Dëshmia e Berishës në Ambasadën Amerikane: Kështu e vranë Azemin

0
64

Shekulli Online, 15.09.2010

Është kërkuar me insistim të rrëfehet si nga prokurorët ashtu dhe nga të akuzuarit por kurrë nuk ka denjuar të përballet me drejtësinë. Sali Berisha, asnjëherë nuk ka dëshmuar çfarë ai di mbi ekzekutimin e deputetit Azem Hajdari, paçka se pak kohë pas ngjarjes ai publikisht ka treguar se cilët ishin autorët e vrasjes. Megjithë fletë thirrjet nga trupi gjykues, Berisha kurrë nuk ka shkelur në dyert e gjykatës ku e vetmja dëshmi e tij mbi këtë ngjarje është ajo e dhënë në Ambasadën Amerikane në korrik të vitit 1999 me ndërmjetësimin e ish-ambasadorit amerikan Frouik. Në fakt më shumë se sa një dëshmi, është një rrëfim se si e ka parë, ose më mirë si e ka treguar, kreu i PD Berisha vrasjen e Azem Hajdarit.

Deponimi i Sali Berishës është bërë përpara ish -ambasadorit të SHBA në Tiranë Robert Frouik. Në fakt, ky ka qenë dhe misioni kyesor i ish- ambasadorit amerikan në Tiranë duke qënë se aso kohe Partia Demokratike kishtë kushtëzuar futjen e saj në Parlament me zbulimin e vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Dhe ish- ambasadori e ka filluar prej këtej punën e tij. Pas shumë përpjekjesh ai ka arritur të bindë Berishën të deponojë. Në këmbim ai ka ofruar se qeveria amerikane do të ushtrojë presion pranë autoriteteve shqiptare për zbardhjen e enigmës. E kështu palët kanë rënë dakord.

Më 19 korrik të vitit 1999 ish- ambasadori amerikan dhe kreu i PD kanë nënshkruar dokumentin që ne po e ribotojmë. Është i njejti tekst për të cilin konsullja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Susan p. Lively, shkruan: “Unë vërtetoj se dokumenti i bashkangjitur është kopje e vërtetë dhe besnike e origjinalit dhe se është shqyrtuar me kujdes nga ana ime, i krahasuar me origjinalin dhe është konstatuar se përputhet fjalë për fjalë dhe shifër për shifër”. I njëjti dokument i është dhënë edhe autoriteteve më të larta të vendit, Ministrisë së Drejtësisë dhe grupit special të prokurorëve që hetojnë vrasjen e Hajdarit.

Deponimi i Berishës

Por lidhur me këtë, këta të fundit kanë deklaruar: “Këtë deklaratë ne e disponojmë, por nuk kemi asnjë koment mbi përmbajtjen dhe punën që kemi bërë mbi të. Grupi i hetimit e ka thirur disa herë autorin e kësaj deklarate, Sali Berisha, me qëllim që këto pohime t’i bëjë përpara prokurorëve të këtij grupi, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Siç dihet, deri tani Sali Berisha nuk i është përgjigjur ftesës sonë. Në këtë mënyrë, deklarimet e tij të bëra para Ambasadës Amerikane nuk kanë asnjë vlerë për t’u paraqitur si provë në Gjykatë”.

Por gjithsesi ato kanë vlerë për publikun e gjerë, pasi konsiderohen si i vetmi variant zyrtar i PD i bërë publik deri më tani. Dhe që për herë të parë “Klan” po e boton të plotë. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhej në selinë e partisë në Tiranë në orën 9.15 (mbrëmje) kur dëgjoi të shtëna në rrugë, diku në anë të selisë. Berisha mori në telefon dhe u tha truprojave të tij që të shkonin dhe të hetonin menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Ishin qëlluar tre veta: Anëtari i PD-së në Parlament, Azem Hajdari dhe një nga truprojat e Hajdarit, Besim Çerja, vdiqën para se të mbërrinin në spital.

