Analiza
Nga: Kiço BLUSHI
Historikisht, nuk ka sëmundje më karakteristike dhe më shkatërrimtare jo vetëm për shoqërinë, por edhe për të gjithë udhëheqësit tanë, qofshin këta diktatorë, monarkë apo demokratë, se sa kjo: dehja e tyre me mbipushtet! Dehja me veten! Dehja me gjithëfuqinë!
Të gjithë, pa asnjë përjashtim, jo vetëm motivimin, por edhe kënaqësinë instiktive të pushtetit e të komandimit e ndiejnë kur eliminojnë kundërshtarët, kur nuk kanë më rivalë; kur vjen ai çast që të mos i kundërshtojë dot kurrkush; kur çdo fjalë që thonë u duket flori; kur, më në fund, edhe ata vetë binden se janë bërë të pazëvendësueshëm, aq sa historia (u duket) është e detyruar t’i ndjekë pas si një zagar.
Kjo situatë tipike anadollake, e para-shoqërive ballkanike të dala nga osmanëria pesëshekullore, vjen pasi ata, me bëma dhe me paudhësi të pashembullta, me kurthe dhe me ngjallje të kultit, nëpërmjet frikës dhe pushtetit të pakufizuar, arrijnë të vënë nën kontroll, d.m.th nën hyqmin vetjak, të gjitha institucionet, të varura e të pavarura! Me një fjalë, kur jo vetëm njerëzit, po edhe zogjtë duket sikur fluturojnë në qiell vetëm me vizën e tyre!
Të gjithë ne shqiptarët pandehëm se pas diktaturës, pas viteve ‘90, pra me ardhjen e demokracisë, kjo sindromë qeverisëse do të zhdukej përfundimisht bashkë me diktaturën: zgjedhjet e lira dhe rotacioni i detyruar i pushtetit do të funksiononin – besonim – aq sa njerëzit e lirë të mos detyroheshin të prisnin shpëtimin dhe liri-demokracinë vetëm pas vdekjes natyrore (d.m.th, nga Perëndia) të udhëheqësit “legjendar”, si ndodhi me Hoxhën…
Kështu pra, shumëkush kujtoi asokohe se antikomunisti i vetëshpallur Berisha, pas rropamës kombëtare, por edhe vetjake të vitit 1997, kishte nxjerrë përfundime nga drejtimi i tij autokrat, hoxhist, kur i vetëm, gjasme me “mjete demokratike”, ai kishte pas sunduar dhe drejtuar Shqipërinë me dorë të hekurt drejt greminës “demokratike” të fajdeve. Ai nuk burgosi vetëm rivalin e vet opozitar, po e nxori jashtë loje, në kushte të vështira ilegaliteti, krejt opozitën.
Ai dogji gazeta, burgosi gazetarë, u jepte urdhra gjykatave dhe gjithkush e dinte se po të fliste kundër, qoftë edhe në kafene, do të ishte po aq i përgjuar dhe i kërcënuar sa edhe në diktaturë… Aq shumë u deh ky njeri nga mbipushteti vetjak, sa asokohe Berisha e bindi veten se ishte bërë një sovran i vërtetë, fuqiplotë, një komandant i gjithëpushtetshëm, aq sa edhe kryeministri i tij, kur bisedonte në zyrë me ministrat, bënte shenja me gishta e me buzë të kafshuar, duke vështruar lart, nga frika e përgjimeve…
Aq u deh Berisha nga mbipushteti, sa guxoi t’i bënte sfidë edhe Evropës, por sidomos SHBA-ve, kur nuk denjoi të presë e të dëgjojë jo vetëm ambasadorin amerikan në Tiranë, por as zëvendëssekretarin e Shtetit amerikan të ardhur enkas në Shqipëri.
Në fushatën e vitit 2005 pati jo pak analistë dhe opinionistë të varur e të pavarur që dolën dhe i thanë popullit, se Berisha nuk ishte më ai i pari, se ai kishte ndryshuar rrënjësisht, se kishte nxjerrë mësime nga pësimet dhe bash për këtë shkak ai dhe vetëm ai mund të drejtonte krejt ndryshe Shqipërinë e zhytur në korrupsion… Fakti që Berisha u rikthye në pushtet, si një rast i pashembullt në histori (pas përmbysjes me revolta popullore), dëshmon se shumica e shqiptarëve e besuan këtë histori arnaute… E pra, me “mjete demokratike”, me shumicën e sajuar, qoftë me zgjedhje të manipuluara, qoftë me aleanca të befta, ai përsëri, një pas një, me durim dhe këmbëngulje shembullore, do të vinte përsëri nën kontroll të gjitha institucionet dhe pushtetet e pavarura.
I dehur nga mbipushteti, edhe më tepër se në vitet ‘92-‘97, ai po njëlloj ka guximin të poshtërojë nëpër podiume e para kamerave çdo rival potencial e çdo kundërshtar, si dhe të artikulojë, madje edhe fjalë të pahijshme e akuza të paprovuara. Në vend që të burgoste përsëri opozitën, ai do të bënte, me “mjete me demokratike”, të njëjtën gjë dhe me median, edhe me opozitën: ndërsa partinë kryesore opozitare do të synonte ta shndërronte, si pat deklaruar në një OJF; median do ta detyronte t’i binte legenit sa dhe si të donte, sipas parimit “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”!
Nga të gjitha institucionet e pavarura, ende jashtë kontrollit të tij absolut, mesa duket kishte mbetur vetëm Shërbimi Informativ Kombëtar. Pikërisht në kohën kur vendi është në një krizë të pranuar edhe nga ndërkombëtarët, ai guxon “me ligj” të vërë nën kontroll edhe këtë Shërbim. Reagimi i ashpër, ultimativ dhe i paprecedent i ambasadorit amerikan, Withers lidhur me këtë ligj, të bën të besosh se Berisha është paralajmëruar për “vërejtjet” ndaj këtij Ligji, por fakti që edhe para, edhe pas deklarimit publik të ambasadorit amerikan ai vazhdon të tregohet kokëfortë (zëdhënësja e tij tha se Ligji respekton deri në një standardet e NATO-s, pra të kundërtën e asaj që tha ambasadori amerikan), është i ngjashëm me “incidentin” e vitit 1996, kur “sovrani” ynë i plotfuqishëm guxoi dhe sfidoi zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit në Tiranë.
Por, nga se vjen kjo kokorroçësi prej bejlurçine? Mos Berisha është një axhami në politikë dhe nuk e di se ç’do të thotë të sfidosh kësisoj aleatët e mëdhenj të Shqipërisë, jo vetëm NATO-n, por edhe SHBA?
Jo, Berisha është dehur përsëri nga mbidoza e pushtetit, ndoshta edhe më shumë se në vitet ‘92-‘97, për shkak se ai beson se atij i vete pas jo vetëm historia, po edhe populli, jo vetëm këtu në Shqipëri, po dhe në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në diasporë, kudo pra ku ka shqiptarë. Ai kujton se çelësat e stabilitetit në rajon i ka ai dhe vetëm ai!
Kjo është e keqja e tij, por edhe e jona!
(GSH/BalkanWeb)