Nga Kolec TRABOINI
Nuk është ndonjë problem i madh që për tre ditë zyrat e partisë humbëse në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 u boshatisën dhe euforia me shirita e mitingje u shkri si kripa në ujë. Mungesa qoftë dhe e një zëdhënësi shtypi për t’ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbase krijoi një boshllëk informatik tek mediat, por kush është ai që merr përsipër për të përballuar rrebeshin e pyetjeve pse kjo humbje e thellë e papërceptueshme në kufijtë e një katastrofe dhe në të gjithë Shqipërinë. Problemi në të vërtetë qëndron tek paniku që ka hyrë në tërë strukturat e Partisë Demokratike dhe paralel me këtë – paniku që ka hyrë në tërë strukturat e shtetit.
Dhe kjo gjëndje të vë në mendime në kuptimin se si ka mundësi të shkrehen e demoralizohen kësisoj tërë strukturat administrative kur humbet një Parti. Një gjë e tillë nuk ndodh në asnjë vend të Europës dhe as në Amerikë. Një panik i paparë që kalon nga partia në çdo segment të administratës shtetërore. Por ajo çfarë nuk ndodh tek të tjerët që kanë një demokraci të konsoliduar ndodh tek ne, sepse ne ende kemi një demokraci të brishtë që herë-herë edhe i zihet fryma. E si të mos i zihet fryma kur gjithçka në këtë vend që nga viti 1992 e përkëtej ka funksionuar mono. Pra duam nuk duam veç parlamentit ku përfaqësohen forcat politike, kudo e në çdo gjë ne kemi monizëm.
Për tetë vjet qeverisje të Sali Berishës nuk pamë gjë tjetër veç konsolidimin e aparatit shtetëror me militantë të tij në kuadrin e vendosjes së pushtetit personal e kontrollit të gjithçkaje. Nuk është fjala për vendet kyçe, që për shkak të realizimit të programit qeverisës është i detyruar të vendosë specialistë të besuar që ky program do të realizohet, se këtë e bëjnë të gjithë qeveritë në vendet perëndimore, por se ai në çdo hallkë të shtetit, në çdo zyrë të administratës instaloi militantë besnikë pavarësisht aftësive apo profesionit që kishin. Nuk pamë të vendosej në një vend pune një njeri që nuk i përkiste partisë së tij, por që mund të kishte një përgatitje më të mirë profesionale apo me një integritet e personalitet publik të njohur.
Absurditeti ka arritur deri atje sa në fushatë u premtua që mësuesve t’u rriten rrogat deri në 700 dollarë, ndërkohë që bëhet sikur nuk dihet se për të zënë një vend pune – ta zëmë si mësues në Tiranë kërkoheshin nën dorë nga administratorët militantë deri në 5 mijë euro. Në një bisedë me një kolegen time kineaste më thoshte se i kishte ardhur i biri nga një shtet i Europës ku kishte mbaruar studimet shkëlqyer, por donte të punonte e jetonte në Shqipëri. Dhe kishte aq muaj që sillej i demoralizuar sepse për një vend pune në profilin që kishte i kishin kërkuar 5 mijë euro. Këto kur i tregon dikush të duken si fantazi, po përpiqu të kërkosh një punë në këtë administratë të kapluar nga Sali Berisha që ka bërë kujdes të sjellë me shumicë edhe njerëz lokalë nga krahina e tij.
Parimi i besnikësisë për partinë dhe udhëheqësin ka qënë kriteri bazë i nënpunsimit. Ana profesionale as që kishte rëndësi për më tepër se edhe diploma e grada të jepen si e kur të duash. Ta zëmë ka në Shkodër një soj Universiteti privat të quajtur “Gjon Buzuku” ku nuk shihen studentë, por diplomat shpërndahen dhe sipas burimeve nga Shkodra thuhet se është i zonjës Topalli. Pra një Universitet si të thuash nën sqetullat e politikës.
