Dëshmitari i fundit

1
28

Nga Mero Baze

Katër deputetët që dhanë shpjegimet e tyre në Prokurori për çështjen Doshi, nuk kanë mbështetur asnjë element të akuzës së tij. Edi Rama, Ilir Meta, Saimir Tahiri dhe Mark Frroku, sipas deklarimeve që bënë pasi dolën nga dera e prokurorisë, duket se kanë qenë kundër versionit të Doshit. Më i rëndësishmi prej tyre sa i përket dëshmisë, ka qenë Mark Frroku, mbi të cilin u mbështet gjithë akuza e Doshit. Në rrëfimin e tij, Doshi e vendosi Frrokun në pozitën e dëshmitarit kyç, që e kishte njoftuar për atentatin, për përndjekësit e tij dhe për skemën e porositësit. Mohimi i këtij versioni prej Frrokut, e bën shumë të dobët akuzën e ngritur prej Doshit.

Dëshmitari i fundit që mbështet Doshin në këtë histori, ka mbetur Sali Berisha. Ai ka deklaruar se ka tre muaj që është në dijeni për këtë ngjarje dhe se di dhe hollësi për momentin kur janë implikuar familjarë të tij në një skenar akuzash. Si dëshmitari i fundit që ka mbetur Berisha, jo vetëm që duhet të paraqitet në Prokurori, por duhet të japë dhe elementë të fortë e të besueshëm për akuzën, pasi prej saj nuk varet më vetëm fundi i kësaj historie, por më keq akoma, fillimi i një historie politike, që lidhet me protestat e PD-së të paralajmëruara për ditën e enjte.

Pra, ajo që është më problem për PD-në tani, nuk është fajësimi apo shfajësimi i Tom Doshit nga ky skenar, por mbajtja e karikuar e elektoratit të PD-së deri ditën e mitingut. Ky është i vetmi miting opozitar, i cili nuk është i mbështetur në problemet reale që ka opozita dhe shoqëria shqiptare, të cilat janë me thasë, por tek një dëshirë e Berishës për t’u bërë palë në një proces gjysmë-aktorial e gjysmë paranoiak brenda shumicës. Për këtë arsye, Berisha tani nuk ka rëndësi vetëm si ish-kryeministër, por mbi të gjitha si një dëshmitar që duhet të mbështesë akuzat e Doshit, pasi prej tyre varet fati i protestës ditën e enjte.

Nëse për një moment supozojmë se Berisha do të refuzojë të shkojë në Prokurori dhe në dosje mbeten vetëm njerëzit që kanë kundërshtuar Doshin, atëherë procesi do të mbyllet kundër tij, duke rrezikuar madje dhe dënimin e Doshit. Në këto kushte, mitingu i së enjtes në vend të halleve që ka opozita, do të ketë parrullat “Tom Doshi, o hero, gjithë PD-ja ty të do“, ose “Larg duart nga Toma“.

Qorrsokaku ku po e fut Berisha PD-në, me protagonizmin e tij personal, është një rrugë vetëvrasëse për të. Opozita po vuan tani jo vetëm problemet e Familjes Berisha në pushtet, por dhe protagonizmin fallco të tij në opozitë. Po ta vije re sot, aq shumë i kishte ngelur në mendje nga Kuvendi dorëzimi i tij nga përmendja e Shkëlzenit, saqë duke analizuar deklaratën e Metës pas Prokurorisë, e vetmja gjë që e kishte gëzuar, ishte që nuk kishte përmendur më Shkëlzenin. Por, nga ana tjetër, edhe pse dje u tregua i gatshëm të shkonte në Prokurori, sot filloi të përdredhë gjuhën, duke shmangur vajtjen dhe duke i mëshuar idesë se opozita nuk është e gatshme ta njohë këtë hetim, pasi Meta më parë duhet të japë dorëheqjen.

E thotë këtë njeriu që më 21 Janar, ishte nën hetim për vrasjen reale të 4 qytetarëve para zyrës së tij dhe jo vetëm nuk dha dorëheqje, por nuk dorëzonte as oficerët për hetim. E thotë këtë, njeriu që kur ishte kryeministër së bashku me kryeparlamentaren e tij, jo vetëm që refuzonin Prokurorinë, por e quanin kryeprokuroren “lavire bulevardi” dhe presidentin “horr bulevardi”.

Ky njeri, që për vrasje konkrete nga urdhrat e tij të provuara, ka futur nën dhe katër qytetarë shqiptarë, jo vetëm që nuk është dorëhequr së bashku me kryeparlamentaren, por kanë dhunuar publikisht kryeprokuroren. Sot, kur nuk kemi asnjë të vrarë, por thjesht një film të prodhuar në zyrat e Tomës, ky njeri ka futur opozitën në qorrsokak, duke e garantuar atë ”si dëshmitar“ se kjo është një histori e vërtetë, për të cilën ia vlen t’i nxjerrësh njerëzit në rrugë.

Tani hetimet duket se e lanë të zbuluar dhe për të mbajtur në këmbë akuzat deri të enjten, dëshmitari i fundit, Sali Berisha, është dhe shpresa e fundit që së paku në gjithë këtë proces qesharak, të ketë një zë pro Doshit. Jo se ka për t’i bërë punë Doshit, por mund ta shtyjë deri tek mitingu i së enjtes, kur shpreson një 14 Shtator, tanimë jo në emër të arkivolit prej druri të Azemit, por arkivolit prej letre të Tomës.

1 COMMENT

  1. Mark Frroku, Tome Doshi, Sali Berisha dhe Ilir Meta, sikur edhe “dorasi” ne fjale, t’i shtrohen “Lie detector”-it (Zbuluesit te rrenes). Mero Baze ben mire te jete me objektiv, jo çdohere vetem kundra nje personi – Berishes.

Comments are closed.