Deklaratat e të patregueshmes

0
31

Aleksandër Çipa

Aleksandër Çipa

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive vuri gjatë kësaj jave në dispozicion të mediave dhe publikut deklaratat individuale të titullarëve politikë dhe institucionalë të vendit. Ishte akti formal që kësaj here u respektua prej korifenjve institucionalë dhe pasoi prej krerëve të zgjedhur në nivele lokale pushteti. Interesi i publikut dhe sidomos lexuesve mbetet i lartë, ndërsa vijojnë të botohen edhe ato të të zgjedhurve në krye të bashkive apo institucioneve të pavarura të vendit. Ky lloj botimi tashmë po bëhet tradicional dhe realisht nuk shënon një proces i cili shkakton debate, nisma investigimesh apo seanca interpelancash në Parlamentin e vendit.

Botimi i thjeshtë i deklaratave personale vetëm sa ka hapur një cikël replikimesh propagandistike mes përfaqësuesve politikë të pozitës me ata të shumicës në qeverisje.

Me kaq, duhet thënë se procesi formal nuk vijon të shndërrohet në një proces real, ku zyrtari apo shtetari i deklaruar të përballet me kohën e ankthshme të ballafaqimit të sinqeritetit të tij në deklarim me realitetin përkatës të konkretësisë së pasjes. Ky akt mbetet i tillë në vijueshmëri dhe i ashtuquajturi realitet i transparencës së premtuar apo të kërkuar është kryekëput i pabesueshëm prej publikut të gjerë apo prej shumicës së qytetarëve që votojnë dhe jetojnë emocionalisht me politikën.

Në shumicën e tyre këto deklarata kanë shkaktuar një qeshje ironike, mosbesimi dhe kanë shumëfishuar skepticizmin për vërtetësinë që mbartin. Por megjithatë, ato janë arkivuar tashmë, sikundër edhe në vite të tjera dhe institucioni që ka detyrimin dhe tagrin ligjor për të investiguar vërtetësinë, ndonëse është më i investuar se në vite të mëparshme, vështirë se do t’ia dalë që të sjellë në sy të publikut dhe të qytetarëve shqiptarë provat e forta të verifikimit, të krahasimit apo të dëshmimit të transparencës reale.

Në këtë mënyrë, deklaratat e publikuara falë këtij skepticizmi të pandeshur me provën që shton besueshmërinë reale, mund të emërtohen si “deklarata të së patregueshmes”. E patregueshmja e financave të politikanëve apo titullarëve të veshur me pushtet institucional dhe influence në këtë vend është e shumëshfaqshme. Në përditshmëri luksi shpesh është verbues. Kostoja reale e shpenzimeve vështirë se mund të jetë pasqyruar në ato deklarata të plotësuara për llogari të inspektorëve të inspektoratit.

Në këtë mënyrë, shoqëria e sotme vijon të përcjellë vite dhe ditë ku të zgjedhurit e saj vazhdojnë të jenë të pakontrollueshëm dhe sidomos të paverifikueshëm. Duke qenë të tillë, ata nuk mund të jenë vetëdeklarues të të ardhurave reale apo të financave që skepticizmi populist shpesh edhe mund t’i shtojë.

Për ta evituar këtë traditë të re mbulimi apo fshehjeje, në kushtet e premtimit për transparencë dhe mekanizëm antikorrupsion dhe antievazion, aktualisht mund të “lindet” inspektori kurajoz. Ai inspektor që tri ditë më parë në Paris konfirmoi përmes faturës se nga zyra e “L’Oreal”-it ishte depozituar kontributi prej 150 mijë eurosh për fushatën e Presidentit Sarkozi. Ashtu sikundër edhe në Greqi, nëpunës të thjeshtë zbardhën përmes këmbënguljes së tyre pranë organeve hetimore se ish-ministrat e qeverisë së dikurshme të Kostas Simitis jo vetëm rezultuan të implikuar në mitëmarrje me “Siemens”-in, por që mund të gjenden siç edhe po ndodh, në proces hetimor për këtë shkak.

Forca proverbiale e shprehjes popullore se “paratë dhe seksi nuk tregohen”, në rastin e publikimit të formularëve tip, si një akt tashmë tradicional, bëhet edhe më e provuar. Politikanët dhe shtetarët e çdo lloj sistemi, kanë prirjen për të mbetur në përcaktimin e “fshehësve”. Ata janë të prirur, për shkak të pushtetit dhe përfitimeve që rrjedhin prej tij, të paragjykohen dhe përfshihen te “të patregueshmit”. Çështja është si mund të përfshihet Shqipëria te vendet që e forcon realisht institucionin që jo vetëm e ndjek, por edhe e perfeksionon procesin e verifikimit të pasurive reale të klasës së saj politike dhe nëpunësisë së lartë?!

“Balli që e ka, sytë që e shprehin, buzët që më kot mundohen ta fshehin”, do të na ndihmonte Migjeni në rastin e kësaj ambicieje iluzive. Pasja nuk fshihet dot prej certifikatave apo formularëve. “Paratë mund t’i fshehë momenti, por i zbulon koha”. Ligji dhe tagri që duhet të fitojë realisht Inspektorati ynë i Lartë, pikërisht këtu nis. Deri më sot, misioni i tij është ende shumë larg kësaj nisjeje. Ai ka mbetur vetëm në mundësinë e posedimit të deklaratave që vetëjepen dhe po pëson pamundësinë për të ndjekur kurajshëm procesin e verifikimit real.