Dëgjo, o popull, të të flas unë për mua!

0
82

(Përsiatje mbi librin e Mehmet Elezit)

Nga Pëllumb Kulla, 21 Dhjetor 2011

Muç Nanoja u vel më shpejt dhe shkroi më parë për librin e Mehmetit në “Shqip”.

Tema e jetëshkrimit të vet, që bën Elezi është një nga temat e mia nga më të parapëlqyerat. Nuk flas për parapëlqimin, atë të temës së gjerë, atë që mund të përgjithësohej në shprehjen “dëgjoni, o milet, t’ju flas unë për mua”, që e kam vendosur si titull! Nuk e kam fjalën për të përgjithshmen! Flas për temën që ofron Mehmet Elezi vetë. Se Elezi të jep që të tjerrësh lesh të cilësisë së lartë, ngaqë ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës; ngaqë ka qenë i pari i rinisë enveriane; ngaqë është patriot dhe mik i afërt i kryeministrit të sotëm; ngaqë është ambasador i ynë në Zvicër – është edhe pas ligjit të famshëm të përjashtimit të nomenklaturës puniste! Është në mënyrë absolute i vetmi gjerark i lartë i mbijetuar në tërë ish Perandorinë e Lindjes!

Dhe tema e maratonomakut Elezi, prurës i demokracisë, mua më ka tërhequr si magnet, por nuk e kam prekur. Këto ditë do ta kisha prekur, para teje Muç Nano, por po prisja të lexoja dhe atentatin e hedhjes së veturës në kanal, ku që përpara patën qenë marrë dhjetëra masa, që makina të përmbysej e të vrarë të mos kish! Se atentat na duhej, nuk na duheshin vdekje!

Është i bukur heroizmi, dreqi ta marrë! Ëh, i dashur Mustafa? Mëkat që është aq i kushtueshëm! Ja, për këto ditë na duhej! E na duhej shumë! Jo vetëm Elezi, por lart e poshtë, gjen tek ne shumë njerëz, që shohin me zili jetën e Havelit, që na la këto ditë e që do t’i uroja t’i bëhej shpirti dritë! Tek ne ka plot të tjerë që u zilepsen Les Valesës, Sozhelnicinit, Sinjavskit e shumë e shumë të tjerëve. Mbi këta, që sapo përmenda, tani, po bien reshje të ndritshme dekoratash, mirënjohjesh. Nën zhurmërime duartrokitjesh e ovacionesh, zbulohen bustet e tyre nëpër sheshe kryeqytetesh. Për ta shkruhen poema, bëhen filma. Eh, tani jeta e tyre është e bukur, e lavdishme… Kurse atëherë ata kaluan vite dhe dekada të rënda, të mbushura me rreziqe.

Në Shqipërinë tonë ku heroizmi ka shterrur, nuk pat figura të tilla si Dubçeku, Haveli, Sinjavskij dhe Sozhelnicini. Por askush të mos harrojë, ama, se risku tek ne ish shumë i madh! Më i madh se në Çeki, se në Poloni e bile më i madh se në Rusi! Mund të humbje jetën, tamam në atë kohë që ti e deshe më shumë atë. Heronjtë janë budallenj. Ata nuk e dinë sa e bukur është jeta.

Ne, në Shqipëri, e dimë!

Ja që, e marrtë e mira, nuk qenka e mundur t’i martosh të dyja: nuk mundet dot njeriu i gjorë edhe të bjerë dëshmor, edhe të jetë i pranishëm në përurimin e lapidarit të tij, duke gëzuar triumfin dhe nderimin e botës përqark!

Por, ama, asnjë nga ne nuk është vënë me shpatulla pas murit për fajin e madh, që nuk bëri heroizma. Askush nuk e akuzoi askënd. Askush nuk u tregua me gisht për shmangien nga ky mision pavdekësie.

Sigurisht, nuk po na akuzojnë dhe as po na torturojnë, por kjo nuk na kënaq. Ne duam, atë të paarritshmen, duam atë më të pamundurën nga të gjitha: ne, tani, duam që atëherë t’i kishim bërë ato heroizma!

Hajde, o burra pra, të provojmë t’i bëjmë tani! Le të përsërisim fijepërpe fjalë që nuk i kemi thënë! Le të tregojmë skena, në të cilat nuk na kanë parë dhe as na kanë dëgjuar! Le të tërheqim vëmendjen mbi protesta që nuk i patëm bërë dhe le të përshkruajmë ca vuajtje, që nuk i patëm provuar aspak.

Ja, ky është rasti i Mehmet Elezit dhe i miqve të tij që po rishkruajnë historinë!

Unë nuk po e përtall dhe nuk po e qortoj atë, për faktin se ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste! As që e kisha ndërmend atë gjë. Ajo pat qenë zgjedhja e tij dhe po të kisha unë dëshira të hapja ndonjë fushatë kundër atyre lloj anëtarëve, qënkam vonuar shumë. Zoti na ruajttë! Dy ish anëtarë të Komitetit Qendror, unë i kam miq nga më të mirët. Duket sikur unë pa pritur e pa kujtuar marr e shkruaj për të. Duket sikur pas kaq vitesh ngrihem kundër Mehmet Elezit, për faktin se në të kaluarën ka bërë dëme, apo ka qenë sektar, e ku di unë!

Nuk po merremi me të kaluarën. Unë nuk kam pothuaj asgjë me Elezin e djeshëm, por më ngjall neveri ai Mehmet Elezi i sotëm, i cili pasi më ka parë, që qysh nga viti 1990 e këtej, të hesht për njëzetenjë vjet të tërë dhe të mos shkruaj asnjë rresht për të, si qënie komitetoqendroriale, më shtrëngon mua që t’i lexoj pa m’u dridhur muskujt e fytyrës edhe heroizmat e tij për prurjen e demokracisë në Shqipëri!

Kjo është shumë! U bë ca si shumë!

I dashur Mustafa Nano! Do të më vijë fort keq nëse ndonjë nga lexuesit e gazetës tënde të vyer do të nxjerrin përfundimin se anëtari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Mehmet Elezi po sulmohet, në kohën që në të vërtetë po sulmohemi ne. Unë nuk dua të krijohet përshtypja se e sulmojmë për të kaluarën e tij. Në librin e tij ai është agresiv dhe më fyen me gjithë atë paturpësi. Paturpësisht ai gënjen dhe pret edhe një herë nëse pas këtyre gënjeshtrave, shqiptarët do të heshtin ende, që pastaj ai të mund të avancojë me historirat e bëmat e tij, më heroike akoma, gjatë periudhës enveriane!

Jo ne, zotëri, por ai duhet ta lerë të kaluarën rehat! Të tijën, timen dhe tonën bashkë!