Dështimi i një premtimi

0
28

Nga Enton Palushi

BBC raportonte para disa ditësh se Franca ishte një ndër vendet me shtimin më të madh të bizneseve të vogla. Sipas gazetarit të BBC, ky është një lajm i mirë për shkak se do të thotë më shumë vende pune e më shumë taksa në arkën e shtetit. Jo dhe aq me shaka, gazetari theksonte se kjo rritje vjen edhe për shkak të natyrës sipërmarrëse të francezëve, ndryshe nga natyra e britanikëve. Por, më së pari, sipas reporterit të BBC, kjo vjen për shkak të masave të shumta të marra nga qeveria, që nga niveli i taksimit e deri tek seminaret e trajnimet e suksesshme për hapjen dhe mbajtjen e një biznesi të vogël.

Lehtësitë për biznesin e vogël ishin një nga premtimet kyçe të Partisë Demokratike para se të vinte në pushtet. Ajo që gazetari i BBC e quan natyra sipërmarrëse e njerëzve, duket se në vendin tonë është e përhapur. Pavarësisht regjimit komunist, kjo natyrë nxori krye dhe u zhvillua fort falë tranzicionit të gjatë, që detyronte njerëzit të gjenin hapësira për të garantuar të ardhmen.

Sot, pesë vite pas ardhjes në pushtet, biznesi i vogël është në agoni. Dy-tre vitet e para qeveria publikonte statistika për rritjen e këtij biznesi, që më shumë dukej se ishin statistika të biznesve që regjistroheshin, pasi kishin ekzistuar dhe më parë.

Më pas, kur krijoi një ide për ekzistencën e tyre, nisi një fushatë gjobash e sulmesh selektive nga tatimorët, që u kthyen në makth të bizneseve të vogla. Para pothuajse një viti, pronari i një internet-kafeje, ku punonim pasi ishim zbuar nga redaksia, nuk linte kamerat të filmonin për shkak se druhej se tatimorët do i merrnin frymën të nesërmen.

Dhe në fund erdhi goditja e madhe. Qeveria përgatiti dhe ligjin që do i klasifikonte si biznese të mëdhenj, duke i rënduar në ekstrem me taksa.

Pronari i një biznesi të vogël (tashmë biznes i madh), në Unazë të Re, thoshte se është trishtuese që nuk pati reagim nga biznesi, ashtu siç ndodh të paktën në vendet e rajonit. Është e dukshme që faza e dytë e këtij operacioni, terrorizmi përmes tatimorëve këtë synonte: të mbillte frikë. Ai që ishte premtimi më i madh i qeverisë Berisha është kthyer në dështimin më të madh.