Dashnorja e Zogut zbuloi planin për rrëzimin e Nolit

0
22

TemA Online, 25 Dhjetor 2012

Zog, King of Albania.

Në një intervistë për Shekullin, studiuesi Nasho Jorgaqi shpjegon se si u zhvilluan luftimet për të marrë kryeqendrën shqiptare, gjë që bëri të binte Fan Noli nga pushteti dhe në vendin e tij të ngjitej Ahmet Zogu.

“Në fillim të dhjetorit ngjau braktisja e parë serioze, S. Delvina hoqi dorë nga posti i ministrit të Jashtëm e Noli u detyrua ta marrë vetë përsipër dhe këtë portofol. Tani raportet që dërgoheshin nga përfaqësitë diplomatike shqiptare binin direkt në dorë të Nolit. Me rëndimin e situatës, ai duhej të shqyrtonte me kujdes të gjitha të dhënat që vinin nga Beogradi, Roma, Londra, Athina, Gjeneva e Vjena. Përparësi kishin veçanërisht raportet që çonte nga Beogradi ministri fuqiplotë Ali Kolonja.

Informacioni i tyre ishte tepër i rëndësishëm, përderisa rreziku kryesor vinte prej andej. Kështu, me telegramin e 3 dhjetorit ai njofton qendrën se “një damë, e cila kishte marrëdhënie intime me Ahmet Zogun”, kish arritur të zbulonte planin sekret që ai po përgatiste me ndihmën e qeverisë jugosllave për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri. Zogu, siguronte ajo, ndodhej i fshehur në Beograd dhe lajmi i largimit të tij ishte sajuar.

Të dhënat qenë aq korrekte, sa raportit i bashkëngjitej dhe plani i detajuar i veprimeve, që do të ndërmerreshin në ditët e afërta. Kështu, më 5 dhjetor, Zogu do të arrinte në Prizren dhe pesë ditë më vonë do të niste operacioni ushtarak. Gruaja e panjohur i jepte këto të dhëna kundrejt një shpërblimi prej 20000 dinarësh dhe pretendonte për informacione të mëtejshme. Të dhënat e saj flisnin se në operacion do të merrnin pjesë jo vetëm ‘mercenarë shqiptarë të rekrutuar’, por dhe ushtarakë dhe oficerë rusë, të mbështetur nga forcat ushtarake serbe”, shpjegon Jorgaqi.

Madje, sipas tij, dashnorja e Zogut ishte aq e sigurt, sa jepte 10 dhjetorin si datë të fillimit të ofensivës ushtarake.

Pavarësisht këtyre, Noli kishte vetëbesim në legjitimitetin e qeverisë që drejtonte. Megjithatë, situata do të acarohej përfundimisht më 12 dhjetor, kut gjyqi politik shpalli vendimin e tij.

“Ai dënoi me vdekje Ahmet Zogun dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë si “autorë principalë të vëllavrasjes”. Kjo gjë erdhi në një kohë krejt të papërshtatshme, që i solli dëm autoritetit të Nolit”, pohon Jorgaqi.

Sipas Nasho Jorgaqit, kjo bëri që diplomatët europianë ta konsideronin këtë vendim si një hakmarrje politike dhe ardhja e një delegacioni nga Moska në Tiranë nxiti më keq propagandën armiqësore kundër Nolit.