DELEGACIONI SHQIPTAR I OFROI CIANOS TITULLIN E PRINCIT TË KRUJËS

0
45

Nga GIORDANO BRUNO GUERRI

“Shqipëria, çifligu i Çianos” publikon detaje të panjohura. Ja çfarë shkruan në ditarin e tij, Ministri italian tri ditë para pushtimit. Pse u censuruan faqet e ditarit personal:

-Në muajt pas zbarkimit nuk qe e vështirë të vërehej transformimi progresiv i personazhit Jacomoni që ishte padyshim një lundrues i shkëlqyer mes cekëtinave të situatës shqiptare, shpejt të ndërlikuara nga lufta, dhe nga silurët që herë-herë mbërrinin nga ministria e Jashtme ku në kabinetin Shqipëria drejtonte Zenone Benini, mik i ngushtë i Cianos, shok i gjindshëm dhe i mirë kënaqësish. Jacomoni manovronte me stil mes këtyre vështirësive dhe njëherësh ndërtonte me durim dhe pa rënë në sy, pavarësisht ngathtësisë së disa personazheve të kabinetit të tij, figurën e mëkëmbësit, të domosdoshme në një vend me traditë pak a shumë monarkike. Bashkimi ishte ai vetë, edhe pse me prokurë të Cianos.

Ishte ai shtylla dhe e kishte kuptuar vetë prej kohësh që detyra e tij ishte të mbronte shqiptarët dhe kulturën e tyre nga sulmet e ashpra që vinin nga Roma. Në vitin 1940 nisën nga Roma, për të balancuar veprimtarinë e Jacomonit (e gjykuar, veçanërisht pas shpërthimit të luftës, tepër e dobët), një personazh të pagdhendur e krejtësisht fashist, Piero Parini, fillimisht alter ego të sekretarit të partisë fashiste shqiptare e më pas Sekretar të përgjithshëm në zyrën e Mëkëmbësit. I kishin vënë roje Jacomonit. Por Parini nuk e kuptoi fare se ç’do të thoshte Bashkim për Jacomonin, sipas modeleve të mëdha të bashkimeve personale. Natyrisht organizimi i partisë fashiste shqiptare u bë mbi modelin italian, pa asnjë rezultat të dukshëm. Por nuk ishte vetëm partia ajo që nuk funksionoi, apo që funksionoi si shëmbëlltyrë e organeve korrespondente italiane.

Autonomia shqiptare në të vërtetë nuk ekzistoi më: organet e shtetit italian bënin ligje në vend të organeve përkatëse shqiptare dhe brenda pak javësh administrata shtetërore shqiptare u shkatërrua, ndërsa ushtria dhe diplomacia u absorbuan nga ato italiane. Absorbimi i trupit diplomatik nuk qe i vështirë pasi ishin pak vetë e mëse të kënaqur që po kalonin në rolet korrespondente italiane. U krijua një organikë tranzicioni , “organika Shqipëria” nga e cila përfituan menjëherë disa italianë rezidentë prej kohësh në Shqipëri, me apo pa merita, për t’i hyrë tinëzisht karrierës. Episodi më i rëndë kishte të bënte me absorbimin e xhandarmërisë nga arma e karabinierëve, pasi këta të fundit ishin të pakënaqur nga fakti që kuadrot e mbijetuar të xhandarmërisë shqiptare vishnin uniforma e stoliseshin me grada që zakonisht nuk merreshin aq lehtë. E njëjta gjë edhe me ushtrinë.

