Arben Malaj, 31.07.2010
Të gjithë shpresuam se zh villimet demokratike pas viteve ’90 do të kishin një trend gjithnjë e më pozitiv. Qeverisja e vendit do të bazohej tek institucionet e forta dhe jo tek individët e fortë. Ndarja e pushteteve dhe kontrolli i tyre do të ishte në thelb të funksionimit kushtetues të vendit. Liritë themelore do të zgjeroheshin gjithnjë e më shumë dhe do të garantoheshin gjithnjë e më mirë.
Liria e fjalës, liria e votës, liria e medias, do të ishin bërë pjesë e vetëdijes sonë kombëtare. Liria ekonomike do të ishte më e garantuar, liria e pronës, e drejta e punës, kohezioni social, rritja e mundësive të barabarta për punë dhe biznes, liria nga monopolet, nga korrupsioni, nga abuzimi i qeverive do të ishin liritë e përditshme të çdo shqiptari. Liria ekonomike do të garantonte më mirë rritjen e mirëqenies dhe zhdukjen e varfërisë.
Këto janë rrënjët e inspirimit të çdo kombi që lufton për demokraci dhe që e meriton demokracinë.
Kanë kaluar jo pak, rreth 20 vjet, po të ballafaqosh sot pritshmëritë me realitetin politik dhe ekonomik të Shqipërisë së 2010, pa mohuar disa arritje, duke parë edhe krizën aktuale shumë dimensionale, ndoshta është e vështirë të mos pranosh zhgënjimin ndaj pritshmërive dhe të fshehësh pasigurinë ndaj disa trendeve përkeqësuese.
Më konkretisht, institucioni i Presidentit të Republikës i cili sipas Neni 86 të Kushtetutës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit, gjithnjë e më shumë ndodhet nën një presion të maxhorancës, nga e cila është mandatuar. Atributet kushtetuese të Presidentit, për të emëruar apo propozuar anëtarë dhe drejtues të institucioneve kushtetuese, po cënohet rëndë çdo ditë. Mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar dhe votimi kundër ndaj kandidaturave të tij po bëhet gjithnjë e më kategorik. Maxhoranca parlamentare po e keqpërdor shumicën e saj numerike për të bllokuar propozimet e Presidentit.
Kjo bëhet jo thjesht për të rritur cilësinë e të propozuarve, por për të mos mbështetur asnjë kandidaturë që nuk ka marrë paraprakisht bekimin e tyre, ose që nuk garanton besnikërinë partiake ndaj tyre. Votimet e fundit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, lehtësisht qartësojnë thelbin e votimit pro dhe kundër.
Gjyqësori – kriza institucionale ka dëmtuar rëndë kredibilitetin dhe efikasitetin e gjyqësorit shqiptar. Vlerësimet e opinionit publik shqiptar dhe të institucioneve ndërkombëtare konfirmojnë shkallën e lartë të korrupsionit në Gjyqësor.
Keqpërdorimi i këtyre vlerësimeve, për të vënë nën kontroll partiak çdo emërim në Gjyqësor, rrezikon që ta rrisë impaktin negativ të korruptimit partiak, të një prej pushteteve më të rëndësishme të demokracisë. Besueshmëria e ulët publike tek Gjyqësori është një pengesë reale për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend.
Parlamenti – në një Republikë parlamentare, kontrolli i legjislativit do të duhet të ishte kritik, për të përmirësuar funksionimin e pushteteve të tjera. Por Parlamenti shqiptar ndodhet në krizën e tij më të rëndë, që prej 1991. Ka një vit që Parlamenti funksionon administrativisht – merren mungesat – por nuk funksionon politikisht. Parlamenti ka rreth një vit që funksionin si një forum partiak i maxhorancës, por jo si një vullnet i qartë i votuesit popull. Ndryshimet e funksionimit të Parlamentit, që aplikohen jo vetëm për deputetët e PD, votohen unanimisht vetëm nga deputetët e PD-së.
Nuk ndodh në asnjë Parlament tjetër të Europës në zgjerim, që të mos votohen të gjitha kandidaturat e propozuara për në institucionet kushtetuese. Çdo kandidaturë alternativë fiton apo humbet vetëm pas votimit nga deputet. Mospërfshirja në garë nuk është një sjellje thjesht jo demokratike, por një arrogancë tipike e një maxhorance anti-demokratike.
Nuk ndodh në asnjë Parlament të vendeve potenciale, për t’u bërë pjesë e Europës së Bashkuar, që për rreth një vit opozita të mungojë apo të marrë pjesë part-time në Parlament, apo të largohet nga votimet në Parlament. Ndaj kriza e Parlamentit kërkon zgjidhje të menjëhershme.
Nuk ndodh në asnjë Parlament të vendeve demokratike, që diskutimi i buxhetit të kufizohet me orar diskutimesh të paracaktuara, kur është i vetmi ligj për të cilin Kushtetuta dhe rregullorja kërkon transparencë mediatike.
Nuk ndodh me asnjë Parlament, as të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, që votimi nen për nen i buxhetit të bëhet duke ndaluar diskutimet e opozitës, dhe votimi të marrë trajtën e një recitimi të nxituar të neneve të ligjit.
Ekzekutivi – sot jemi në momentet kritike, ku abuzimi me ligjin, abuzimi me administratën publike, ku rritja e përgjakshme e korrupsionit, ku kapja e shtetit, ku risku i rritjes së influencave korruptive dhe të influencave, deri edhe nga krimi i organizuar, po dëmtojnë rëndë jo vetëm demokracinë, ekonominë, por edhe sigurinë e vendit.
Kemi një maxhorancë qeverisëse, e cila edhe pse mburret për anëtarësimin në NATO, sapo vendi bëhet pjesë e NATO-s, nuk zbaton parimin themelor të çdo anëtarësimi, nuk zbaton parimin e ndarjes së sovranitetit, por kërkon, siç ndodhi me ligjin e SHISH, ta qeverisë vendin anëtar të NATO-s, me filozofinë e të parit të konakut.
Këto janë disa nga momentet kryesore të krizës institucionale të institucioneve kushtetuese të vendit tonë, të cilat n.q.s nuk ndalen, mund t’i përkeqësojnë liritë tona politike dhe ekonomike.
Kostoja më e madhe e kësaj krize është kostoja e kohës së humbur, që ushqehet nga kostoja e zhgënjimeve, nga kostoja e dështimit të institucioneve, nga kostoja e vështirësive në rritje, për t’u ndjerë i lirë për t’u shprehur, i lirë për të votuar, i lirë nga varfëria shpirtërore dhe ekonomike.
Ja pse është kaq jetike, për t’i dhënë fund demokracisë pa rregulla dhe pa moralitet, për t’i dhënë fund demokracisë pa institucione apo me institucione në krizë të përhershme dhe gjithëpërfshirëse.