DER STANDARD: Nuk duhet të jesh ekspert të kuptosh se Shqipëria është në krizë ekonomike.

0
61

TemA

Vendi, i gjithi në duart e Berishës

Ky është një reportazh i botuar në versionin print nga gazeta e njohur austriake. Në ditën kur kryeministri Sali Berisha flet për mrekulli ekonomike, gazetarja e Der Standard thotë se kriza është ulur këmbëkryq në vend. Ajo i quan zgjedhjet lokale katastrofë e thotë se shqiptarët po humbasin shpresat për ndryshim.

16 minatorë janë prej ditësh në grevë urie. Këta burra, të ngujuar 1400 metra poshtë nën tokë në minierën e kromit në Bulqizë, kërkojnë nga punëdhënësi i tyre, sipërmarrësi austriak DCM Decometal, që të rrisë pagat me 20 përqind. Minatorët marrin në muaj rreth 280 euro rrogë dhe 3.60 euro në ditë për ushqim.

Edhe pse kryeministri Sali Berisha prej vitesh thotë se Shqipëria ka mbetur e paprekur nga kriza ekonomike botërore, ai vetë u detyrua të miratojë një paketë të plotë shkurtimesh. Nuk ka nevojë të jesh ekspert për të dalluar që vendi është në krizë. Shitësit e frutave dhe perimeve në Tiranë shpesh qëndrojnë deri natën vonë në kasollet e tyre për të fituar pak lek më shumë. Shumë sipërmarrës të vegjël ankohen se shqiptarëve u kanë mbaruar lekët.

Njëkohësisht elitat ekonomike në lagjen luksoze Blloku në Tiranë, nuk e kanë lënë pas dore pasurimin. Mes lokaleve luksoze, në të cilat pinë koktejle njerëzit e veshur me rroba të shtrenjta, qarkullojnë makina të mëdha me xhama të zinj. Për njerëzit e Bllokut vlejnë të tjera rregulla. Katër përqind e shqiptarëve zotërojnë 55 përqind të pasurive në banka. Berisha kishte premtuar para disa vitesh se do ndalonte makinat me xhama të zinj- një simbol i klasës së pasanikëve të rinj, të cilët i bëjnë paratë në mënyrë jotransparente e janë të pandëshkueshëm. Në fakt një gjë e tillë nuk ndodhi.

Shqipëria njësoj si Greqia ka problemet e thella strukturore. Punonjësit e shtetit emërohen sipas përkatësisë partiake. E kur ndryshon pushteti, ata ndërrohen, siç po ndodh tani në Tiranë, ku pushtetin e ka Partia Demokratike.

Por edhe mediat private drejtohen në pjesën më të madhe nga partitë. “Gazetarët veprojnë si në kohën e diktatorit Enver Hoxha,” thotë publicisti Fatos Lubonja. “Ata bëjnë propagandë”.

Partitë kanë ndikim jo vetëm në administratë, shkolla, polici, ushtri e media, por edhe tek sipërmarrja private, e cila është e varur nga sistemi. Nuk mungon vetëm demokracia, por edhe konkurrenca e lirë. Kjo do të ndryshonte vetëm nëse Shqipëria do të ndërmerrte reforma të dhimbshme që kërkohen nga BE. Në asnjë vend tjetër nuk është më e madhe përkrahja ndaj anëtarësimit në BE si këtu.

Por procesi i numërimit të votave në zgjedhjet lokale në maj dhe lufta brutale politike mes dy burrave të fortë, Berisha dhe shefi i socialistëve, Edi Rama, tregon se klasa politike nuk është e prirur për reforma reale. Më mirë vazhdohet me një shfaqje publike.

Popullsia në Shqipëri është e frustruar dhe nuk është më gati që të dalë në rrugë për njërin ose tjetrin. Pas zgjedhjeve lokale katastrofike, që shiheshin si një test për demokracinë, Shqipëria nuk do e marrë statusin e kandidatit për në BE siç shpresohej. “OSBE duhej të kishte kërkuar së paku përsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë,” thotë Lubonja.

Shqipëria sot në pjesën më të madhe është në duart e Berishës. “Anija është anuar në një anë,” thotë Lubonja. Partitë janë kujdesur në vitet e shkuara që të dobësojnë, pengojnë apo blejnë institucionet e tilla si drejtësia, shoqëria civile, media dhe presidenti, të cilat mund ta mbajnë anijen në kursin e duhur. Përmes ndryshimeve kushtetuese, roli i presidentit dhe pavarësia e komisionit të zgjedhjeve janë zvogëluar.

Qytetarët janë të varur nga vullneti i partive në rast se duan një vend pune ose duan të mbajnë banesën e tyre. Dhjetëra mijëra banesa në Tiranë janë ilegale, njerëzit janë lehtësisht të shantazhueshëm. Shqipëria, njëzet vite pas fundit të izolimit total në një diktaturë staliniste, po përpiqet të gjejë rrugën e saj në botë.