Nga Mero Baze
Nëse ka një detaj ku kuptohet degradimi i Partisë Demokratike dhe tronditja e saj pas zgjedhjeve të 8 Majit, është mënyra se si Berisha po përpiqet të fshehë krizën e drejtimit të partisë në të gjitha qytetet ku ka humbur, dhe sidomos përpjekjen për të marrë qendra pushteti me trafik votash në konstituimin e qarqeve apo dhe këshillave bashkiake. Edhe pse ka humbur thuajse gjithë qytetet e Shqipërisë, pa llogaritur grabitjen e Tiranës, Berisha po përpiqet me votat e fshatrave të Shqipërisë të sundojë qarqet, dhe me vota të blera shpeshherë dhe këshillat bashkiake ku ai ka humbur.
Duke humbur figurat kryesore në thuajse gjithë qytetet e Shqipërisë, PD në fakt ka hyrë në krizë pikërisht në lidershipin lokal të saj, ku ajo tashmë duhet të përtërijë vetveten. Rasti i Durrësit është më tipiku. Figura më historike e kësaj partie në Durrës, Ferdinand Xhaferri humbi pastër në zgjedhje, dhe pas kësaj Berisha u detyrua as të mos e kandidonte për në kryesi të PD. Edhe pse i përket racës të të kthyerve në PD pas vitit 2005, ai dhe gjithë investimi i tij më jetëgjatë në PD e Durrësit tashmë janë shumëzuar me zero. Figura tjetër paralele me të në Durrës, Gazmend Oketa, ish zëvendëskryeministër dhe me një integritet politik të pëlqyeshëm në qytet, u godit ashpër nga vetë Berisha duke mos e zgjedhur as në kryesi dhe duke mos i respektuar asnjë propozim çka lexohet në të vërtetë si përjashtim de facto i tij nga partia. Pas kësaj në qytetin më tradicional të PD-së nuk ngelet asnjë figurë politike ose trend politik rreth të cilit të mblidhet PD-ja përveç disa drejtorëve që u numërohen lekët, por jo idetë apo kontributet që kanë në PD. Në këtë krizë të thellë Berisha u detyrua dje të shtyjë mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Durrës, pasi goditja që ai u ka bërë figurave kryesore politike brenda PD-së ka sjellë pështjellime dhe ai mund të kalojë në minorancë në Këshill dhe në të zgjedhurit e qarkut. Kjo vjen jo nga veprimi i opozitës apo nga ndonjë trafik votash nga kundërshtarët, por nga kriza në të cilën ka mbetur Partia Demokratike për shkak të lojës së mbyllur politike që Berisha bën në qendër për të mbajtur kontrollin mbi partinë. Ai tashmë e ka bazuar të ardhmen e PD-së në njerëz konkret që ja njeh djali, vajza, gruaja ose që i kanë bërë atij shërbime komprometuese. Kjo gjë po ndodh dhe në Durrës, ku Berisha duket se po tenton të bindë PD të mbështesin njerëz që ai i ka përdorur personalisht.
E njëjta gjë po ndodh dhe në Tiranë, ku njeriu që ka hyrë me gjak në Bashki, po sillet jo më si përfaqësues i PD-së, por si menaxher u kulisave që e çuan dhunshëm në zyrë. Dje për shembull ai ka emëruar drejtor të Policisë Bashkiake një polic nga ata që kanë rrahur njerëz më 21 janar dhe që është pjesë e gjithë raporteve ndërkombëtare apo hetimeve të Avokatit të Popullit. Kjo tregon se kujt i është mirënjohës Lulëzim Basha, votës së qytetarëve apo dhunës së policëve që ka përdorur në këtë fushatë. Po të shtyhemi më tej, të gjithë e kemi të freskët ditën e tij të parë në atë godinë, kur kunati i tij shpërndante nga e-maili i vet personal lajmet për Bashkinë. Në çdo vend të botës një fakt i tillë do të kishte shkaktuar tërmet, pasi Kunati i Lulëzim Bashës, edhe sikur të mos jetë i përfolur për afera korruptive me Fazlliçin, edhe sikur të mos jetë i përfolur si i shkolluar me lekët e VEFA-s, është i dënuar të mos shkelë në institucionet publike të shtetit shqiptar si “kunat”. Këtë ja ndalon çdo normë e shtetit ligjor, çdo standard i një vendi qoftë dhe parademokratik. Këtë e lejon vetëm një shtet tribal. Dhe Berisha po ndërton një shtet tribal të mbështetur mbi kunetër, baxhanakë, vajza, djem dhe gra milionerë. Të pakën për etikë Lulëzim Basha mund të na e kishte nisur e-mailin e parë nga ato gocat që torturonte në fushatë si zëdhënëse, ose dhe nga e-maili i tij privat, por jo nga e-maili i kunatit. Kjo tregon se PD në Tiranë nuk ndjehet fituese, por të fituar ndjehen kunetërit e Lulit, policët e Lulit dhe fanatikët e Lulit që therin desh para Bashkisë. Futja e tij në Bashki nuk i ka sjellë asnjë grimë entuziazmi PD-së në Tiranë që ta bëjë të ndjehet fituese, pasi torta e pushtetit po shuan etjen e klaneve mafioze që u përdorën për grabitje të mandatit.
Një parti që pas zgjedhjeve nuk di ku të mbështetet më politikisht në strukturat e saj në çdo qytet, dhe që mendon se do të krijojë qendra pushteti duke blerë vota apo këshilltarë, është një parti që rrezaton humbjen. Berisha po përpiqet ta fshehë nervozizmin duke folur për jetëgjatësinë që të jep boronica apo kënaqësinë që të jep shega, me shprese se ne do të merremi me lajthitjet e tij. Në fakt ai ka një problem të madh me këto zgjedhje, pasi nuk di kë të urojë dhe më tepër nuk di kujt t’i besojë betejën e ardhshme, qytet më qytet. Kjo po e shtyn atë drejt forcimit të tribalizmit në pushtetin e tij politik dhe kthimin e PD-së në njerëz të besuar të djalit, vajzës, gruas dhe dosjeve që ai mban në sirtar.