Demokraci me trup të djegur dhe kokë të prerë

0
51

Ilir Yzeiri, 14 Tetor 2012

Media & komunikim

Nëse do të donim të jepnim imazhin e kohës që po jetojmë apo të sistemit shoqëror që kemi ndërtuar, do të na mjaftonin ngjarjet e këtyre ditëve të fundit që të tregonim se ne kemi ndërtuar një të ashtuquajtur demokraci që është me trup të djegur dhe me kokë të prerë. Trupi i djegur i demokracisë shqiptare vjen nga gjuhët e flakës që përpinë trupin e Gjergj Ndrecës dhe të Lirak Bejkos, ndërsa koka e prerë, siç e dimë të gjithë, vjen nga krimi makabër mbi 18-vjeçaren me origjinë nga Kukësi që jetonte bashkë me familjen e saj në një fshat në rrethinat e Shijakut. Nëse do të shtyhemi më tej për të zbërthyer këtë simbolikë dhe për ta analizuar atë, do të shohim se shoqëria shqiptare sot mbështetet mbi dy shtylla kriminale që janë përjashtimi i tjetrit të kundërtit me ty që e çon këtë të fundit në dëshpërim e në vetësakrifikim dhe dhuna makabre.

Po të shtyhemi më tej do të duhet të pohojmë gjithashtu se shtresat më të vuajtura të shoqërisë shqiptare, të burgosurit politikë dhe femrat shqiptare janë objekt mbi të cilat është derdhur këto ditë përjashtimi shoqëror dhe dhuna makabre. Vështruar nga kjo pikë, demokracia shqiptare nuk ngjet me asnjë sistem qeverisës në të cilin populli delegon pushtetin dhe vendi qeveriset nga një mazhorancë që kontrollohet nga opozita dhe që respekton ndarjen e pushteteve. Për fat të keq, sistemi politik që kemi ndërtuar është një diktaturë e zbehtë dhe një model pervers i shtetit autoritar që komandohet jo nga arsyeja, por nga emocionet e një njeriu të vetëm.

Për ta plotësuar më tej këtë panoramë do të më duhet të shtoj edhe krimet apo vrasjet për gjakmarrje dhe ngujimin e fëmijëve në Shqipëri. Kjo plagë e rëndë i shtohet portretit edhe ashtu të shfytyruar të shoqërisë shqiptare. Por le t’i marrim sendet me radhë. Disa të burgosur politikë vendosin të futen në grevë urie dhe në shenjë dëshpërimi të thellë vetëdigjen. Këta të burgosur politikë, me Gjergj Ndrecën në ballë, janë njohur në opinionin publik si kundërshtarë të regjimit të Berishës dhe, në më shumë se një rast, e kanë denoncuar regjimin e tij me veprime e gjeste spektakolare, ndër të cilët mund të përmendim gjuajtjen me miell.

Pas kësaj, ata vendosin që të futen në grevë urie dhe i kërkojnë qeverisë dëmshpërblimet për vitet e burgut. Ata paraqesin vështirësitë e familjeve të tyre dhe të shumë të tjerëve dhe situata nis e përshkallëzohet. Mirëpo në psikikën e Kryeministrit shqiptar dhe të qeverisë që ai drejton nuk funksionon parimi i dialogut me kundërshtarin politik. Për Ahmet Zogun, për Enver Hoxhën dhe për kopjen e zbehtë apo për surrogaton e këtyre të dyve, Sali Berishën, ai që të kundërshton politikisht nuk është partneri yt. Ai përjashtohet nga komunikimi politik, ai duhet margjinalizuar dhe duhet trajtuar si pjesë e armikut. Në demokraci, në fakt, nuk ekziston nocioni i armikut apo i kundërshtarit që duhet eliminuar.

Ekziston, siç dihet, parimi i konkurrencës demokratike dhe ballafaqimit e dialogut. Moskomunikimi me grevistët nuk është akt heroik që të frymëzon. Unë e kuptoj se semantika e heroizmit berishian vjen nga nënshtresa e fjalorit dhe veprimit heroik komunist ku heroi pozitiv e vriste dhe e zhdukte armikun, se heroi nuk nënshtrohej nga presionet e armikut etj., etj. Institucioni i bashkëbisedimit apo i dialogut nuk ekziston në semantikën politike të Zogut, Enver Hoxhës dhe të surrogatos së tyre, Sali Berisha.

Edhe ata apo ato sejmenë e sejmene të tij që të kujtojnë Lalë Krosët apo Simon Stefanët e Lenka Çukot e kohëve të shkuara dhe që dalin nëpër media duke justifikuar marrëzitë e Kryeministrit surrogato të Enver Hoxhës e të Zogut, jo vetëm që bëhen qesharakë, por vërtetojnë me këtë rast thënien e famshme se një fatkeqësi asnjëherë nuk vjen vetëm. Në rastin tonë një budalla dhe një i marrë nuk është kurrë vetëm, është plot me idiotë të tjerë që jemi të detyruar t’i dëgjojmë. Trimëria që po tregon qeveria për të mos komunikuar me grevistët është një shenjë e kalbëzimit psikik e socialpolitik. Të dialogosh me kundërshtarin tënd nuk do të thotë se do t’ia zgjidhësh problemin.

Do të thotë që t’i të pranosh problemin dhe të pranosh se kundërshtarët e tu, pra ata që nuk të duan ty, duhet të qeverisen njësoj si ata që të duan ty dhe duhet të respektohen po ashtu njëlloj si ata. Mirëpo kjo krenari e ndyrë, tipike komuniste është në themel të të gjitha krimeve që kryhen në Shqipëri. Edhe në themel të gjakmarrjes është sedra e lënduar dhe krenaria. Ne kemi nevojë urgjente që të ndërtojmë institucionin e faljes. Dhe për këtë shembullin e parë duhet ta japë qeveria. Ajo duhet të ulë kokën dhe duhet të heqë dorë nga trajtimi i kundërshtarëve si armiq. Institucioni i faljes është në themel të shoqërive perëndimore, europiane. Po çfarë them edhe unë. Harroj që kjo qeveri dhe gjithë sejemenët e saj vijojnë ende ta quajnë të drejtë vrasjen e katër protestuesve të pafajshëm.