DËNIMI PA AFAT

0
28

Rexhep Kasumaj, Berlin, fror 2014

(Një promemorje për Fishtën e shpërfillur)

1.
Ndërsa kthehej në shtëpi, tashmë i liruar nga burgjet ku ishte kalbur një jetë të tërë, At Zef Pllumi do të ndalonte një çast mbi një urëz, poshtë së cilës rridhte rrëke uji, e prajshme dhe e vjetër. Dhe i menduar, ofshante me deshpërim: asgjë e re, po ai uji, po ajo botë… O Zot, si ishte e mundur që njeriu të kishte mbetur poaq barbar si tash e 4000 vjet më parë!…

Njëmend, si është e mundur? Dhe si është e mundur, veçanërisht, një barbari e tillë e njeriut shqiptar! E njeriut që vijon ende ta mbajë në vuajtje dënimi pa afat poetin kombëtar, Gjergj Fishtën: fjalën dhe frymën e tij të amshuar. “Nji kryq drunit, t’kjosha true…” e asgjë më shumë. Madje dhe ai i përdhosur urrejtshëm nga turma flamurtarësh të paemër e hallakatur, të mnirur e inferiorë, të “botës së re”.

Tek fliste për anatemen politike të Poetit dhe riardhjen e tij nga vdekja, Aurel Plasari thoshte bukur se “jo veç Fishta duhet të gjejë vëndin që i takon, por letërsisë shqipe duhet t’i kthejmë atë që i mungon..! “Vota e dashurisë” që Aureli kërkonte për traditën letrare, do të jepej e kursyer ose e padrejtë. Ndërkaq tani flasim për njëlloj tjetër pieteti, për një tjetër kujtesë të shkrimtarit të madh. Në botën e emancipuar ngado shihen pllaka përkujtimore sipër muresh e portash, pas të cilash kanë jetuar krijues, dijetarë e prijës të shquar. Ato evokojnë çdo gjurmë, krajatë e dhimbje të tyre, si promemorje nderimi për breznitë që vijnë.

2.
Si u bë, prandaj, që afro tre dhjetëvjetësha të pastiranisë, shtëpia e Homerit të shqiptarëve të mbetet një gurinë gjysmë e rrëzuar?
Kryehershëm, komunistët do ta poentifikonin atë si pinjoll të anës përballëse të barrikadës gjatë Luftës së dytë, kur pat nisur të hidhte rrënjë rendi i tyre. Tevona, rolet sërish do të fortifikoheshin pse, derisa Poeti mallkonte artistikisht dyndjen e re dhe të përgjakur të fiseve sllave në pragjet arbnore, ata shejtorët e së kuqes, tashmë të betuar në faltoren e internacionalizmit proletar, shpallnin dashurinë vëllazërore me bijtë mashtrues e dhuntarë të tyre.

Pas rënies së dinastëve, kur pritej me ngazëllim rikthjellimi i arsyes, do të përsëdytej gjëma: dënimi vijonte e s’kish të sosur kurrë. Guvernat e pasandejme të agut të quajtur lirak, do t’shpërfillnin të gjitha njësoj Korifeun e ndaluar! Nëse më parë ekskomunikimi i tij ishte i tipit censural, më pas do t’ishte i tjetër forme. Titani braktisej në harrim: me shtëpinë, bibliotekën, gjuhën, varrin… Shurdhimi nuk kje asnjëherë çështje limitesh (donatorët, vullnetmirët…) të arkës së shtetit. Nuk mund të ishte as pasojë e obskurancës shfajsuese.

Megjithatë, inercia e mendësisë klasore dhe klanësore, si një ndëshkim i epërm, do t’çojë prapë në përfundimin se kjo, në një kuptim, është eminentisht një klimë dhe gjëndje e përndritjes së vobektë kolektive. Një shkollë e mirënxënë e revanshizmit bolshevik të hatruar e të dyfishtë: politik, për shkak të dogmës dhe kulturor, për shkak të smirës ndaj letrave sipërore të klubit të iluminuar françeskan. Ngjan i habitshëm, sidomos, mohi i së djathtës që kryesoi politikën shqiptare me dorën dhe vullnetin e hekurt për gati 13 vjet radhas.

