Dr. Thanas L. GJIKA
Lexova në gazetën TEMA shkrimin e z. Daniel Korski anëtar i lartë i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me jashtë. U trondita kur lexova fragmentin: “BE duhet të bëjë të qartë se politikanët shqiptarë duhet të distancohen nga përdorimi i dhunës dhe t’i japin fund shkatërrimit të institucioneve të shtetit.
Nëse jo, atëherë shqiptarët do të humbin të drejtën për të lëvizur pa viza në Europë dhe vendi do të harrojë çdo shans serioz për një anëtarësim në BE. Madje dhe anëtarësimi i vendit në NATO mund të jetë në rrezik. Ky frangment tregon se kupola komuniste që drejton dy partitë kryesore, PS-në e PD-në, ia ariti qëllimit kryesor: nga njëra anë e prishi dhe një herë imazhin e Shqipërisë në botë, dhe nga ana tjetër e ngriti në një nivel të ri armiqësimin e popullit shqiptar të ndarë në dy kampe.
Të dy kampet e shikojnë njëri tjetrin me po atë armiqësi që e shikonin gjatë diktaturës pjesa besnike e partisë komuniste pjesën tjetër të popullit tëshpallur armike të partisë. Ky fragment tregon se u shty për në kalendat greke anëtarësimi i Shqipërisë në Europë, madje mund të bëhen hapa prapa duke u riparë anëtarësimi në NATO dhe lëvizja pa viza. Pra sot, edhe një herë iu dha rasti kupolës komuniste të fërkojë duart e t’u thotë të huajve: “Shqiptarët e kishin hak diktaturën tonë”.
Fakti që drejtuesit e pozitës dhe të opozitës nuk po kërkojnë të falur dhe nuk i dënojnë shkeljet që bënë, tregon se ata e kanë dashur dhe e kanë synuar këtë katraurë. Ata dhe pronarët e tyre e duan anarkinë dhe mos futjen e Shqipërisë në Europë. Vetëm në anarki ata mund të vijojnë pasurimin e tyre dhe të besnikëve të tyre pa dhënë llogari. Hyrja në Europë nuk iu vjen për shtat sepse në atë bashkësi pasurimi i qeveritarëve është i kontrollueshëm e dënohet kur është i paligjshëm.
Në rast se ish kupola komuniste nuk telekomandon konkretisht drejtuesit e pozitës dhe opozitës, atëhere do të thosha se fajin e ka mendësia komuniste, mendësia sipas së cilës vetëm partia ime ka të drejtë, ai që mendon ndryshe është armiku im, ai duhet të bindet e nënshtrohet, përndryshe duhet luftuar e asgjësuar. Mendësia komuniste, mendësia e ndëshkimit të mendimit ndryshe erdhi në Europë mbas krijimit të partive komuniste, sidomos pas ardhjes së tyre në pushtet. Ato e ndanë popullin në dy kampe: populli besnik i partisë dhe armiqtë e partisë e të popullit.
U quajtën besnikë të partisë ajo pjesë e popullit që përqafoi propagandën e partisë dhe i shkoi pas gojëkycur. U quajtën armiq të popullit gjithë ata shqiptarë që nuk i shkuan pas propagandës së partisë dhe hapën gojën kundër saj. Kjo pjesë u eleminua mbas marrjes së pushtetit dhe u internua nëpër kampe pune e burgje, “për të mos infektuar” pjesën tjetër të popullit dhe për ta mbajtur këtë pjesë nën frikë. Duke qenë Shqipëria një vend i varfër, shumë i prapambetur tek i cili kishin lënë gjurmët e tyre zgjedhat e huaja shumë të gjata, pjesa që i shkoi pas PKSH-së gjatë Luftës Antifashiste dhe gjatë viteve 1944-90, përbënte shumicën e popullit.
Përmes propagandës së fuqishme dhe terorit u mboll ideja se komunizmi do të ishte i përjetshëm në Shqipëri dhe në gjithë kampin socialist, madje atij i përkiste e ardhmja e gjithë shoqërisë njerëzore. Mirëpo ecuria ekonomike e këtij sistemi shoqëror që nuk e përfilli natyrën e njeriut si qenie intersi dhe që autoritetin e vet e krijoi mbi frikën e terrorin, erdhi duke rënë. Interesi, leverdia personale e familjare dhe liria, kanë qenë e janë energjia motorike që e ka vënë dhe e vë në lëvizje shoqërinë njerëzore. Kështu në vitet 1989-91 ndodhi ajo që pritej: shkërmoqja e diktaturave komuniste në Europën Lindore.
Mirëpo kjo shkërmoqje e diktaturave komuniste dhe instalimi i demokracisë në Europën Lindore, pra dhe në Shqipëri, u zhvilluan sipas skemave të paramenduara të Gorbacovit. Pushteti politik të lëshohej përkohësisht dhe të punohej për fuqizimin ekonomik të klanit komunist, pastaj të rimerrej pushteti e të sundohej me sllogane të reja në kushtet e ekzistencës së pluralizmit e të pronës private, ku politikanët dhe biznesmenët kryesorë duhet të jenë ish komunistë, ish sigurimsa dhe besnikë të tyre.
Me këtë strategji ka ecur tranzicioni në Europën Lindore deri më sot. Ish komunistë e ish sigurimsa edhe në Shqipëri përbëjnë sot shtresën kryesore të politikanëve. Këta punojnë sipas strategjisë gorbacoviane për të bërë sa më shumë tym e mjegull, për të krijuar një përcarje në popull duke ushqyer tifozllëkun e sëmurë. Kjo ka sjellë një ndarje deri në armiqësi të popullit tonë me pasoja shkatërrimtare.
Ne shqiptarët duhet të mos harrojmë se jemi populli më i abuzuar i kontinentit europian. Gjatë këtyre dy mijë vjetëve të fundit zgjedhat e huaja tepër të gjata, asimilimi prej fqinjëve e faktorë të tjerë na kanë bërë që të kemi katandisur në një popull të vogël, që rrezikohet të shbëhet. Pra duhet të mbledhim mendjen e të gjykojmë me seriozitet sesi mund të shërohemi prej mendësisë komuniste, prej tifozllëkut të sëmurë, prej armiqësimit artificial, që na e mbolli ideologjia e praktika komuniste.
Ne mund të shpëtojmë nga shkatërrimi e të shërohemi nga këto sëmundje duke iu larguar propagandave partiake, duke iu larguar disiplinës partiake, duke dëgjuar ndërgjegjen tonë qytetare e atdhetare më shumë se urdhërat e kryetarëve të partive ku aderojmë a simpatizojmë. Të veprojmë jo si është më mirë për partinë, por si është më mirë për shoqërinë, për Shqipërinë. Parimi komunist: Interesat e partisë mbi të gjitha, duhet zëvendësuar me parimin atdhetar: Interesat e atrdheut mbi të gjitha!