DEGRADIMI I JETËS PARLAMENTARE

0
37

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Unë nuk i ndjek debatet parlamentare. Asnjëherë. Nuk mundem. Ndryshe, do të më prishej gëzimi i ditës, të cilin mezi e mbledh pikë-pikë në këtë përpëlitjen time ekzistenciale. Do të ishte gjithashtu një profanim i paqes dhe qetësisë në shtëpinë time, ku me siguri kam gjëra më të vlefshme e më qibare për të bërë.

Mund të mendohet, se ky fakt komprometon forcën dhe besueshmërinë e opinioneve të mia politike, por kjo nuk më bind asnjë çikë. Edhe sikur të më bindte, nuk do të më shqetësonte. Së pari, ngaqë opinionet politike, me ndonjë përjashtim tek-tuk që përforcon rregullin, nuk i ngre as mbi gurgulenë parlamentare, as mbi fakte të jetës sonë parapolitike e parademokratike. Parapëlqej të merrem më shumë me parimet e funksionimit të politikës e të demokracisë, se sa me përthyerjen praktike të këtyre parimeve në baltovinën e Tiranës. Së dyti, informacionin nuk rri pa e marrë, megjithatë.

E marr nga rubrikat e hareshme të gazetave, që kanë për titull “zbardhja e debatit të djeshëm”. Dhe kjo gjë afërmendsh më streson më pak. Të lexosh ca çaprashitje (shpeshherë rrugaçërore) lipsen më pak nerva se sa t’i dëgjosh e t’i shohësh. Së treti – kështu do thoshin andej nga anët e mia – ç’të ndjekësh, mor amani? Janë më së shumti fjalime të mbushura me fraza të llojit “mos fol karagjozllëqe!”, “ti ia mbathe me rroba grash”, “ku ke prapanicë ti?”, “ti qaje me kryet në prehrin tim”, “muhabet është ky?”.

Ka njëzet vjet që në Parlamentin shqiptar mbahen këto fjalime. “Këta jemi ne, kjo është tradita jonë”, mund të thuhet. Por s’është kështu. Ju ftoj, të dashur lexues, të lexoni debatet e bëra në Parlamentin shqiptar të viteve 1920, e do të shihni se parlamentarët shqiptarë të njëqind viteve më parë ishin gjithë skrupuj e elegancë në komunikimin me sho-shoqin në sallën e Parlamentit. Për më tepër, fjalimet ishin të fokusuara te çështjet e shtruara për debat. Mos vallë kemi të bëjmë me një alkimi të atyre që kanë përgatitur botime të tilla? Absolutisht jo. Le ta provojë dikush tjetër, e të fusë në një sitë të imët kulturoro-politike debatet parlamentare të bëra gjatë njëzet viteve të fundit. E dini çfarë do të rezultojë? Kam frikë se poshtë sitës do të bjerë fare pak gjë.

Para ca vitesh, një deputet italian më ka dhuruar dy libra, ku janë mbledhur të gjitha fjalimet që ai ka mbajtur në Montecitorio, gjatë pothuaj dhjetë viteve të veprimtarisë parlamentare. Janë ‘discorsi parlamentari’ që fokusohen në problemet e mëdha të jetës politike e ekonomike të vendit të përtej Adriatikut, e që nxjerrin në shesh vizionin e tij. Le të guxojë ndonjëri prej këtyre tanëve të bëjë të njëjtën gjë. Le të guxojë, fjala vjen, Sali Berisha, që është njeriu më i rëndësishëm politik i periudhës postkomuniste. Me siguri, ka për të dalë një doracak sharjesh, akuzash e klithmash. Shkurt, një libër i turpshëm.