Demokratët ‘kryqëzojnë’ Mesila Dodën/ Deputetja: S’është krim t’i japësh dorën kryeministrit

0
59

Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, ka sqaruar dje në “Facebook” se nuk ka qenë e ftuar në ceremoninë festive të organizuar nga selia blu me rastin e Ditës së Rinisë në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.

Ajo e ka bërë të ditur këtë fakt gjatë një replikë që ka pasur në rrjetin social të FB me ish- drejtorin e Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj.

SIMON MIRAKAJ: Znj. Doda, më habiti pak prezenca juaj në festimet e 8 Dhjetorit përkrah Ramës dhe jo përkrah kryetarit Basha, që përfaqëson të djathtën shqiptare.

MESILA DODA: Z.Simon, isha përkrah miqve të mi të Dhjetorit, të cilët kanë të drejtën të ftojnë gjithë klasën politike. Nëse aty ishte i ftuar edhe Edi Rama, ky nuk është problemi im, sepse unë kam vendin tim në Lëvizjen e Dhjetorit, madje di të mbaj në çdo rast qëndrimin që më përket si opozitare.

MESILA DODA: Dhe sa për kuriozitet meqenëse kishe pyetje për çështjen, ftesa e ardhur nga Lëvizja Studentore ishte e vetmja ftesë që më kishte ardhur në këtë përvjetor.

SIMON MIRAKAJ: Ne sot ishim me dhjetoristët dhe vumë nga një lule tek busti i Azem Hajdarit te Qyteti Studenti. Mospjesëmarrja e juaj atje apo te Asllan Rusi më bëri që t’ju drejtohem sepse kam shumë respekt për ju.

Pas debatit të ndezur në media, deputetja Doda reagoi sërish në Facebook, duke theksuar se ajo nuk është ftuar nga kryeministri, por nga miqtë e saj të Dhjetorit.

“T’i japësh dorën kryeministrit nuk është krim e për më tepër të qëndrosh në një aktivitet me të nuk konsiderohet vepër e gabuar. Kjo është një botë ku takohen Thaçi dhe Daçiç, ku takohen në dreka e darka formale dhe informale familjare liderët kundërshtarë. Është diçka që unë do të vazhdoj ta bëj në respekt të bindjes sime, që edhe me kundërshtarin duhet të sillesh me dinjitet dhe qytetarisht,” shkruan Doda.

Gjatë ceremonisë, Rama ka bërë një batutë me Mesila Dodën.

“Për Enverin e vdekur kemi qenë me Mesilën dakord qysh atëherë; aty ku jemi ndarë gjithë këto vite është tek Enveri gjallë”, tha Rama.