Nga Korresp. 24-ore.com
Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Christopher Dell ka reaguar ndaj publikimit të sms porosive të këmbyera gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën u votua për zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë së re të Kosovës.
Në letrën dërguar Këshillit të Pavarur të Medieve të Kosovës, Dell shkruan: “Isha i zhgënjyer kur mësova sot se mjetet e shtypit kishin përgjuar dhe regjistruar dhe rrjedhimisht edhe kishin shtypur ose transmetuar në shkallë vendi korrespodencat dhe bisedat private. Këto medie, përfshirë edhe “Kohën Ditore”, “Express” dhe KTV, kanë tejkaluar kufirin duke transmetuar komunikimin privat që ka ndodhur në sallën e Kuvendit më 22 shkurt, përfshirë edhe një thirrje të qartë telefonike që më përfshin mua.
Po ju shkruaj anëtarëve të KPM-së lidhur me këtë veprimtari joprofesionale, joetike dhe potencialisht të paligjshme. Unë nuk jam i trazuar nga përmbajtja e këtyre komunikimeve, të cilat nuk pasqyrojnë asgjë më shumë se sa përpjekje të zakonshme për të mbledhur informata në një ambient të hutuar dhe komentet domethënëse të shprehura nga palët e treta, përfshirë edhe një pohim plotësisht të respektuar se udhëheqësit politikë të vendit duhej të merrnin vetë disa vendime për vetvete, por më shumë nga veprimi i qartë i paligjshëm i medieve.
Ashtu siç i kam ftuar anëtarët e Qeverisë që të përqafojnë standardet më të larta të qeverisjes transparente dhe të pastër, unë po ashtu i nxis pjesëtarët e medieve që t’u përmbahen të njëjtave standarde dhe sjelljes profesionale për të cilën janë pajtuar kur kanë nënshkruar Kodin e mirësjelljes të shtypit.
Kosova ka kode të mirësjelljes si për shtypin e shkruar, ashtu edhe për atë elektronik. Këto kode kërkojnë nga nënshkruesit e tyre që t’u përmbahen standardeve më të larta ndërkombëtare të gazetarisë, përfshirë edhe privatësisë. “Koha Ditore”, “Expressi” dhe KTV-ja kanë thyer shpirtin dhe qëllimin e këtyre kodeve kur kanë ndërhyrë në komunikime personale. Sjellja e tyre ishte e pafalshme.
Kjo sjellje po ashtu mund të ketë qenë edhe e paligjshme, pasi që Kodi penal i Kosovës ndalon përgjimin e paautorizuar të bisedave dhe deklaratave personale.
• Neni 170 (1) Kushdo që me anë të pajisjeve të posaçme pa autorizim përgjon apo bën përgjimin tonik ose incizon bisedën a deklaratën, e cila nuk i është drejtuar atij ose i mundëson personit tjetër të jetë në dijeni për bisedën apo deklaratën e cila është përgjuar tonikisht apo është incizuar pa autorizim dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Besoj se KPM-ja do të ushtrojë përgjegjësinë e saj në zbatimin e Kodit të saj të mirësjelljes dhe ua lë autoriteteve ligjore që të vlerësojnë se a ka pasur apo jo shkelje të ligjit dhe cilët hapa ligjorë do të duhej të pasonin. Megjithatë, besoj se është përtej çdo dyshimi që gazetarët e përfshirë në këtë dhe redaktorët/botuesit që kanë autorizuar raportet, qartazi kanë thyer standardet etike dhe profesionale të pritshme nga gazetaria në një shtet demokratik.
Opinioni publik – lexuesit dhe dëgjuesit e lajmeve tuaja – meriton t’i kërkohet ndjesë. Anëtarët e medieve kanë shkelur standardet e tyre dhe besimin e publikut. Tre vjet pas pavarësisë, vendi juaj do të duhej të mbështetej në media të përgjegjshme, etike dhe profesionale. Unë jam i shkurajuar që me gjithë mbështetjen e fuqishme dhe investimeve të konsiderueshme të qeverisë sime për më shumë se dhjetë vjet, disa prej mjeteve më të popullarizuara tuaja të shtypit ende nuk e kanë arritur as edhe nivelin më të ulët të llogaridhënies dhe përgjegjësisë profesionale që korrespondojnë me pozicionin e përgjegjësisë publike që ata ushtrojnë.
