ResPublica.al, 23 prill 2013
Është bërë proverbiale një intervistë e televizionit “Albanian Screen” me një “demokrat” të varfër. Gazetari e pyet se për kë do votojë. “Demokrati” përgjigjet se do votojë për Berishën. Dhe shpjegon se Berisha është demokrati më i madh në botë, se do votojë për të që të mos vijë në pushtet “komunizmi”. Shton se është shumë i kënaqur nga qeverisja e kryeministrit Berisha. Por kur gazetarja e pyet se si është për nga gjendja ekonomike, demokrati përgjigjet: Pa punë, vetë i katërt pa punë dhe me 40 mijë lekë (të vjetra) përkrahje!
Historinë e tregon sot Andrea Stefani në një opinion botuar në të përditshmen SHQIP, ku i drejtohet “masës së mbështetësve të PD-së” për të cilët – shkruan Stefani – “pas rënies së regjimit komunist dhe kultit të diktatorit Enver Hoxha, një kult tjetër u ngrit, kulti i Sali Berishës si “demokrati më i madh në botë”.
Shkruan Stefani ndër të tjera: “Shqipëria doli nga komunizmi, por jo nga epoka e “idhujve me krena”. Një dukuri që provon se në trutë e jo pak shqiptarëve nuk qe ndezur, madje nuk është ndezur akoma, llamba e arsyes për të kuptuar se ardhmërinë e begatë të një kombi, nuk e përgatit një lider, një Mesia, por institucionet jopersonale lirimbrojtëse. Prandaj Shqipëria mbetet e varfër. Ndërkaq, merita e vetme që një lider mund të ketë në mbrothtësimin e një kombi, është pikërisht kontributi për të themeluar këto institucione shpëtimtare….
“Demokrati” i gjorë nuk shikon asnjë lidhje mes gjendjes së tij të mjeruar dhe keqqeverisjes së kryeministrit! Sepse arsyeja e tij është në gjumë. Ai e do Sali Berishën tej së mirës dhe së keqes… Dhe janë pikërisht këta shqiptarë, që pa e kuptuar as vetë, bëhen pjesë e së keqes banale, themeli dhe betoni i diktaturave, i unitetit të “popullit” rreth liderit ku thyejnë kokat të gjithë armiqtë e liderit dhe partisë që në fakt, shpallen “armiq të popullit” sepse duan lirinë e popullit…” a.n.
Andrea Stefani: IDHULLI BERISHA, OSE PËRBINDËSHI I ARSYES SË FJETUR







