Darka e Pragës, si mesazh dhe si qëndrim

0
48

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 12.04.2010

Mungesa e kreut të shtetit apo e kreut të qeverisë shqiptare në darkën e shtruar në Pragë nga Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, me liderët e vendeve ish-komuniste, anëtare të NATO-s, u përngjan atyre goditjeve që fillojnë e ndihen me shumë të nesërmen dhe të pasnesërmen.

Pse nuk u ftua Shqipëria? Kjo pyetje, që mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë e bëjnë me veten e tyre, ka kumbimin e një shqetësimi të madh e të ligjshëm për marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë me SHBA-në dhe NATO-n.

A janë të shkëlqyera këto marrëdhënie? Apo diçka nuk shkon, për të mos thënë se diçka është prishur kohët e fundit në ecurinë e tyre!

Shenja të një ftohjeje, distance apo edhe fërkimi për çështje të ndryshme ka pasur herë pas here pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Në rastin me të mirë ato janë konsideruar si shprehje e një dialektike pozitive që shoqëron dhe mbush me jetë lidhjet mes vendeve dhe organizatave mike.

Në rastin e kundërt janë konsideruar si një sfidë e qeverisë “Berisha” ndaj parimeve dhe detyrimeve të anëtarësimit në NAT0 dhe si luhatje nga partneriteti strategjik me SHBA. “Darka e Pragës” me mungesën e Shqipërisë në tryezën e Obamës e rikthen këtë debat. Më saktë këtë shqetësim.

Ekzistojnë arsye për të justifikuar mungesës e një ftesë për krerët e shtetit shqiptar në atë darkë. Ambasada amerikane u shpreh përmes një zyrtari të saj se darka ishte fokusuar te vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Ambasada u kujdes të nënvizonte me këtë rast ndjenjat e thella të miqësisë që ushqejnë SHBA për popullin shqiptar, gjë që sigurisht na mbush me gëzim dhe njëherësh na kujton se këto ndjenja nuk janë vënë ndonjëherë në dyshim, por tjetër është dashuria për popullin dhe tjetër janë marrëdhëniet mes dy qeverive.

Në një formë të rrumbullakosur, Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u kap pas kriterit gjeopolitik, duke theksuar se “Shqipëria nuk ka lidhje me kontekstin e asaj që do të realizohet atje”.

Me fjalë të tjera, ajo ishte një darkë e ish-vendeve të Traktatit të Varshavës, që tani janë anëtarësuar në NAT0 dhe që dikush i konsideron si kordoni i ri sanitar i hapësirës euroatlantike me Rusinë. Shqipëria e vogël nuk e gjen veten në këto koordinata dhe prandaj nuk kishte përse thirrej.

Ky justifikim e ka një bazë, por nuk mjafton për të na mbuluar kokë e këmbë, siç thuhet. Në fund të fundit, nëse mungesa e ftesës nuk do të kishte asnjë justifikim, sot do të duhej të shënonin me dëshpërim pezullimin, për të mos thënë përjashtimin de fakto nga klubi euromarikan i NATO-s.

Nuk jemi në këtë pikë, por as për tu hequr sikur nuk ka ndodhur asgjë nuk jemi. Politika komunikon shpeshherë më shumë me gjeste se me fjalë. Dhe darka e Pragës diçka kërkon të komunikojë.

Sepse siç ekzistojnë arsyet që përligjin mungesën e ftesës, ekzistojnë edhe arsyet e kundërta që nuk e përligjin mungesën e ftesës. Prania e Kroacisë, me të cilën kemi qenë deri në fund në varkën e përbashkët të “Adriatik Treshit”, rrëzon të ashtuquajturin kriter gjeohistorik të pjesëmarrjes.

Nëse do të përdoreshin si kritere strikte, “historia” dhe “gjeografia” do na ndante nga vende si Estonia apo Çekia, por jo nga Kroacia. Në fakt vetë kriter gjeohistorik duket i kërkuar, për të mos thënë edhe pak komik në organizimin e një darke.

Sepse nuk kemi të bëjmë me një mbledhje apo samit që vendos në qendër të diskutimeve probleme me karakter të veçantë rajonal ku reflektohet edhe një histori e caktuar, siç është ajo luftës së ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit para rënies se perdes së hekurt.

Aq më pak kemi të bëjmë, siç u komentua nga ndonjë gazetë, me një demonstrim të Uashingtonit ndaj Moskës me ish satelitët e kësaj të fundit, që, për më tepër, nuk ishin të gjithë ish-satelitë. Politika e re amerikane, në veçanti politika e Obamës, shkon drejt konvergimit për çështje madhore ne Rusinë dhe jo e kundërta.

