Dr. Mandeta Minxhozi, 26.01.2012
Në një demokraci nuk duhet të ndodhë që një lideri t’i jepet aq shumë pushtet për një kohë aq të gjatë sa të bëhet i gjithëfuqishëm dhe t’i ketë të gjitha pushtetet, por duhet të ushtrohet parimi i demokracisë “check and balance” (kontroll dhe ekuilibër). Po ashtu, as një institucion i vetëm nuk duhet të ketë të gjitha pushtetet. Në një demokraci të vërtetë nuk ndodh që pushtetet t’i ushtrojë as një njeri i vetëm dhe as një institucion i vetëm. Roli i shoqërisë civile, i medias do të ishte shumë i vyer në këtë kontekst për të vëzhguar hap pas hapi dhe për të mos lejuar kultin e individit.
Por këtë kontribut mund ta japë ajo pjesë e shoqërisë civile dhe e medias që është e “pakapur” nga paratë e pushtetit dhe jo një shoqëri civile, OJF apo media që ja mbush kontot pushteti mbi baza korruptive, kleringu apo si trafik influence, dhe po i njëjti pushtet bën gjoja sikur ua kontrollon transparencat financiare. Nëse pushteti përqendrohet në një person apo bëhet fakt kulti i individit, kjo është shenjë ose karakteristikë e diktaturave dhe me të drejtë edhe trojka ndërkombëtare është e shqetësuar për standardet e demokracisë në Shqipëri.
Kur lideri politik bëhet sadist
Kur një lider rri gjatë në pushtet dhe i jepet aq shumë pushtet, krijon një varësi shumë të fortë nga paraja. Kur kjo ndjesi makutërie ndaj parasë e mbisundon arsyen, atëherë ky tip lideri me vullnetin e tij të lirë jo vetëm që nuk e ka dot moralin që të tërhiqet nga pushteti dhe të pranojë që ka udhëhequr sipas së keqes dhe jo së mirës, se ka bërë më tepër vepra të këqija për popullin e tij sesa të mira, por madje ky tip lideri mund të bëhet edhe më agresiv në luftën për të mos dorëzuar pushtetin e tij, aq sa të shfaqë edhe prirje sadiste forma të së cilës janë; dëshira për të pasur një pushtet absolut dhe të pakufizuar me qëllim që t’i bëjë të tjerët instrumente të varura prej tij; dëshira që konsiston në impulsin për t’i përdorur dhe për t’i shkatërruar instrumentet e tij pasi i ka përdorur; dëshira për t’i bërë instrumentet e tij të vuajnë dhe për t’i parë duke vuajtur. Lideri sadist i “dashuron” ata mbi të cilët ndjen se ushtron një pushtet dhe në të vërtetë ky i “dashuron” sepse i sundon. Ai mund t’u japë instrumenteve të tij gjithçka, përveç të drejtës për të qenë i lirë dhe i pavarur.
Politikat e PD mes të resë dhe së vjetrës
Në politikën e PD, një pjesë e burimeve të reja si ato të KOP-it u promovuan nga e vjetra në PD, madje nuk u ndje sherri mes të resë dhe së vjetrës. Kjo u duk në faktin që këto burime të reja u promovuan në poste të larta, deri në qeverisëse. Përfshirja e burimeve të reja në PD nuk solli fraksione aq të forta në PD sa ta përçanin dhe ta çonin deri në humbje të pushtetit (përveçse ndonjë i larguar tek tuk). Nëse mund të thuhet se sherret në PD ekzistojnë, por nuk bëhen publike përsëri këtu kemi të bëjmë me një strategji të ruajtjes së kontrollit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore në PD, ku jo çdokush mund të dalë sipas qejfit në publik me kritika ndaj kryetarit, por të shfaqen si një e tërë para popullit, dhe jo të përçarë. Kjo strategji e liderit të PD minimalisht nuk i ka sjellë PD rrjedhje votash. Sigurisht që duket se lideri i PD është bërë “mjeshtër” në ndarjen e pushteteve brenda llojit dhe jashtë ku të duket se e ka përqafuar mirë teorinë e sociologut Weber për pushtetin se, “pushteti është një raport forcash, aleancash, madje aleancash të ndyra”. Dhe kështu mbyll ciklin lideri i PD pa lënë vend për komente publike.
