes nga PD.
“Sic e patë Rona e coi Shqipërinë në vendin e pestë, klasa politike e ka radhitur në vendin e fundit. Studentët janë në sezon propovimesh dhe 99% I marrin që në sezonin e parë, klasa politike ka sezonin e tretë këtë vit për marrjen e statusit kandidat.
Partnerët ndërkombëtarë na kanë vënë disa kushte për të mos ngel në klasë, PS përmes të mandatuarve të tij propozoi njëplan konkret, të thirret një tryezë e gjithë krerëve parlamentarë që: Të finalizojë dhe miratojë reformën zgjedhore; reformën parlamentare; formulën për ndryshime kushtetuese për heqjen e gjithë imuniteteve; të finalizojë një proces dhe të miratojë që në raundin e parë një President të gjithë pranuar nga të gjitha palët. Qëllimi që ka PS përfshihet në propozimin që bëhët në tryezën e negociatave, në 100 vjet shtet të sjellim statusin e vendit kandidat. Mosthirrja e tryezës do të ishte një ogur i keq për shqiptarët dhe një lajm i keq për ndërkombëtarët” – tha ai.
Nga ana e tij i mandatuari i PD, Astrit Patozi e ka konsideruar tryezën e sotme një dështim dhe një kurth të radhës nga kryesocialisti Edi Rama. Ai tha se takimi mori një rrugë të papritur, pasi sipas tij, “ne kemi shkuar për të negociuar për Presidentin e Republikë, ndërkohë që pala tjetër kishte ardhur në takim me platformën e editorialit të Edi Ramës, e cila është një platformë bllokuese.”
“PD si forcë e maxhorancës ka hyrë në këtë proces jo për të zgjedhur rrugën më të shkurtër, pas atë e ka, por për t`i dhënë vendit një President sa më konsensual, duke patur parasysh edhe vlerën që ka në një rast të tillë.Një president konsensual është plotësisht i mundshëm nëse PS nuk ka qëllime të tjera, për të rrëzuar qeverinë. Tri pikat e tjera të propozuara nga PS, nuk kanë lidhje me procesin e zgjedhjes se Presidentit, por politika bllokuese e Ramës kërkon t`i lidhë qëllimisht këto çështje bashkë” u shpreh Patozi.
Vetëm dy ditë më parë, Astrit Patozi iu drejtua me një letër publike homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi ku e ftonte në një takim konsultativ për Presidentin.
Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë më 30 maj votimin e parë për Presidentin e ri.