Rrugëdalja u gjet me zëvendësimin e yjeve italiane me përkrenaren e Skënderbeut në uniformat e shqiptarëve. Por nuk kaluan as dy vjet dhe qeveria e Romës ktheu mendim: shqiptarët, të përfshirë në një luftë që nuk e kërkuan vetë, nuk kënaqen më me para dhe karrierë por kërkojnë dhe arrijnë shthurjen e partisë fashiste shqiptare, heqjen e departamentit për Shqipërinë dhe ringritjen e ushtrisë. Në fillimet e vitit ‘42 lufta kishte marrë tashmë karakter botëror dhe Aksit nuk po i shkonin punët edhe aq mirë. Më 9 janar 1942 Ciano botoi në Giornale d’Italia një shkrim mbi Shqipërinë plot lavde për parimin e kombësisë: “Po të mos mbahen parasysh organikat komplekse të kombësive të ndryshme anulojmë forcat pozitive. Në të kundërt do të ishte njësoj sikur një bujk t’i priste rrënjët pemës me besimin se në këtë mënyrë do t’i forconte trungun dhe degët”. Që në ditët e para disa shqiptarë të shquar kishin shprehur dëshirën për të pasur Cianon si regjent, të tjerë i kishin ofruar madje edhe kurorën: “Cianos iu bë shumë qejfi – tregon Ernest Koliqi, që i bëri ofertën – ndoshta e përkëdheli idenë të niste pikërisht në Tiranë dinastinë e tij”.

Natyrisht kjo gjë nuk pati vazhdimësi, por edhe pse në Tiranë nuk qe mbret, Ciano u soll si i tillë: në Romë thuhej shpesh Grandukati i Toskanës për të thënë Shqipëri, dhe kreu i policisë Boçhini u ndaloi “në mënyrë absolute e të prerë” funksionarëve të tij të merreshin, në cilëndo mënyrë, me çështje që kishin të bënin me të sepse: “Shqipëria është çifligu i Cianos e unë nuk dua aspak të kem probleme me të”. Ministri i Italisë në Greqi, Grazzi, kujton që Ciano “bënte shpesh vizita në Shqipëri, i pritur nga zyra e Mëkëmbësit si sovran; atje ngriti e mobiloi, me paratë e nxjerra nga arkat e shtetit, rezerva luksoze gjahu”.

Deri edhe qytetit të Sarandës iu ndërrua emri i tij i lashtë me “Porto Edda”. Shuma të jashtëzakonshme u shpenzuan më kot për ndjekjen e një politike prestigjioze, siç i shkonte për shtat Cianos. Shihet në telegramin drejtuar Jacomonit më 3 shkurt 1940, me të cilin pretendon bonifikimin e disa terreneve kënetore kur toka pjellore liheshin djerrë: Për vënien në funksionim të “Italba-s” dhe fillimin e bonifikimit bujqësor të Shqipërisë, të domosdoshëm edhe për qëllime politike që nuk mund t’ju shpëtojnë, është e nevojshme të vihet në dispozicion të vetë “Italba-s” një sasi e përshtatshme tokash. E meqë rezulton se në Shqipëri ekziston mundësia e gjetjes së këtyre tokave, që do të paguhen në mënyrë të drejtë, ju lutem të viheni menjëherë në punë për individualizimin e tokave të djerra që mund të shërbejnë për këtë qëllim dhe të m’i tregoni për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje që ka karakter urgjent.

Më mbani në dijeni. Do të mjaftonte shumë më pak se ky telegram për të lindur me të drejtë dyshimi për gjëra të paligjshme, mashtrime, ryshfete. Por për të gjitha këto nuk kam gjetur prova (ashtu si nuk gjetën as agjentët gjermanë, siç do të shohim më poshtë), dhe është vështirë të ngresh akuza kundër Cianos. Duhet konsideruar që në qendër të interesave të Cianos është pushteti dhe fakti që ai është i pasur nga familja. Por është i vërtetë edhe fakti që ai ishte veçanërisht i ndjeshëm ndaj kërkesave të favoreve që i bënin miqtë. Nafta shqiptare – për të cilën ndoshta ka qenë në mënyrë të tërthortë i interesuar, si aksionar i shoqërive ANIC dhe AGIP, – ishte sulfurore, pra për të nevojitej rafinim i kushtueshëm, ndaj nuk ishte punë me leverdi. Për më tepër u nxor shumë pak.

