Demokracia e njerëzve të fjetur

0
38


Andrea Stefani

Eshtë koha për t’u zgjuarNë mbarim të zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009, Sali Berisha, Kryeministri i sapo riafirmuar në pushtet, u mburr se për të kishin votuar edhe shumica e zgjedhësve në zonën e Gërdecit. Si kish mundësi që fshati të votonte pro një Qeverie që akuzohej se me trafiqet dhe bizneset e saj të errëta hodhën në erë fshatin? Dikush tha se rezultati ishte i manipuluar. Por pas diçka më shumë se një viti dukuria e çuditshme, e ngjashme me shurdhërinë dhe verbërinë, u përsërit. Këtë herë në rajonin e Shkodrës ku në dhjetor-janar 2009 – 2010 ndodhi një përmbytje e paparë. Mijëra hektarë tokë dhe shtëpi u gjendën nën ujë për ditë me radhë.

Kryeministri Berisha u justifikua se kishte pasur reshje shirash që ndodhnin 1 herë në 100 vjet gjë që nuk provohej nga statistikat e reshjeve. Por nuk vonoi dhe ultësira e Shkodrës u përmbyt edhe 4 herë të tjera. Mos vallë kishin kaluar 500 vjet? Jo, as një vit që nga justifikimi i Berishës me reshjet shekullore. Pronat, shtëpitë, gjëja e gjallë dhe katandia e shumë familjeve u dëmtuan rëndë. Por ndërsa në media jepeshin pa fund fakte mbi fajësinë e qeverisë Berisha për përmbytjet (nga moskryerja e investimeve më emergjente në argjinatura deri te mbajtja në nivele të larta të ujit në rezervuarët e kaskadës për të siguruar më shumë eksport energjie) jo pak familjarë të përmbytur, shpallnin ekraneve se tragjedia që i gjeti, ishte faj i natyrës dhe jo i Qeverisë.

Edhe në këtë rast pati zëra që e shpjeguan këtë vetëmohim për partinë si një manipulim të organizuar nga PD dhe pushteti. Por ne na duket se dukuria ka rrënjë më të thella dhe pikërisht, në atë gjendje gjumi që karakterizon jo pak njerëz edhe kur janë zgjuar në ditën për diell. Dukuria është shpjeguar hollësisht në veprën e Erich Fromm-it, “Arti i Qënies”. Sipas Fromm-it gjumi dhe zgjimi nuk janë dy gjendje qartësisht të ndara. Madje ndodh që ne mund të jemi më të zgjuar kur flemë dhe më në gjumë kur jemi zgjuar. Fromm e shpjegon këtë “paradoks” me faktin se kur jemi zgjuar dhe orvatemi të kryejmë punët e veprimet e përditshme, ne gjendemi nën pushtetin e autoriteteve të jashtme morale, mendore, politike apo ideologjike që nuk lejojnë zgjimin e plotë të koshiencës, të kapaciteteve tona për të arsyetuar vetë. Autoritetet e jashtme bëhen pranga të arsyes sonë. Krijohet kështu një raport skllavërues që ngrihet si një vello para syve të njeriut dhe nuk e lë të shohë qartë, të lexojë saktë realitetin.

Ndërkaq kur ndodhemi në gjumë ndërpresim, në maksimumin e mundshëm, marrëdhëniet me botën e jashtme pra edhe me raportet e skllavërisë që ajo na imponon. Rrjedhimisht bëhemi të lirë edhe nga gjithë autoritetet e jashtme që na e mpijnë aftësinë për të arsyetuar pra, për të parë. Prandaj jo rrallë, konkludon Fromm, ëndërrat e gjumit shprehin më plotësisht kapacitetet tona intelektuale ndërsa ëndrrat që shohim me sy hapur kur jemi “zgjuar”, janë shprehje e përtacisë apo paralizës sonë intelektuale. Në gjendjen e gjumit jemi shpesh më të lirë prandaj i pëshpëritim, jo rrallë, vetes ca të vërteta që nuk guxojmë dot t’ja themi kur jemi zgjuar.

