Bota Sot | 11.02.2013
Edhe isha aleati i dikurshëm i Sali Berishës, kryeministrit të Shqipërisë, baca Demë, Adem Demaçi ka shpërthyer me akuza, sikurse shumë lexues që mezi nuk kanë pritur ta gjejnë një gabim tek Berisha, në këtë rast pas pohimit të tij se shqiptarët e Kosovës nuk do të mund ta marrin hë për hë shtetësinë e Shqipërisë.
“Për shqiptarët e Kosovës nuk do të them se do të ishte dëshpëruese, pasi që kanë një gjysmë atdheu. Mirëpo, për ata të mërgatës të cilët nuk kanë fare atdhe, kjo është zhgënjyese dhe dëshpëruese”, ka thënë Demaçi në një prononcim për “Epoka e re”.
Kryeministri Berisha ka thënë se shtetësinë do të mund ta marrin të gjithë ata që jetojnë në mërgatë dhe shqiptarët kudo që janë pjesë e Shengenit. Por, Berisha nuk e ka sqaruar nëse nuk i shkoi deri në fund kësaj çështje për shkak të bllokimit që i bëri vetë Qeveria e Kosovës kësaj nisme, apo thjeshtë sipas arsyes që e dha vetë, se nuk dëshiron ta ngarkojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, për shkak të premtimit, por ka lënë të kuptohet se kjo çështje do të rikthehet, sapo Kosova të bëhet pjesë e Shengenit.
Por, Demaçi, si gjithnjë paradoksal e ka akuzuar Berishën se ka bërë fushatë zgjedhore, ani se as nuk ka filluar fushata dhe as nuk janë mbajtur zgjedhjet nacionale në Shqipëri, të parapara për qershor.
“E paska bërë për fushatë zgjedhore, në mënyrë që t’i pushojë zemrat e shqiptarëve, sepse në atë kohë po i bënin konkurrencë këta të Aleancës Kuqezi, të cilët flasin për bashkim kombëtar dhe si kundërpërgjigjeje ndaj tyre, Berisha e lëshoi një bombë”, ka thënë Demaçi. BS