Truproja e dytë e Hajdarit, Zenel Neza, ishte plagosur rëndë, por i kishte mbijetuar atentatit. Pak më parë, po atë mbrëmje, Sali Lushaj, një anëtar tjetër i PD-së, i pranishëm në selinë e partisë, e ndeshi Hajdarin te shkallët e selisë, ndërsa Hajdari po dilte në rrugë. Hajdari i tha Lushajt se po dilte nga ndërtesa, me qëllim që të shihte një makinë të “dyshimtë”, që kishte parkuar përballë selisë së partisë. Lushaj e ndoqi pas Hajdarin drejt makinës dhe pa se një individ, të cilin e identifikoi si Jaho Salihi, shef i degës kriminale në policinë e Tropojës, doli nga makina dhe hapi zjarr me “kallashnikov” kundër Hajdarit. Lushaj, gjithashtu, identifikoi Feriz Kërnajën, Petrit Kërnajën dhe Fatmir Haklajn që ndodheshin në makina, të pranishëm në vendin e krimit.

Sipas dëshmitarëve të PD-së, me incidentin kishin lidhje edhe tri makina që ishin parkuar pranë selisë së partisë, kur ndodhi sulmi. Makina, nga e cila u qëllua, u identifikua si një Mercedes Benz, me ngjyrë gri të errët, me drita policie në pjesën e sipërme të saj dhe me targë VL 0676. U tha se makina i përkiste Fatmir Metës, drejtor i policisë së Tropojës dhe kishte brenda një radio të shërbimit të zbulimit shqiptar.
Të pranishëm në këtë incident ishin rreth nëntë persona. Midis tyre ishin edhe Ismet Haxhia dhe Adrian Krriqi. Fatmir Meta erdhi te selia e partisë dy ditë mbas incidentit dhe i tha anëtarit të PD-së, Lushaj, se, ndërsa ishte e vërtetë se makina në vendin e krimit ishte e tij, por Salihi dhe jo Meta e kishte çuar atë atje. Meta pretendoi se nuk ishte i përfshirë në krim.
Në një letër drejtuar PD-së, një grua që pretendonte se e njihte Fatmir Metën, insistonte se Meta kishte qenë “i tensionuar dhe nervoz” pikërisht gjatë ditëve para vrasjes. Ajo pretendonte se një vajzë shqiptare, me banim në Itali, kishte ardhur nga Italia në Shqipëri dhe kishte qenë në kontakt me Metën gjatë kohës kur u krye vrasja. U tha se kjo vajzë u largua menjëherë nga Shqipëria pas vrasjes.

Tri makinat që ishin të pranishme gjatë kohës së incidentit, u zhdukën. Një nga makinat, ka mundësi, të jetë braktisur pranë stadiumit të basketbollit të Tiranës. Tri makinat e tjera, sikurse u njoftua, u panë se morën rrugën drejt Veriut, menjëherë mbas incidentit.
Afro 30 minuta mbas vrasjes, Berisha njoftoi shtypin se Hajdari ishte vrarë nga një oficer i policisë, Salihi. Rreth 30 minuta mbas deklaratës së Berishës, ministri i Rendit Publik, Teta, i tha shtypit se autoritetet shqiptare kishin dy ditë që e kërkonin Salihin. Teta tha se Salihi nuk e mbante më postin e oficerit të policisë dhe se ai kërkohej nga autoritetet për një vrasje që kishte kryer. Teta urdhëroi arrestimin e Salihit atë natë që u vra Hajdari.
Po atë ditë që ndodhi incidenti, kryeministri Nano u kthye nga Lisbona. U tha se Salihi, Haklaj, Kërnaja dhe të tjerë e takuan Nanon, mbas kthimit të tij, në aeroport dhe e shoqëruan në Tiranë.
Afro dy javë mbas incidentit, 600 milionë lekë u transferuan nga Tirana në një llogari bankare në Tropojë. Paratë u vodhën në bankë nga disa njerëz, përgjegjës për vrasjen e Hajdarit. Vjedhja u njoftua në shtyp.

13 shtator 1998
Afërsisht rreth orës 7.30, paradite, ministri Teta mori një telefonatë nga Salihi. Salihi i tha Tetës se ai kishte qenë në zyrë në Tropojë dhe se po ushtronte detyrat e tij zyrtare policore. Një përfaqësues i OSBE-së i ka thënë një gazetari britanik, të identifikuar si Chris Ëennea, se Haklaj e kishte kaluar këtë telefonatë në një telefon që i përkiste OSCE-së dhe se kishte autorizuar për nevojat e policisë, mbajtjen e kontakteve me OSBE-së në rajon. Salihi i tha shtypit se ai kurrë nuk ishte larguar nga Tropoja një ditë më parë dhe se kishte qenë i sëmurë në shtëpi gjatë gjithë natës.