***

Për hir të së vërtetës, dyshimi në se jemi të zgjuar apo në një gjendje ëndërrimi, ka qenë pjesë e diskutimeve të hershme filozofike. Por më afër asaj që diskutojmë këtu, është teza e Rene Dekartit se ne nuk kemi asnjëherë një provë që të na vërtetojë se nuk jemi në gjumë dhe se nuk është dikush tjetër që dërgon sinjale në trurin tonë duke na bërë të perceptojmë dhe jetojmë një realitet që në fakt, nuk është. Kjo tezë është rimarrë për t’u vënë në qendër të skenarëve të filmit MATRIX.

Mbrojtja që viktima i bën keqbërësit apo shkaktarit të fatkeqësisë së vet (rasti i Gërdecit apo i Shkodrës) është pikërisht rrjedhojë e kësaj gjendje gjumi dhe paaftësie për ta parë realitetin ashtu sikundër është. Kjo paaftësi mund të kapërcehet vetëm nëse njerëzit këpusin lidhjet thuajse hipnotike me autoritetet e jashtme që iu verbojnë shikimin dhe i mbajnë në gjendje gjumi. Vetëm kështu ata do ta shikojnë realitetin të plotë, jo vetëm në sipërfaqe por edhe me rrënjë, radikalisht. Ky proces quhet zgjim dhe duket se kalon nëpër disa faza. Ai ka të bëjë me evolucionin e brendshëm të individit.

Eshtë një proces i vështirë dhe një nga fazat e para të tij mund të jetë shtimi i skepticizmit, i dyshimit për ato që deri në atë moment, shfaqen si autoritete të padiskutueshme që na kanë udhëhequr në formësimin e mendimit tonë për botën. Nëse arrihet në momentin që autoritetet të vihen në dyshim, kjo është edhe një premisë për vetëarsyetim dhe më pas, çlirim. Duket se një përpjekje e tillë ka më shumë shanse të ndodhë në karakteret që janë të prirur drejt lirisë së tyre dhe jo në ato karaktere sado-mazohiste që priren të nënshtrohen apo të nënshtrojnë. Kjo është pikëpamja e Fromm-it lidhur me aftësinë për të dyshuar si një veti më shumë karakteriale por që unë e kam ndeshur të shprehur në forma të ndryshme e te të tjerë libra. Për shembull, edhe Mustafa Nano, në një ese të tij ka shkruar se “…fakulteti për të dyshuar e për të ngritur pikëpyetje, përpara se të kultivohet në rrugë akademike, është brenda njeriut. Me fjalë të tjera, kush e ka, e ka”.

***

Në thelb, gjithçka që përpiqemi të shpjegojmë ka të bëjë me natyrën e psiqikës njerëzore që qëndron më lart se ajo e kafshëve. Kafshët orientohen në mjedis me anë të instikteve ndërsa njeriu me anë të kuptimit të botës që e rrethon. Nëse i mungon kuptimi për botën, njeriu do të katandiset më keq se kafsha. Mungesën e “diktaturës” së instikteve do ta zëvendësojë me kuptimin rreth botës që në masë të konsiderueshme dhe themelisht, ja dikton dikush tjetër. Fillimisht prindërit, familja, shkolla, shteti, partia, lideri, shoqëria. Natyrisht që njeriu i ka pikërisht në këto që përmendëm burimet e para të dijes dhe kuptimit. Por ai mbetet i gjymtë nëse, në një moment të caktuar, nuk shkëputet nga të gjithë këto lidhje parësore dhe nuk fiton aftësinë e të vetëkuptuarit të gjërave dhe të botës. Nga ky vetëkuptim nis e zhvillohet edhe mendimi kritik pra pohimi dhe mohimi. Në atë moment, njeriu bëhet i lirë, mendimi i tij bëhet i lirë dhe nuk ka më për të idhuj e autoritete të amshuara. Pra të bëhesh i lirë do të thotë, të arrish të vetëkuptosh Botën.