Përgjigja e Kohës Ditore dhe KTV-së
“Në vitin e largët 1734, New Yorku ishte koloni britanike, brenda një sistemi autoritar. Për pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendin e të lirëve, duhej pritur edhe më shumë se katër dekada.
Pikërisht në këtë vitin 1734, në New York, guvernatori kolonial William Cosby kishte hedhur në gjyq botuesin e gazetës New York Weekly Journal, Peter Zengerin, për njollosje të autoritetit (konkretisht për ‘libel’, termi i saktë në fushën e drejtësisë dhe të gazetarisë).
Gazeta e Peter Zengerit kishte botuar disa artikuj, të cilat “e njollosnin” guvernatorin kolonial Cosby. Artikujt lidheshin me një vendim që Cosby kishte marrë për ta shkarkuar njërin nga gjykatësit e Gjykatës Supreme, ndërsa gazeta kishte mësuar se Cosby e kishte shkarkuar gjykatësin, për shkak se ky i fundit kishte marrë një vendim në një rast që kishte prekur interesat personale të guvernatorit.
Pjesa e parë e shekullit XVIII shënonte sistem autoritar dhe ligjet ndalonin njollosjen dhe ishte e ndaluar të botohej çkado që mund të dukej keq për qeverisësit ose qeverisjen.
Prandaj, më 1734, Peter Zenger u burgos, ndërsa guvernatori i kishte zgjedhur personalisht gjykatësit për ta gjykuar.
Mirëpo, rastin e mbrojtjes së Zengerit e kishte marrë një avokat i shquar i kohës, Andrew Hamilton.
Gjyqi vazhdoi më 1735, por avokati Hamilton arriti të bindte jurinë se, ndonëse ishte njollosur personaliteti i guvernatorit, e gjithë ajo që ishte shkruar në gazetë kishte qenë e vërtetë dhe se e vërteta asnjëherë nuk mund të jetë njollosëse.
Hamiltoni kishte arritur të dëshmonte se njeriu nuk mund të ndëshkohej, për shkak se ka raportuar të vërtetën, për shkak se e ka thënë të vërtetën, për shkak se të tjerëve ua ka paraqitur të vërtetën.
Ky ishte triumfi i lirisë së shtypit, i lirisë së të shprehurit në vendin që do të njihet sot e gjithë ditën si djepi i demokracisë.
Gati treqind vjet më parë, mbi një rast si ky u ndërtua demokracia shembullore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e vendit të njerëzve të lirë.
KOHA nuk e ka as dyshimin më të vogël se ky rast do t’i jetë i njohur ambasadorit Dell, por e kemi parë të nevojshme që kështu t’ia nisim reagimit ndaj letrës së hapur që ambasadori ia ka drejtuar Këshillit të Pavarur të Mediave, në shenjë zhgënjimi për shkak të raportimit që kanë bërë KOHA Ditore dhe Kohavisioni për ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, me rastin e zgjedhjes së Kryetarit dhe Qeverisë së Kosovës.
Zoti Dell ka shprehur zhgënjimin e tij për kinse përgjimin, regjistrimin e korrespondencave private e që më pas janë transmetuar dhe botuar në shkallë vendi dhe i ka kualifikuar këto veprime si joprofesionale, joetike dhe potencialisht të paligjshme. Mirëpo, vetëm një paragraf më poshtë i ka etiketuar ato si të paligjshme, për shkak se nuk e kanë respektuar privatësinë. Për më tepër, e ka cituar një nen të Kodit Penal për të cilin beson se është shkelur, për të përshkruar seriozitetin e asaj që e konsideron si shkelje të pafalshme.
Për zotin Dell “është përtej çdo dyshimi” se të dy mediumet tona, gazetarët, redaktorët dhe udhëheqësit i kemi thyer standardet etike dhe profesionale të pritshme në një shtet demokratik. Kjo për shkak se patëm guximin t’i botonim fotografitë e komunikimit me sms-a ndërmjet këshilltarit të kryetarit të porsazgjedhur të Kosovës, i cili fliste në emër të zotit Dell, apo transmetonte atë që e thoshte zoti Dell në lidhje me momentet e caktuara të procesit, me vetë, atëherë kandidatin për kryetar. Gjithashtu, për shkak se kishim transmetuar incizimin e një bisede që po e zhvillonte ai, dhe e kishim përkthyer.
