Adriatik Kelmendi, 23.06.2013
Kosova e Shqipëria sot, që të dyja, kanë shumë probleme më të mëdha se sa marrja me tema të shpifura të mbyllura, që veç përçarje e antagonizma mund të sjellin. Por politikanët dhe grupet e tjera të interesit imponojnë agjendat e kota, pasi që janë të lehta, populiste e sipërfaqësore, dhe jo si ato që kërkojnë punë e angazhim të drejtpërdrejtë, për të hequr dy vendet tona nga fundi i indekseve të zeza të Evropës
PYETJET MË IRRITUESE dhe të kota që duan të imponohen në debatet tona, shumë lehtë mund të jenë këto:
A je shqiptar, a kosovar, a mysliman (a katolik…)?!
Një përpjekje e shpifur për të depërtuar në individualen, por që asnjëherë nuk mund të pritet të sjellë ndonjë cilësi.
Për më tepër, vetëm sa çon ujë në mullinjtë e atyre që as ia duan të mirën shqiptarëve në përgjithësi, e as përcaktimit të tyre fetar e tolerancës, diçka për të cilën gjithnjë jemi krenuar.
E dhimbshmja është se këto debate nuk futen domosdoshmërisht në diskurset tona nga “faktorë të jashtëm”, por nga vetë ata tonët që duan të bëjnë bajraktarllëqe të panevojshme për agjenda ngushtësisht personale.
Sidoqoftë, këto debate asnjëherë nuk paranxjerrin njërën ose tjetrën palë të polarizuar si fituese ose humbëse.
Rreziku është që humbësi të jetë më i përgjithshëm – shoqëria jonë.
PSE DUHET DIKUSH të ndiejë nevojën të përgjigjet në pyetje të shpifura?
Thjeshtë e natyrshëm, ka njerëz që në vetvete mishërojnë të gjithë këto identitete.
Për shembull, shumica e banorëve të Kosovës i përkasin të gjitha këtyre tipizimeve identitare.
Është shqiptar me etni, flet gjuhë shqipe, i përket kombit shqiptar (të normuar si komb gjatë përpjekjeve shqiptare për të fituar mëvetësi shtetërore), ka traditë shqiptare, doke shqiptare…
Është kosovar me shtetësi, qytetar e banor i shtetit të Kosovës, ka “nacionalitet” kosovar (qëllimisht nën thonjëza, të normuar sipas përshkrimit perëndimor të kombeve – në pasaporta na shkruan shqip “shtetësia kosovar” e anglisht “nationality kosovar”, për ç’gjë edhe lindin keqkuptimet e mëdha për kombin, popullin, etninë), por edhe traditë lineare të ish-vijaletit e ish-krahinës kosovare, që domosdoshmërisht krijon edhe traditë të veten, e doke të veta, por që s’është e thënë të jenë në kundërshtim me ato etnike etj.
Është mysliman në masën më të madhe, por kjo ka të bëjë vetëm me përkatësinë fetare, dhe që s’ka përse të lidhet me atë etnike e shtetërore. Aq më tepër, kur në shoqëritë demokratike sidomos përcaktimi fetar, e mbi të gjitha ai i besimit ose mosbesimit, praktikimit ose mospraktikimit, është thelbi i privatësisë individuale, për të cilin s’ka fare përse të të kërkojë llogari kush e t’i japësh llogari kujt.
SAKAQ, DUHET PRANUAR se këto tema ekstra populiste shpesh futen në agjendë nga grupe të organizuara nëpër forume të ndryshme ose subjekte politike qëllimshëm për të arritur lehtësisht faktorizimin shoqëror, ose rritjen e numrit të votave në zgjedhje.
Janë të popullarizuara dhe prekin shumicën e popullatës pikërisht për arsye se janë populiste, e rrjedhimisht sipërfaqësore.
Kollaj, secili individ në shoqërinë tonë, nga 7 deri në 77 vjeç, do ta ndjejë veten të gatshëm, e shpeshherë edhe ekspert, për të të dhënë përgjigjen “më të saktë” lidhur me pyetjet që përmbajnë në vetvete nocionet shqiptar, kosovar, mysliman, katolik… Dhe sigurisht se secili do të preferojë që të të kuvendojë për këto tema gjithë ditën e gjithë natën, por jo edhe për zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, demokratizimin e shoqërisë, ngritjen e cilësisë së arsimit, krijimin e vendeve të punës, luftimin e korrupsionit, ngritjen e shëndetësisë.
Por, teksa është e kuptueshme për masën e madhe të popullit që ta ketë të lehtë të merret me temat e këtilla “të mëdha”, si shpjegohet se me këto të shesin mend edhe ata që do të duhej të na siguronin një jetë më të mirë, por flasin për kopalla?!
Sigurisht se ka të bëjë me lehtësinë e manipulimit dhe lehtësinë që të jep barabitja me tema qindra e mija vjet të vjetra si puna e kombit, etnisë e fesë.
Në këtë kuadër, paramendoni sa e pasinqertë dhe e ultë duket pyetja se a jeni për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ta ngritësh si temë ketë çështje në vitin 2013, në kohën kur Kosova dhe Shqipëria janë më të bashkuara se kurrë dhe mund të bashkohen edhe më shumë vetëm nëse duan elitat politike në këto dy vende, është, thënë së buti, hipokrizi e llojit të vet (për qartësim, krejt tjetër është të ngrihet si temë eliminimi i pjesës në Kushtetutë të Kosovës për mosbashkim me shtete tjera).
E edhe më hipokrizi është të thuhet se jemi për bashkim, por të aludohet vetëm për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, duke mos marrë në konsideratë fare pjesët e tjera të banuara me shqiptarë etnikë, që s’i kanë punët as përafërsisht të krahasueshme me vëllezërit e tyre në Kosovë e Shqipëri (por, për këtë ndoshta një herë tjetër).
KOSOVA E SHQIPËRIA sot, që të dyja, kanë shumë probleme më të mëdha se sa marrja me tema të shpifura të mbyllura, që veç përçarje e antagonizma mund të sjellin.
Që të dyja nuk po mund të bëjnë hapin minimal demokratik, siç është mbajtja e zgjedhjeve të lira e demokratike.
Që të dyja ndodhen në fund të indekseve që rangojnë përparimet e shteteve në demokratizim, liri të medias e zhvillim ekonomik, e në krye të listave të varfërisë e papunësisë, nivelit të arsimit e shëndetësisë, funksionimit të pushteteve të ndara e të tjera të ngjashme.
Së këndejmi, politikanët e të tjerë grupe e individë me agjenda të ngushta e personale, të mos na lodhin shumë.
T’i përveshin mëngët e të punojnë që të ndryshohen trendët negativë në shoqëritë tona.
E pastaj, pak kujt do t’i interesojnë ose do t’i pengojë nëse shqiptarët jetojnë në një, dy ose më shumë shtete, se a janë myslimanë apo katolikë a ortodoksë.
Zhvillimi e përparimi hapin dyert për heqjen e çfarëdo barriere e çfarëdo paragjykimi që kanë të tjerët, por ky zhvillim e përparim assesi s’vjen duke u marrë me tema të kota populiste e me vetveten… se kështu është kollaj!