E gjithë politika e Cianos në Shqipëri, para e pas 7 prillit 1939, duket se ndikohet nga një kujtim shkollor i Risorxhimentos: dëshira për t’i aneksuar territore atdheut dhe përshtatja e statusit shoqëror e politik të qytetarëve të rinj janë shenjat më të dukshme të këtij ndikimi. Këtej e tutje Ciano do të mund të quhet, nga puthadorët e Musolinit, një burrë i madh shteti që bëri Italinë edhe më të madhe. Ndihej krenar për çështjen e Shqipërisë e nuk e fshihte, duke i dhënë vetes, pa asnjë hezitim, meritën për faktin që”i dha Shqipërinë Italisë”. Për të kuptuar se sa shumë kish për zemër atësinë e kësaj historie mjafton të lexohet teksti i diskutimit në Dhomën e deputetëve më 21 prill 1939 ku i referohet rrallë Mussolinit dhe “vullnetit të tij të pathyer”: Ciano flet me dëshirë me termin “ne”. Por akoma më interesante e domethënëse se diskutimi është telefonata që i bëri menjëherë më pas Ansaldos, të cilit diskutimi i ishte transmetuar telefonikisht.

Fond sekret për çështjet shqiptare

Duke mos qenë i mundur, për frikë të reagimeve nga bota e Shqipëria, aneksimi i mirëfilltë që Ciano do të kishte dashur, u zgjodh bashkimi personal në vend të vënies në krye të shtetit shqiptar të një princi të familjes Savoia, sepse një gjë e tillë do të kishte theksuar më shumë varësinë e Shqipërisë nga Italia. Se ku konsistonte kjo varësi Ciano e tregon që më 12 prill, kur kthehet në Tiranë për përfundimin e punimeve të asamblesë kushtetuese. Asokohe kishte në dispozicion një fond sekret për çështjet shqiptare prej 5 milionë liretash dhe 380 mijë frangash shqiptare, e kështu shkon “të çojë pako frangash shqiptare” duke kryer korrupsion e shpërdorim detyre. Shembujt e korrupsionit e të keqadministrimit ishin kaq të shumtë sa u kthyen në rregull. Ciano, që nuk ishte kundër këtyre sistemeve nuk e ka problem ta pranojë: “Do të japim shpërblime personale, sepse fitimi personal shpesh vë në heshtje ndjenja nga më fisniket…”; “Mjaftoi ndonjë zbukurim e ndonjë post për të kryer operacionin e tredhjes së Shqipërisë pa e lënë pacientin të gërthasë”.

Jacomoni nuk bëri tjetër veçse vazhdoi të mbante në jetë atë që tashmë ishte kthyer në traditë. Madje, marrëdhëniet e reja italo-shqiptare ishin importuar në mënyrë të tillë që të krijonin pështjellim sa më të madh: Jacomoni u emërua mëkëmbës i mbretit, pra praktikisht kreu i shtetit shqiptar; por si diplomat varej akoma nga ministri i Jashtëm italian: u arrit deri në absurditet kur Jacomoni nënshkroi në emër të Vittorio Emanuele III marrëveshje me qeverinë shqiptare, pra me qeverinë e vet. Për Shqipërinë u ngrit posaçërisht pranë ministrisë së Jashtme italiane një departament, besuar Zenone Beninit, mik fëmijërie i Cianos; më pas u dërgua në Tiranë Piero Parini si “asistent” i sekretarit të partisë fashiste shqiptare; ishte ministër fuqiplotë, ish drejtor i përgjithshëm i italianëve jashtë shtetit, një sipërfaqësor i tipit të Starace-s por disi më i kulturuar dhe me aftësi të mira organizative. Ciano qeveriste Shqipërinë përmes këtyre tre personazheve.

Duçe ankohet tek Mbreti

Verifikohet një kontrast domethënës mes Mussolinit dhe dhëndrit te titujt zyrtarë për t’i dhënë Cianos për Shqipërinë. Kur, nga fundi i majit, mbreti mendon t’i japë Cianos titullin e markezit me rastin e nënshkrimit të Paktit të Çeliktë, Mussolini i kthen mendjen. Ndoshta Mussolini e bëri për shkak të dëshirës së tij të zakonshme për të mos u dhënë shumë lavdi vartësve të vet në mënyrë që të mos e vënë në hije, por ka mundësi që të ishin të tjera arsye ato që e shtynë drejt këtij vendimi. Ashtu si ai vetë i tha Cianos, dhënia e një titulli të ri fisnikërie (brenda 15 vjetëve nga dhënia e titullit të parë të atit) nuk do të bënte tjetër veçse do të dëmtonte imazhin e tij përballë masave të gjera të partisë.