Më saktë, i shtetarit të saj të parë që do të duhej të kishte ruajtur në konstitucionin e tij shpirtëror zjarrin vullkanik dhe muzikën shungulluese të vargjeve fishtjane apo kulturën e madhërishme të kullave dhe hijerëndën e tyre!..Por, meqë pothuajse të gjithë ishin ngjizur e vinin nga e njëjta epruvetë, aherë në qendër të shpjegimit s’ka si t’mos qëndrojë trashëgimia e moteve të komunizmit, tek shtjellet akoma në trajta e ngjyresa të gjithëfarshme alternuese. Persekucioni i kuq do ti linte, ngadalë, vëndin – heshtjes së zezë dhe mpirjes së verdhë, simbole të dekulturimit paradoksal në epokën e dijeve dhe interferencave globaliste.

Ka tretur shumë kohë, kohë e rikëndelljes kombëtare dhe (si më ka rastisur të lexoj diku) vetëm pasunarët, veç e bashkë, arrijnë të kompensojnë shpejtësisht atë. Qëndrimi ndaj postamentit material të Fishtës është, në fakt, qëndrimi ndaj kulturës, e pra, ndaj vetë kombit dhe finikërimit të tij. Kurse përbuzja e tij e ultë, për pasojë, jep mnerisht atë shenjë qytetnie zhelane ndër shqiptarë që, si do shkruajë Kamy (“Letra mikut gjerman”), kanë humbur keq ekuilibrin mes shpatës e shpirtit në miljeun e gjatëpritur të lirisë, thuase robnia e shekujve i shkonte më mirë e harmonishëm shtatit të tyre.

3.
Gurina e mbetur nga shtëpia e Fishtës është, që këndej, dhe një metaforë e kulluar e përceptimit të Europës dhe refuzimit të saj të fshehtë. Hipokrizia e kastave politike tharmohet, ashtu, në një pozicionim të dyfishtë: fjalamani e bezdisshme me gjuhë e apotheozë epike, për reintegrim në strehën e kombeve të bashkuar të saj dhe, njëherësh, tkurrje autarkike, braktisje e kriptuar e shtegut të largët përmes prishjes brutale të ëndrrës së njeriut të vogël e të pafaj të nënqiellit të tyre. Eshtë e njohur, ndërkaq, se çdo krizë sociale a politike, në imanencën e saj s’është, veçse gjenealogjiksht, krizë etikës. Pikërisht ky rrjedhon të jetë defekti i ndërgjegjës së amullt demokratike dhe i higjienës së munguar nacionale të Shqipërive të shumta lumturake.

Porse e keqja fantaziplotë, përveç si makth i përzgjatur i diktatit njëmendimësor, redimensionohet tani në rrafshin tjetër përplotënues, gjithnjë humbës e të lig, në pellgun e dyzimit identitar, që bën kurorën verbuese të saj: duan vallë shqiptarët të rimbyllen në autarki ose, nga skaji i kundërt i absurdit, të katapultohen (si do ti përkufizonte Bassam Tibi) në “hixhra-misionarë”, të programuar? Në përçues e flijues absurd për zemrën e doktrinës së huaj e cila pretendon alternativën e vetme universaliste e mohimtare të “Europës së pafe”?! Apo, si e do interesi dhe mesazhi i lashtë, të bëhen, krejt mirë e natyrshëm, “qytetarë civiliteti”, individualistë e kultivues të lirë fatesh të saj!
Vrujimet përshfaqin çarje e hamendësim orientimor dhe kjo është, definitivisht, krusma e trishtimit të vërtetë: sëmbimi dhe terri i tij i kafshues. Një vetëmohim i çuditshën negativ në dishrimin e egër për zhbërje entuziaste të krijesës amtare!

“Dantja nuk e ka shkruar Komedinë hyjnore për ju, po për ne”, i pat thënë At Pllumi (sipas rrëfimit të Kadaresë) një mikut italjan gjatë një evenimenti letrar në Tiranë, pak para se të ndërronte jetë. Mjerisht, monumenti i gjallë i rezistencës që ishte zotuar të “rrnonte për me tregue”, kishte sërish të drejtë. Shqiptarët që kanë mbuluar Poetin sublim me pëlhurën e qefintë të mosqenies, janë ende brënda, gjithmonë banorë të saj!