Dashnor Sula: S’jam servil i Berishës, por kritikat e Markut e Xhepës ishin rrufe në qiell të pastër

0
37

TemA, 6 Korrik 2012

Deputeti demokrat thotë se Marku e Xhepa duhej të kishin folur në grupin e PD në vend që të dilnin në media. Ai thotë se Berisha e dallon kur një ministër është lodhur dhe e zëvendëson. Sipas Sulës, Berisha nuk shantazhohet në asnjë mënyrë

Një nga deputetët e Partisë Demokratike, Dashnor Sula, i është përgjigjur kritikave të Mark Markut dhe Selami Xhepës për qeverisjen e PD.

Duke folur për Panoramën, Sula i quan këto kritika një rrufe në qiell të pastër, ndërsa shton se në grupin e PD nuk ka më atë debat siç ishte në mandatin e parë. Dhe Sula nuk arrin ta kuptojë mirë pse ndodh kjo.

Shpreh keqardhjen time për mënyrën se si po trajtohen këto probleme. E them me keqardhje për arsye sepse unë nuk mund të pres që një ditë të bukur, si rrufe në qiell të pastër, gjithçka që është bërë nga PD-ja në këto tri vite të thuhet që është gabim dhe duhet korrigjuar brenda një dite apo një jave,” thotë Sula, që sugjeron se Marku e Xhepa duhet t’i shprehin kritikat e tyre brenda grupit të PD.

PD-ja është një familje e madhe dhe përpara se debatet të dalin në treg, duhet të diskutohen në mënyrë konstruktive, si tezat e Mark Markut, ashtu edhe të Selami Xhepës dhe kujtdo tjetër. Unë kam pasur edhe eksperiencën e mandatit të parë dhe në këto tre vite them se në grup nuk zhvillohet ai debat që ka ekzistuar në mandatin e parë. Nuk bëj rolin e servilit para zotit Berisha, por do të thosha se ky është defekt i grupit parlamentar të PD,” thotë Sula që shton se ndoshta kjo ndodh edhe për shkak të sistemit proporcional rajonal.

I pyetur se a ka lodhje në qeveri, Sula thotë se Berisha nuk të lë të lodhesh. “Ai ka aq nuhatje politike dhe me mënyrën se si i sheh gjërat, nëse një ministër cedon në punën e tij, e ka kurajën dhe guximin që menjëherë të bëjë ndryshime,” thotë Sula.

I pyetur nëse shantazhohet Berisha nga LSI, Sula thotë se Berisha nuk shantazhohet në mënyrë absolute.