Pikërisht pas sipërmarrjes së Shqipërisë, Ciano fitoi pranë Mussolinit shanset më të mëdha si delfin, ndaj edhe ishte e nevojshme të mos e distanconte më tej nga baza e partisë, e cila – dhe Duce e dinte mirë – nuk ushqente simpati për “dhëndrin e parë”. Të njëjtat konsiderata mund të vlejnë edhe për çështjen e Gjerdanit të Annunziata-s. Sipas ditarit – por besoj se këtë herë Ciano nuk shkruan të vërtetën – më 6 gusht Vittorio Emanuele III lajmëron Mussolinin se mendon t’i japë Cianos Urdhrin Santissima Annunziata, nderimin më të lartë mbretëror, që kthen automatikisht mbajtësin e tij në “kushëri të mbretit”.

Ciano shkruan: “Duce fillimisht u lëkund pasi ‘gjerdani mund të përfaqësojë komprometime që më mirë të mos kesh’ por tani u bind që është më mirë ta kem ndaj nesër do t’i shkruajë një letër Mbretit për këtë”. Pohimi është pjesërisht i vërtetë; me një fjalë, është e vërtetë që Mussolini – në një periudhë kur mendonte gjithnjë e më seriozisht të hiqte qafe monarkinë kaba – ishte i mendimit të ruante pasardhësin e mundshëm nga pesha e një kushërillëku që politikisht mund edhe t’i përmendej në një të ardhme jo të largët. Por Ciano nuk i bën dot ballë, e dëshiron gjerdanin edhe më shumë se titullin e markezit, dhe e tija “tani u bind” shkruar në ditar në të vërtetë fsheh gjithë aftësinë bindëse që ushtroi mbi Mussolinin që të jepte miratimin dhe të mos bënte më opozitë që ishte edhe më e hapur nga ç’tregon Ciano.

D’Aroma jep një version të ngjarjes sipas të cilit Ciano manovroi me zhdërvjelltësi të veçantë […] por Mussolini me të kuptuar hilen ndaloi menjëherë gjithçka edhe pse titulli i lartë kishte të bënte pikërisht me dhëndrin e tij. Do të themi edhe më, një mëngjes gushti thirri Galeazzon dhe me ton të prerë i ndaloi të pranonte Gjerdanin. Galeazzo jo vetëm u mërzit shumë, por si kokëfortë e mendjelehtë që ishte, vuri menjëherë në lëvizje të gjitha mbështetjet dhe ato leva familjare e politike që tashmë i kishte në dorë. Brenda pak ditëve, në marrëdhënie jo të mira me familjarët, sidomos me të bijën Edda, Mussolini vendosi vërtet t’i shkruante Mbretit.

Dokumente të tjera që kam gjetur konfirmojnë saktësinë e versionit të të D’Aromas dhe falsitetin e atij të Cianos: Nuk është e vërtetë çka shkroi Ciano, që Mussolini i kishte shkruar Mbretit për t’i dhënë “autorizimin”, përkundrazi i shkroi një kërkesë të mirëfilltë pak a shumë kokulur dhe të hollësishme nga e cila del në dritë edhe fakti se mbreti as që kishte shprehur dëshirën e tij për t’i dhënë Cianos titullin e lartë. Ja teksti: “Madhëri, me t’u kthyer në Romë, u vura në dijeni që me rastin e zgjerimit të territorit italian, i është dhënë ministrave të Jashtëm në detyrë Gjerdani i Annunziata-s. Kështu ka ndodhur pas Libisë, Rapallos, Fiumes. Duke parë këtë zakon, një përjashtim i Kontit Ciano, do të kishte një nënkuptim ose do interpretohej në mënyrë jo të këndshme. Është detyrë e imja t’i deklaroj Madhërisë Suaj, që i detyrohet Kontit Ciano e gjithë puna përgatitore nga brenda, që na bëri të mundur të aneksojmë praktikisht Shqipërinë, thuajse pa asnjë të shtënë pushke”.