Vetë darka e Pragës u organizua në kontekstin e një marrëveshjeje shumë të rëndësishme mes presidentit amerikan Obama dhe presidentit rus Medvedev për reduktimin e armëve bërthamore.

Duket krejt e arsyeshme që presidenti Obama i thirri vendet ish komuniste, që janë bërë pjesë e NATO-s, pikërisht për të ndare me ta synimin dhe suksesin e një marrëveshjeje me Rusinë, që prodhon me shumë paqe dhe siguri në botë.

Obama i thirri mysafirët e tij jo në emër të NATO-s, por si President i Shteteve të Bashkuara. Kriteri i vetëm përbashkues i asaj darke ishte të qenët vend i ish-hemisferës komuniste, që tani bën pjesë në aleancën euroatlantike të udhëhequr nga SHBA. Në këtë kontekst, Shqipëria mund të thirrej pa provokuar asnjë vend tjetër absent të rajonit. Por kriteri përbashkues i Pragës tregoi se Shqipëria ishte i vetmi vend që nuk u thirr.

Qeveria e Shqipërisë mund të gjejë, po të dojë, më shumë se një strehë për të strehuar këtë mungesë. Por, e gjithë kjo besoj se do të merrej në mos si shprehje naiviteti, si një shmangie dhe mosdashje për të kapur e “hapur” mesazhin.

Është e njohur se në vartësi të peshës dhe momentit, diplomacia i “ambalazhon” mesazhet që dëshiron të përcjellë. Drejtuesit politikë kanë për detyrë t’i lexojnë ashtu siç janë dhe të reflektojnë në interes të vendit dhe të angazhimeve që kanë marrë në emër të popullit.

Si mesazh, mosthirrja e Shqipërisë në darkën e Pragës spikat në kontekstin e ngjarjeve pararendëse të njohura dhe të panjohura, që kanë lëshuar xixa në komunikimin dhe marrëdhëniet e kohëve të fundit të Shqipërisë me SHBA dhe NAT0-n.

Nuk mund te harrohet qëndrimi i rreptë kritik i përfaqësuesit të NATO-s në prononcimin e parë të nesërmen e zgjedhjeve të 28 qershorit! NAT0 i është afruar Shqipërisë në radhë të parë si aleancë vlerash dhe jo si një flamur elektoral i qeverisë. Ky lloj shpërdorimi konsiderohet një fyerje provinciale, që nuk do të tolerohet gjatë nga Aleanca.

SHBA kanë mbështetur nevojën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe e kanë konsideruar të padobishëm komisionin e njëanshëm të shumicës qeverisëse.

Ndërkaq projektligji për ndryshimin e ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror ka ngërthyer një spektër të gjerë papajtueshmërish për çështje të sigurisë globale midis qeverisë shqiptare në një anë dhe SHBA-së e NATO-s në anën tjetër.

Pas vizitës së Metës në SHBA, ky projektligj është dorëzuar në NAT0 apo është ngrirë, por problematika që ka motivuar ndryshimin e ligjit nuk është tejkaluar.

Nga ana tjetër një varg çështjes që kanë të bëjnë me tregtinë e armëve dhe municioneve nga Ministria e Mbrojtjes përpara anëtarësimit në NAT0, ku spikat tragjedia e Gërdecit, por edhe afera e raketave, janë e do të mbeten pengu i marrëdhënieve tona me Aleancën dhe SHBA-në deri në momentin kur të zbardhen plotësisht në rrugë institucionale.

Anëtarësia në NATO ka privilegje dhe detyrime. Kush ka llogaritur vetëm privilegjet nuk ka kuptuar asgjë.

Nuk mund të jesh në NAT0 dhe të sillet sikur nuk je në NAT0. Kjo do të kishte kuptimin t’ia punosh NATO-s. Sjellja e dyfishtë nuk pranohet. Mungesa e Shqipërisë në darkën e Pragës duhet të shërbejë si një ftesë për reflektim nga ana e autoriteteve të Tiranës.

Ajo që ndodhi, mendoj se duhet lexuar si gjesti i mbajtjes jashtë me dashje, si një qëndrim, madje edhe si një paralajmërim amerikan. Historia në këtë pikë kthehet si përsëritje për kryeministrin Berisha.

Por, ai e ka ende në dorë që historia të mos përsëritet deri në fund, duke qartësuar e zhbllokuar me nijetin me të mirë të mundshëm gjithçka që nuk shkon në marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë.

Miqësia me SHBA-në dhe anëtarësia në NAT0 janë dy nga pasuritë më të mëdha të popullit dhe kombit shqiptar. Askush, asnjë autoritet, nuk ka të drejtë t’i dëmtojë këto pasuri.