Zgjedhje-2013, 28 Maj 2013
(Foto: Moore pas takimit me Ramën në PS)
TIRANE – Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore nisi sot takimet për zgjidhjen e ngërçit të KQZ-së.
FIllimisht Moore u takua me kreun e PS-së Edi Rama. Takimi i nisur nga ora 08:30 zgjati për gati një orë dhe pas tij, Moore shprehu mbështjetjen ndaj ambasadorit Arvizu duke nënvizuar se ai përcjell mesazhin e Washingtonit për një proces zgjedhor të saktë e të pranuar nga të gjithë.
TAKIMI I RAMES NISI NE 08:30 ZGJATI 1 ORE
Takimi në selinë PS-së nisi në orën 08:30 dhe përfundoi në orën 09:30. Pas takimit gazetarët i morën një prononcim zyrtarit të lartë amerikan.
Pyetje: A i propozuat ndonjë zgjidhje për KQZ zotit Rama?
Moore – “Ju faleminderit për pyetjen. Ky është vetëm takimi i parë dhe gjatë kësaj vizite unë do të kem takime me njerëz sot dhe nesër. Jam i kënaqur nga takimi me zotin rama. Pres me padurim të takoj kryeministrin, të takoj dhe zotin Meta.Do të bëj një vizitë dhe në Durrës dhe në fund do të kem më shumë për të thënë. Në këtë pikë, jam vetëm në fillim të vizitës.”
Pyetje: A shpresoni për marrëveshje për KQZ?
Moore – “Sigursht që ne na pëlqen të shohim, siç e kemi thënë shumë herë më parë, siç e ka bërë të qartë edhe Ambasadori Arvizu, duam të sigurohemi që njerëzit të kenë besim te procesi elektoral, te institucionet dhe në rezultatin e zgjedhjeve. Por siç e thashë, unë sapo e nisa vizitën time këtu. E vlerësoj mikpritjen dhe mundësinë për të qenë këtu në Shqipëri dhe do të kem më shumë për të thënë nesër, pasi të kem përfunduar vizitën time nesër në mbrëmje.”
RIKTHIMI I MOORE NE TIRANE
Moore zbriti dje në Tiranë dhe rikthehet, pas afro një muaji nga vizita e tij e fundit, e cila përkoi pikërisht me lëvizjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Më 26 maj kryeministri ashpërsoi gjuhën ndaj ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, në kuadër të kërkesës së tij për riformatimin KQZ-së në seancën e radhës së Parlamentit e cila pritet të mblidhet të enjten. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Elbasan, kryeministri i bëri të qartë ambasadorit se askush nuk ka mandat dhe të drejtë të interpretojë ligjet e një vendi tjetër.
“Ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira, unë dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjin. Shqipëria ka institucione demokratike. Janë larg të qenit të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to.Kur fillojnë të bëjnë gjykatësin kushtetues, gjykatësin e lartë apo të faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Kushdoqoftë! Ky është shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër, apo të marrë atributet, sepse mënyra se si funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është e mrekullueshme” tha Berisha më 26 maj.
VIZITA E MOORE U NJOFTUA ME 24 MAJ
Lajmi për vizitën e tij u bë e ditur nga Zëri i Amerikës, të njëjtën ditë (24 maj) kur ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu u bëri thirrje palëve politike të përpiqen të konstituojnë Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve seancën kur ishte njoftuar votimi i ligjeve dhe reformave të kërkuara nga Brukseli.
Funksionimi i cunguar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, i mbetur që prej një muaji me katër anëtarë vazhdon të jetë një shqetësim për komunitetin ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur disa herë shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e krijuar në KQZ dhe pasojat mbi procesin zgjedhor.
Koha në dispozicion për arritjen e një kompromisi për KQZ duket e shkurtër aq më tepër kur pak ditë më parë, vetë zoti Arvizu pranoi se qëndrimet e palëve janë shumë larg njëra-tjetrës. Ideja e socialistëve është se ndërhyrja, sipas tyre e dhunshme, e shumicës me zëvendësimin e anëtarit të LSI-së, mund të riparohet vetëm me një riformatim të komisionit. Por demokratët e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë procesin.