ResPublica.al, 18 gusht 2011
“Shita demin e preferuar që të mund t’a laja në flori. Ky është një zakon shqiptar. I bleva një unazë floriri, një varëse, një byzylyk dhe vëthë. Më në fund familja pranoi”. Fjalët janë të një 37 vjeçari serb, Zoran Tomic, nga një fshat i thellë, nja 250 kilometra nga Beogradi që rrëfen martesën e tij me shkesi me një shqiptare muslimane nga veriu, një vit më të vogël se vetja. Historia vjen nëpërmjet Associated Press dhe ka në qendër një biznes martesash. I riu serb rrëfen se iu desh një kohë e gjatë kërkimesh për nuse nga fshati i tij i thellë dhe deri në veriun e Shqipërisë.
Ai udhëtoi disa herë në një fshat ku një shkes shqiptar i prezantoi gra të ndryshme por asnjëra nuk ia mbushi syrin derikur takoi Edmondën. Tomiç i tregon agjencisë AP se negociatat morën një ditë të tërë dhe më në fund prindërit e gruas pranuan. Të ndihmuar edhe nga një ofertë financiare. Historia e tij, vazhdon artikulli i AP është pak e ndryshme nga ajo e një çifti tjetër serbo-shqiptar në fshat ku burri është shumë më i vjetër se gruaja. Ai nuk e lejon të shoqen të komunikojë me pjesën tjetër të fshatit e madje as me bashkëkombasen e saj, Edmondën. “Ai është i vjetër dhe ndoshta ka frikë se e humbet”, thotë Zoran Tomiç.
Ai është ortodoks ndërsa Edmonda është muslimane. Ajo nuk e ha mishin e derrit dhe nëna e Zoranit e thërret “Muslimania”. Histori të ngjashme priten të marrin jetë kur autoritetet serbe t’u japin visto 8 mijë kërkesave për emigrim të paraqitura nga burra serbë për gratë e tyre shqiptare. Sipas AP është zhvendosja e të rinjve në të dy vendet që u hap rrugë aferave të tilla që në kushte të tilla do të ngjanin të pamundura duke patur parasysh armiqësinë shekullore serbo-shqiptare.
L.A.
*Artikullin e plotë mund ta gjeni në:
http://www.google.com/hostednews/ap/article/ALeqM5hGwusWwyWfR0oSajJMP8kq3Rg-iw?docId=352c3f09ecaa436db79b01dbca66f787