Politikat e PS mes të resë dhe të vjetrës
Në PS një pjesë e burimeve të vjetra ka qenë e trashëgueshme nga një parti më e vjetër, ajo e Partisë së Punës dhe duke trashëguar pasurira dhe duke qenë të përkëdhelur nga pushteti qendror dhe privilegjet ekonomike një pjesë e burimeve të vjetra në PS e kanë pasur më të vështirë të përfshijnë në pushtet të rinjtë. Kjo përbën një ndër arsyet, por jo të vetmen, pse e vjetra me të renë nuk po ndërtojnë dot një ekuilibër vlerash në PS. Nga ana tjetër, disa nga burimet e reja që u promovuan si deputetë në PS nuk fituan dot votëbesimin e më të vjetërve, pasi disa prej tyre nuk e kishin krijuar profilin e tyre publik, duke mos qenë të njohur në fushat e tyre. Kjo krijoi divergjenca mes të resë dhe të vjetrës.
Edhe fakti që burimet e reja që u futën në listat e deputetëve të PS nga kryetari direkt dhe që nuk u testuan me votë direkt nga populli (të paktën një herë), krijoi mosbesim tek të vjetrit në PS (shumë prej të cilëve kishin kaluar në sitën e votës popullore), i panë me skepticizëm prurjet e reja në listën e deputetëve të PS. Shumë menduan se disa të rinj mbërritën në lista kryesish dhe deputetësh jo mbi bazë meritokracie, por njohjesh personale etj., etj.
Këto diversitete në PS, dëmin më të madh ja bënë elektoratit të majtë që mbeti në opozitë, dhe jo atyre anëtarëve të PS që hanë kokat e njëri-tjetrit për pushtet. Mungesa e idealit tek disa burime të reja në PS (ashtu siç pritnin apo do të donin më të vjetrit), ka bërë që më të vjetrit të mendojnë se i janë afruar PS vetëm për të përfituar materialisht nga pushteti politik. Në fakt, lideri është ai që bën menaxhimin e burimeve njerëzore në parti dhe ruajtjen e ekuilibrave mes vlerave të së resë dhe të së vjetrës dhe mund t’i referohemi metodës së filozofit Dekart, që shprehej se shtëpia e re ndërtohet mbi themele të forta të së vjetrës, po këto themele duhet të jenë të padyshimta si të forta dhe të sigurta si të tilla.
Nga ana tjetër, një pjesë e së vjetrës në PS ka tradhtuar identitetin politik të majtë, duke kaluar djathtas si politikë ose duke trumbetuar politika të djathta, duke krijuar grupazhe gjoja në emër të lirisë së mendimit, por në fakt kjo luftë pushon sapo personit i ofrohet një post në kryesi dhe të futet në listën për deputet dhe kaq e ka lufta për një mendim ndryshe.
Nëse këto luftëra, dikushi në PS do t’i bënte vërtet në emër të parimit të lirisë dhe jo për përfitim personal, atëherë do të kishte tjetër sjellje politike; ose ky/kjo do të largohej nga ajo vijë forcë politike që ky/kjo aderon nëse nuk bie më dakord me vijën politike të partisë, ose nëse do të qëndrojë në parti në emër të moralit nuk do të pranonte asnjë post në këtë parti me vijën e së cilës nuk bie dakord (as në kryesi, as deputet) etj., etj., dhe do të bënte oponenca vazhdimësisht pa u përfshirë në poste drejtuese të partisë. Politika duhet të përmbajë moralin. Duhet të udhëheqë ai lider të cilit arsyeja i dominon mbi makutëritë për para dhe pushtet, dhe një lider normal në një moment duhet të ndalet para epshit për pushtet dhe para dhe të analizojë vetveten për bëmat që ka bërë, duke menaxhuar kështu vetveten dhe duke i thënë vetvetes: ”mjaft”, ”boll”.