Drejtori i Policisë së Tropojës, Hykaj, i tha Ëenneas se, me kërkesë të ministrit të Rendit Publik , Teta, Hykaj kishte dërguar policinë për të verifikuar nëse Salihi kishte qenë në shtëpi natën e 12 shtatorit. Policia e Tropojës shkoi në shtëpinë e Salihit dhe zbuloi se ai nuk kishte qenë atje.
Mbrëmjen e 13 shtatorit të vitit 1998, shefi i SHIK-ut, Klosi, shkoi, me sa duket, me një shërbim urgjent pune në Himarë (Shqipëria Jugore).
Disa ditë mbas incidentit, Fisnik Sina, një gazetar shqiptar, shkoi te Berisha dhe i tha atij se ai i kishte folur Hajdarit rreth makinave të dyshimta përballë selisë së PD-së. Sina dhe Berisha ranë dakord se ishte e habitshme që Hajdari kishte shkuar vetë për të hetuar rreth makinave dhe nuk kishte dërguar vetëm truprojat.

Zenel Neza, truproja e Hajdarit që mbijetoi atentatin, pretendoi se ai nuk i njihte vrasësit, por, ndoshta, mund t’i identifikonte ata po t’i shihte. Neza i kërkoi Berishës që ta ndihmonte të siguronte azil politik jashtë Shqipërisë. Berisha e refuzoi, duke i thënë se, ndoshta, prokurori i shtetit do të kishte nevojë të merrte informacion nga Neza lidhur me rastin e Hajdarit. Neza vuri në dukje me vonesë se një ish-truproje e shefit të SHIK-ut, Klosi, i kishte propozuar atij që ta ndihmonte të fitonte azil politik; Berisha nuk e inkurajoi Nezën që ta bënte një gjë të tillë. Neza, i cili ka frikë për jetën e vet për shkak të asaj që di lidhur me rastin, fshihet në Shqipëri.
Disa kohë mbas vrasjes, Ferriz Kërnaja u shtrua në spital me depresion të thellë.

Politikanët që kishin dijeni mbi vrazjen e Azem Hajdarit

Pyetjet për Berishën e Pollon të bëra në vitin 2002 nga prokurorët e dosjes “Hajdari”

Prokurorët dhe hetuesit, që kanë hetuar për më shume së 30 muaj vrasjen e deputetit Azem Hajdari, aso kohe kish hartuar listën e pyetjeve për kryeministrin Berisha dhe për ish-nënkryetarin e saj. Megjithëse prokurorët kishin hartuar një sërë listash, për gati dy vjet që kanë zgjatur hetimet, asnjë prej drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike nuk kanë dëshmuar përballë organit të akuzës mbi ngjarjen që aso kohe tronditi në themel shtetin shqiptar. Ndërsa zyrtarisht drejtuesit e Partisë së kryesuar prej Berishës dhe Pollos aso kohe, pak çaste pas ngjarjes kanë dalë me një deklaratë, ku thuhej se autor i vrasjes ishte Jaho Mulosmani.Ndërsa, një ditë me pas, më 13 shtator të vitit 1998, sipas të dhënave të asaj kohë, Berisha ka vizituar Nezën në Spitalin Ushtarak dhe sapo është kthyer prej tij, është shprehur se vrasësi ishte Fatos Nano. Për këtë deklarim të bërë hetuesit prisnin shpjegime prej kreut të PD-së, që nuk u bënë kurrë.

Prokurorët prisnin që Genc Pollo, ish-nënkryetari i kësaj partie në vitin 1998, të sqaronte para trupit gjykues pse deklarata e natës së 12 shtatorit akuzoi si vrasës tropojanin Mulosmani. Pollo ka qenë dhe personi që pak çaste para se të ndodhte vrasja, ka takuar Sali Lushën. Ky i fundit sapo kishte folur me Azemin, që po fiksonte në pistoletë silenciatorin e tij, duke i thënë Lushes se selia mund të hidhej në erë nga persona të paidentifikuar. E më pas, Azemi ka dalë jashtë, ndërsa Lusha ka hyrë në zyrën e Pollos. Pak çaste më pas janë dëgjuar krisma. Gjithë ky moment pritet të dëgjohet nga goja e Pollos, në seancat gjyqësore. Përveç Berishës dhe Pollos politikanë të thirrur për të dëshmuar mbi ngjarjen kanë qënë dhe ish-ministri i Drejtësisë, Arben Imami dhe Vili Minarolli.