Zoti Dell nuk ishte i kënaqur me faktin se këto i kishim bërë publike, por nuk shfaqte brengë për përmbajtjen e asaj që kishim bërë publike. E ajo që e kishim botuar, megjithatë, nuk ishte “…përpjekje të zakonshme për të mbledhur informata në një ambient të hutuar…”, por, në fakt, ishte ndikim i drejtpërdrejtë në ndërprerjen e procedurës së zgjedhjes së kryetarit, të cilën edhe vetë kryesuesi e cilësoi si shkelje të Rregullores së punës së Kuvendit, e madje edhe të Kushtetutës. Ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë në procesin e zgjedhjes së institucioneve. Për të cilën ne zgjodhëm t’i zbulojmë si fakte të pamohueshme.
Duam ta sigurojmë si zotin Dell ashtu edhe opinionin publik se qasja jonë ka qenë absolutisht etike dhe profesionale, pra për pasojë edhe e ligjshme. Kodi etik e ndalon ndërhyrjen në çështjen e thjeshtë private apo personale, pos në rastin kur këto kanë ndikim në interesin publik (neni 5.1., Kodi Etik i mediumeve elektronike). Ne kemi vlerësuar se zgjedhja e institucioneve të Kosovës dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në proces me anë të porosive që rrjedhin nga telefonat dhe komunikimet private, megjithatë janë në interes të përgjithshëm.
Për më tepër, e tëra ka ndodhur në ambientin e sallës së Kuvendit të Kosovës dhe jo në një ambient privat, ndërsa shkëmbimi i sms-ve u bë në kohën e votimit për President të Republikës dhe jo në kohë të ndonjë ahengu familjar, ku privatësia do të mund të konsiderohej mbrojtje.
Fotoreporterët, të cilët morën pamjet aty, nuk ishin futur fshehurazi, por ishin të akredituar për të përcjellë dhe raportuar për gjithçka që ndodh gjatë seancës, e cila me të drejtë kishte nxitur vëmendje të jashtëzakonshme të opinionit.
Prandaj, duke u mbështetur në misionin tonë, informimin e drejtë të opinionit publik, kemi pasur për obligim që me këtë ta njoftojmë publikun. Sepse në të kundërtën do të fshihnim informata shumë të rëndësishme, e kjo do të ishte barazi me mashtrimin, apo gënjimin e publikut.
Jemi të habitur me reagimin, i cili na u përcoll, ngase rridhte nga ambasadori, i cili me një deklaratë shumë të fuqishme vjet mbrojti integritetin e pronares së kompanisë KOHA, në kohën e vendosjes së një pllake në një rrugë të Prishtinës që ftonte në linç. Atëbotë, ambasadori Dell pati dalë në mbrojtje të lirisë së shprehjes që, për fat të keq, tash përpiqet ta inkriminojë sipas nenit 170 të Kodit Penal.
Jemi të shokuar me konstatimin se “përkundër mbështetjes së fuqishme dhe investimeve të konsiderueshme të qeverisë së SHBA-së për më shumë se dhjetë vjet disa prej mjeteve më të popullarizuara tuaja të shtypit ende nuk e kanë arritur as edhe nivelin më të ultë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë profesionale që korrespondojnë me pozicionin e përgjegjësisë publike që ata ushtrojnë”.
Kjo deklaratë është tronditëse mu për shkak të faktit se organizmat implementues të ndihmës së qeverisë amerikane për mediumet elektronike pas luftës, i kanë vlerësuar projektin e Kohavisionit (krahas RTV21) si projektet më të suksesshme që i ka zbatuar qeveria amerikane. Për më tepër, arsyeja se pse është investuar në mediumet elektronike private ka qenë vendosja e lirisë së shprehjes, e profesionalizmit dhe mbi të gjitha pavarësia editoriale, e cila është vlera më e madhe që e ka Grupi KOHA.
Kjo është një dhuratë shumë e çmueshme që Kosovës i është dhënë nga populli amerikan – që të kemi edhe mediume të lira dhe absolutisht të pavarura, pavarësinë që Grupi KOHA do ta ruajë përkundër të gjitha rrethanave dhe presioneve, qofshin ato edhe mëtime për t’u kontrolluar nga përfaqësuesi i shtetit amerikan. Ngase këtë ia kemi borxh shoqërisë kosovare”, thuhet në përgjigjen e Kohës Ditore dhe KTV-së.