Të rinj jo me doza ksenocentrizmi, delirizmi dhe servilizmi
Të rinjtë sjellin energji të reja dhe frymë të re në jetën demokratike, por jo ata të rinj që mbivlerësojnë kulturat e huaja mbi atë të tyren mbi atë shqiptare. Kombit i duhen ata të rinj që janë të gatshëm të sakrifikojnë për idealin kombëtar dhe të bëjnë aksione politike në vend në dobi të kombit dhe demokracisë për ta çuar atë drejt progresit. Kombit nuk i duhet ndonjë i ri që ju mburret të rinjve në Shqipëri se studion jashtë vendit apo që në shkrimin e parë në jetën e vet nuk jep zgjidhje për ndonjë problem, por i bën servilizëm dhe avokati të dobët ndonjë përfaqësuesi të mendimit ndryshe, por që tani nuk duket të ketë më mendim ndryshe, pasi ka pranuar post në kryesi të PS dhe është bërë i një mendimi me kryetarin, duke e zhgënjyer edhe ndonjë të ri dhe duke i shkuar dëm dhe avokatia.
Të rinjtë që studiojnë jashtë duhet të mësojnë nga demokracitë perëndimore dhe jo të bëhen “kamikazë” të politikanëve, qoftë të mendimit ndryshe apo të njëjtë dhe aq më keq që në shkrimet e tyre të para të përdorin gjuhë me doza ksenocentrizmi apo delirizmi për shqiptarët sikur të mos ishin vetë shqiptarë me fraza të tilla: ”se shqiptarët…”, “se atje në Shqipëri…” etj., etj. Për të verifikuar nëse dikush është i pavarur apo i varur politikisht, kjo është lehtësisht e verifikueshme sot me zhvillimin e teknologjisë së informacionit, duke u publikuar listat partiake, komunikimet nëpër rrjete sociale etj., etj.
Të rinjtë e FRESSH, ogur i mirë i së resë në PS
FRESSH është një burim i mirë që duhet motivuar, mirëorganizuar, pasi të rinjtë më energjitë e tyre dhe frymën e tyre përbëjnë një thesar, që po të dish t’i drejtosh dhe organizosh, bën aksione politike efikase.
Të rinjtë si ata që studiojnë jashtë vendit (siç kemi studiuar shumë nga ne dhe që jemi rikthyer në vendin tonë për t’i shërbyer vendit përballë gjithë problematikave), edhe ata që studiojnë brenda vendit me energjitë e tyre pozitive përbëjnë burime shumë të mira për t’i shërbyer idealit kombëtar dhe demokracisë. Burime të tilla duket se janë grumbulluar mjaft në radhët e FRESSH dhe riaktivizimi i FRESSH është një sinjal pozitiv për elektoratin e majtë nëse do të riorganizohet dhe mirëmenaxhohet përmes motivimit.
Kjo strukturë mund të bëhet më efikase nëse ndiqet një model i ngjashëm model-tip i organizatës “Vetëvendosja”. Kjo do të konkurronte denjësisht dhe rivalizonte strukturat rinore të PD, LSI etj., dhe do të ishte një burim i madh votash në dobi të PS. Të rinjtë që kanë ideale nuk lodhen për aksione politike, janë të ndershëm me identitetin politik, sepse zakonisht ndjekin orientim politik familjar, dhe ky është tregues që të rinjtë e familjeve të majta që kanë edhe një ideal kombëtar mund të përbëjnë një burim më të sigurt për t’u mobilizuar dhe duke pasur shpresa më të sigurta se nuk tradhtojnë identitetin politik.