Epilogu

Me të drejtë është shkruar që pushtimi i Shqipërisë i ka të gjitha karakteristikat tipike të sipërmarrjes fashiste: Është në kontrast me angazhime të caktuar juridike e morale si dhe me të gjithë drejtimin politik pararendës; i hedh mbi shpatulla Italisë probleme ekonomike tejet të mëdha, të cilat e gjejnë të papërgatitur për t’i zgjidhur; i paraqitet opinionit publik të brendshëm si rritje e prestigjit italian, e arrirë falë aftësisë dhe këmbënguljes së regjimit fashist; shfrytëzohet nga hierarkët fashistë për pasurimin e tyre personal. Dhe ashtu si sipërmarrje të tjera fashiste – në Korfuz, në Etiopi, në Spanjë – pati për pasojë tronditjen e thellë të mbarë Europës. Jo thjesht për faktin në vetvete – që la përshtypjen e rrëmbimit të bashkëshortes – por sepse Italia vepronte sërish si element turbullues.

Menjëherë më pas Britania e Madhe dhe Franca i garantuan Greqisë dhe Rumanisë ndihmën e tyre kundër ndonjë sulmi të mendshëm, njësoj siç kishin bërë me Poloninë pas pushtimit nazist të Bohemisë; Roosvelt për të parën herë ndërhyri personalisht në çështjet europiane duke i kërkuar Italisë dhe Gjermanisë të premtojnë se nuk do të sulmojnë kombe të tjera të pavarura. Kështu lidhet dhe konsolidohet koalicioni që do të mundë Aksin. Për të gjitha këto, Ciano – që me ngjarjet e prillit ka humbur një pjesë të mirë të besueshmërisë së vet jashtë shtetit – është relativisht i shqetësuar. Është akoma i bindur se mund të kontrollojë aleancën me Gjermaninë, madje edhe ta devijojë apo braktisë atë. Gjashtë javë pas marrjes së Tiranës do të firmosë Paktin e Çeliktë, dhe as tre muaj më pas Ribbentrop do t’i thotë që Gjermania mendon të shpërthejë luftën.

Musolini përgjon telefonatat e dhëndrit
Telefonata u përgjua dhe iu dërgua Mussolinit; ja teksti:

Ciano (me zë shungullues) – Ansaldo!
Ansaldo (me ton të ëmbël) – Komandant, Shkëlqesi!
Ciano – Si të duket?
Ansaldo – Çfarë, Shkëlqesi?
Ciano – Diskutimi im, natyrisht!
Ansaldo – Ah, po, Shkëlqesi. Ende nuk e kam lexuar. Po më kalojnë fletët një nga një sapo deshifrojnë stenogramin.
Ciano – Po si të duket për aq sa ke lexuar?
Ansaldo – I mrekullueshëm!
Ciano – Vetëm kaq?
Ansaldo – I qëndisur, magjepsës! Do të ketë jehonë mbarëbotërore. Paraqitja e fakteve është e palëkundshme, diellore, madhërisht logjike.
Ciano – Mirë! Por ki parasysh të nxjerrësh mirë në dukje të gjitha këto në komentet e tua. E di çfarë? Shkruaj një kryeartikull më mirë. Ki parasysh që publiku më priti vërtet jashtëzakonisht ngrohtë. Gjatë gjithë jetës, nuk isha mallëngjyer ndonjëherë si sot.
Ansaldo – E besoj, Shkëlqesi. Dëshironi gjë tjetër?
Ciano – Ansaldo!
Ansaldo – Urdhëroni, Shkëlqesi!
Ciano – Bëj veçanërisht kujdes të mos heqësh asnjë prej pjesëve të ndërhyrjeve në tekstin e diskutimit.
Ansaldo – Për çfarë e keni fjalën, Shkëlqesi?
Ciano – Për duartrokitjet, për brohoritjet e turmës. A më kupton?
Ansaldo – Mos kini merak, Shkëlqesi!
Ciano – Veçanërisht në fund të diskutimit. Duartrokitjet finale! Shiko, pata vërtet shumë. Nxirre në pah me shkronja të zeza! Mos i kurse shkronjat e zeza!

(Shekulli)