Diktatura komuniste u përpoq të asgjësonte aftësinë e individit për të dyshuar, për të ngritur pikëpyetje duke ndjerë instinktivisht (diktatura është si një bishë) në këtë prirje, farën e arsyes që nuk mund të mos çonte në asgjësimin e kulteve dhe autoriteteve që jetëgjatësonin regjimin. Jo rastësisht, tradhtia më e madhe që ka çuar në qeli jo pak njerëz, ishte të hidhje dyshim mbi ato që thoshte Partia dhe lideri i saj Enver Hoxha. Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh edhe në post-diktaturë me disa gërdecarë të hedhur në erë apo shkodranë të përmbytur nga qeveria, shfaqet edhe si rrjedhojë e prirjes të krijuar gjatë viteve të diktaturës për të mos vënë në dyshim fjalën e Partisë, të qeverisë apo të Liderit, edhe atëherë kur realiteti flet krejt ndryshe madje edhe kur njerëzit vuajnë pasojat më të rënda nga qeverisja e keqe dhe e korruptuar e partisë dhe liderit të dashur. Kali thotë në fabulën e famshme: “Zot bëje ëndërr” edhe pse ndien dhimbje të tmerrshme nga që po e shqyejnë ujqërit.

Ca gërdecarë thonë se nuk është faji i qeverisë për shpërthimin në Gërdec ndonëse shihej qartë se gjithçka e organizuar që çoi në tragjedi mban vulën e vullnetit të qeverisë edhe pse nuk gjenden dokumente me vulë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ca nga shkodranët e përmbytur. Për këto viktima të mbetura pa aftësinë për të arsyetuar vetë, edhe ato që dëgjojnë mbi fajësinë e mundshme të qeverisë apo të Kryeministrit, janë vepër e armiqve të qeverisë dhe pra, edhe të vetë viktimës. Sepse, sipas tyre, misioni i qeverisë dhe Kryeministrit është që ta mbrojë viktimën dhe kjo e fundit ka ca fakte për këtë. Qeveria i ka krijuar ndonjë shans një anëtari të familjes për tu punësuar diku, për të marrë ndonjë licencë biznesi apo i ka legalizuar një shtëpi të ndërtuar pa leje. Prandaj viktima ia di shumë për nder qeverisë.

Kështu paaftësia për të dyshuar kokolepset me interesin dhe nevojën për mbrojtje, me mekanizmat e shumta të arratisjes nga një “liri” që është e shndërruar në kaos dhe luftë të ashpër mbijetese deri edhe materiale. Viktimat janë jo vetëm të paaftë por edhe të pa interesuar për të kuptuar të vërtetën. Nevoja e mbijetesës është një tjetër autoritet i jashtëm që pengon çlirimin e arsyes. Të tillë njerëz do mbrojnë qeverinë edhe pasi ka vrarë 4 njerëz në 21 janar. Do nxjerrin lloj-lloj racionalizimesh për të mbrojtur qeverinë dhe pozicionin e tyre. Dhe askush nuk na shpëton nga ky kurth masiv nëse viktimat nuk fitojnë aftësinë për t’u zgjuar, për të arsyetuar dhe kuptuar atë që në të vërtetë po ndodh. Por ky duket një proces shumë i vështirë.

Aq më tepër për njerëz që nën diktaturë e skllavëri, kanë humbur aftësinë për të ikur prej prangave (Ruso) dhe që në post-diktaturë, nuk bëjnë dot pa mbrojtjen e ca autoriteteve të jashtme. Në Shqipëri po provohet se diktatura vërtet mund të bjerë, por prangat e saj mbeten dhe ripërdoren nga “çlirimtarët” për një skllavëri të re. Një nga këto pranga është gjendja e gjumit që trashëgojnë shqiptarët. Sikundër thotë një personazh në librin e Kadaresë “Lamtumira e së keqes”, në Shqipëri ka shumë gjumë dhe rroba të vjetra. Eshtë interesant sesi gjuha shqipe shpreh në një fjalë të vetme “zgjim” si aktin e daljes nga gjendja fizike e gjumit ashtu dhe procesin e aftësimit për ta lexuar e kuptuar saktë realitetin pra, aftësinë e të qenurit “i zgjuar”. Por, mjerisht, nuk janë e njëjta gjë.