Nuk ka institucion apo shkollë që të mos ketë vënë dorë politika, dhe meqenëse drejtuesit janë militantë të partisë në pushtet (tashmë panik e në ikje) i pamë se si në fushatë elektorale u përdorën fëmijët në mënyrën më antipedagogjike, por nuk pamë të protestojë askënd, as prindërit as shoqatat, veç zërave të veçantë të opozitës.
Për tetë vjet nuk pamë asnjë intelektual, shkrimtar apo artist të protestojë për ndonjë problem social veç rastit kundër të importit të plehrave, madje qeveria bëri lista intelektualësh të punësuar në përkrahje të saj. Një turp për profesorat me tituj akademikë që u bënë lojë e qeverisë. U kthye sheshi “Skënderbej” në një vakëf-land ku heroi kombëtar larg lëvizjeve të njerëzve të duket si një vetanak, se kështu desh dyshja tashmë e njësuar mirë si lidhje klani familjar Berisha-Basha dhe nuk pamë një njeri me pankartë në dorë “Na ktheni Skënderbeun” sepse nuk i afrohesh dot monumentit deri në 100 metra largësi.
Në këtë shtet gjithçka mund të bëjnë qeveritarët pa i pyetur qytetarët ndaj është e arsyeshme që qytetarët ta ndjejnë se demokracia e tyre është e rrezikuar.
E tani që populli foli, shprehu kundërshtinë për mënyrën se si keqpërdoret shteti dhe qeverisja me një dorë të vetme, janë me mijëra e mijëra militantë të Partisë Demokratike që kanë mbushur aparatin shtetëror administrativ e janë në gjëndje paniku. Krejt e natyrshme, sepse e dinë fort mirë se si kanë ardhë në ato vende me militantizëm, me miq partiakë apo tarafe familjare. Por në panik janë edhe ata qindra nënpunës apo mësues që i kanë blerë vendet e punës, sepse dyshojnë se gjërat do të përmbysen e u duhet ndoshta sërish të blejnë atë vend pune tek militantët e partive në ardhje. Nuk kanë faj në mosbesimet e tyre sepse këtë psikologji ka ndërtuar qeverisja e keqe.
Kjo është në të vërtetë jo ndërtim, por shkatërrim i shtetit, i administratës shtetërore që duhet t’ia dimë “për nder” një qeverisje të njeriut që nuk diti kurrë të qeverisë si Sali Berisha.
Mirë Saliu do ikë si kryeministër, mirë mund të ikë nga partia e të vërë tashëgimtar të tij Bashën si Enveri që vuri Ramizin (çfarë tregon sa e pakët është demokracia në strukturat e PD), po me këtë mijëra që solli e i vendosi në administratë në mënyrë të padrejtë e pa kualifikimin e duhur çfarë do të bëhet. Kanë të drejtë njerëzit të jenë në panik. Po në panik kanë të drejtë të jenë edhe brenda partisë që deri tani ishte në pushtet.
Në panik janë edhe zyrtarët e lartë, ministrat, aparati qeveritar që kanë ardhur në zyrë të thjeshtë pa një lekë dhe sot janë milionerë (flasim me euro), sepse nuk janë të sigurtë se Qeveria e re që do të vijë do të nxjerrë dekrete e ligje për verifikimin e pasurive të bëra gjatë tetë vjetëve të kësaj qeverie. Nuk mund të paragjykojmë si do të jetë qeveria e ardhshme, zemërbutë apo zemërfortë ndaj hajdutëve e të korruptuarve të qeverisjes së deritashme, por besojmë se ardhësit e dinë mirë se populli votoi në plebishit për t’i dhënë fund kësaj katrahure ku qeveria në vend që ta luftojë bëhet vetë qendër korrupsioni.
Ndaj i sheh në panik këto ditë qeveritarë e partiakë, nënpunës militantë e mijëra të tjerë që hanin, pinin e vidhnin nën hijen e partisë në pushtet.







