Nga Mero Baze, 13 Shkurt 2013
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit nuk ka pse na acaron dhe as nuk kemi arsye të qëmtojmë ligje e nene ku të fajësuarit duhet të merrnin një dënim më të lartë. Nuk dua të lëndoj kujtimin e atyre që nuk janë më dhe as të prek ndjenjat e familjarëve të tyre, por ata që janë nën akuzë, janë po aq viktima sa dhe të dëmtuarit nga kjo tragjedi. Nëse Gërdeci përbën një krim shtetëror, kjo ka të bëjë me faktin se historia e atij biznesi u bë nën mbështetjen e djalit të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, dhe tragjedia ndodhi për shkak të arrogancës për të mos përfillur ligjet ekzistuese nga sipërmarrësit që raportonin çdo natë tek familja e kryeministrit. Kjo është historia tronditëse e Gërdecit, e cila nuk u gjykua kurrë. Si e tillë, ajo pjesë e historisë që përfundoi në sallën e gjyqit, është një histori e rëndomtë aksidenti, që e shkëputur nga konteksti që prodhoi tragjedinë as që ia vlen të merret në konsideratë.
Ajo që Sali Berisha po nxit tani, është që njerëzit të reagojnë rreth këtij banaliteti që ai prodhoi me gjykimin e Gërdecit. Ai po rreket të na fusë në debate nëse duhej më shumë roja, nëse duhej më pak magazinieri, nëse ka paguar apo jo Delijorgji, nëse duhet të jetë i lirë apo jo Ylli Pinari, etj. Ky është një debat që i intereson Sali Berishës. Ai është i gatshëm të bëjë sikur mirëkupton zërin e dëshpëruar të viktimave të gjalla.
Problemi real është se në këtë tragjedi nuk u gjykuan lidhjet politike që çuan në këtë tragjedi. Historia e biznesit vdekjeprurës të Gërdecit ishte një krim shtetëror, edhe sikur fabrika të mos kishte shpërthyer.
Në qendër të historisë është djali i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, i cili ka lobuar pranë Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, t’i ofrojë qeverisë një projekt për demontim municionesh nga një partneritet biznesmenësh shqiptarë dhe amerikanë, nga i cili ai si lobues i këtij biznesi kishte kontrollin mbi gjithçka. Ai emëroi si përfaqësues të kompanisë amerikane në Gërdec, njeriun e tij më të afërt, Rrahman Selmanllari. Emëroi si mbikëqyrës të prodhimit, burrin e tezes së tij, Muhamed Hoxha. U angazhua personalisht tek Ministria e Drejtësisë, e Financave dhe Ekonomisë, të merrte rekomandim pozitiv për prokurimin direkt nga qeveria shqiptare të këtij projekti në adresë të biznesmenëve që ai “emëroi” në Gërdec. Kur kjo gjë i dështoi për shkak të këmbënguljes së dy ministrave, Ridvan Bode dhe Ilir Rusmali, të njëjtin nder ia bëri Fatmir Mediu një muaj më vonë.
Gjurmët e këtyre negociatave janë kudo. Faksi i Aldo Bumçit për Ministrinë e Mbrojtjes, hyrje-daljet e Shkëlzenit në Ministri të Mbrojtjes, telefonatat e tij me Delijorgjin gjysmë ore pas shpërthimit, dëshmitë e dhjetëra njerëzve që janë përfshirë në këtë histori duke e ditur që është biznes i tij, etj. Po t’i shtosh këtyre fakteve dhe vetë rrëfimet konfidenciale të Fatmir Mediut dhe Delijorgjit në rrethe të ngushta gjatë këtyre kohëve, jemi më të sqaruar.
Kjo është një histori për të cilin ishte në dijeni jo vetëm Shkëlzen Berisha, por në radhë të parë babai i tij, nëna e tij, motra e tij, dhe më gjerë qeveria e babait të tij.
Hidhini një sy momentit kur Sali Berisha lexon deklaratën e parë për shtyp si kryeministër dhe i duhet të raportojë për vdekjen e baxhanakut të tij. Shikon fletën, heziton pak, ndryshon emrin nga Muhamet në Mehmet, dhe vazhdon duke fshirë djersët.
Shikoni Liri Berishën, në interesat e saj për atë ditë kur thotë se sapo shpërtheu Gërdeci dhe ne morëm lajmin, thashë me vete “e zeza si nuk i treguam Saliut”. Pra, sipas saj, ajo dhe i biri e dinin, por “Saliu nuk dinte gjë”. Shikoni më tej se si drejtësia shqiptare merr në pyetje Selmanllarin si përfaqësues të kompanisë amerikane që do bënte demontimin dhe thotë se nuk ka dëgjuar kurrë për Gërdecin, nuk ka aty asnjë të afërm, dhe s’ka asnjë lidhje biznesi me Shkëlzen Berishën. Vetë prokuroria ka provuar se ai ka pasur së paku 5 vetë të afërm të punësuar aty, dhe ishte përfaqësues me prokurë i kompanisë amerikane që merrej me demontimin, por nuk u penalizua për këtë deklaratë të gënjeshtërt në prokurori. Shkëlzen Berisha, strumbullari i kësaj pune, nuk u thirr asnjë moment në prokurori. E përzier si histori biznesi dhe me historinë e dërgimit të fishekëve kinezë në Afganistan, duke eliminuar nga ky biznes Kosta Trebickën, sipërmarrja e të birit të kryeministrit, si një biznesmen armësh, bëhet e frikshme.
Kjo është e vetmja histori që duhet të hetohej për Gërdecin. Kjo është lidhja kriminale e pushtetit me atë tragjedi njerëzore. Dhe kjo nuk është hetuar dhe as që është gjykuar. Për këtë duhet të qajmë ose gëzohemi, për këtë duhet të luftojmë që të vendoset drejtësia, dhe jo për dënimet ordinere të njerëzve teknikë që ishin të gjithë të punësuar të Familjes së kryeministrit.
Sali Berisha ia ka arritur që ta shpëtojë këtë histori nga gjykimi. Ai arriti përmes presioneve mbi prokurorinë, përmes luftës ndaj Presidentit, përmes bllokimit të gjykatave për të çuar para drejtësisë Fatmir Mediun, si njeri që dhe mund të fliste në rast rreziku, ta lërë jashtë rrezikut të hetimit dhe gjykimit historinë e këtij krimi shtetëror që nis nga shtëpia e tij.
Ky është lajmi më i rëndë për gjyqin e Gërdecit, por është lajm i vjetër. Lajm i sotëm thjesht duhet të bëjë nervoz duke na kujtuar atë pjesë të historisë që nuk është hetuar dhe gjykuar dhe jo këtë pjesë banale të historisë që bën sikur hetohet dhe dënohet. Gërdeci është një betejë e fituar përkohësisht nga vrasësit. Me atë pushtet që ata fituan të drejtën e biznesit, me po atë pushtet ata mundën të shpëtojnë nga gjykimi për përgjegjësinë e tyre në këtë tragjedi. Përgjegjësia e opozitës dhe shoqërisë shqiptare fillon atëherë kur pushteti të ndryshojë dhe ata të çojnë para drejtësisë historinë e errët të përfshirjes së familjes në pushtet në këtë tragjedi.