Nga: Murat Gecaj
1.
Siç është bërë e njohur nga shtypi i shkruar e ai elektronik, por dhe nga rrjetet e ndryshme sociale, nga data 11-15 nëntor 2015, ishte i çelur Panairi i Librit “Tirana-2015”, në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Ndër përurimet e shumta të botimeve të reja, të paraqitura aty, ishte libri “Rizgjimi i Arbërisë”. Ai ka autor birin e Gostivarit, Sadulla Zendeli, i njohur dhe me emrin nderues”Daja”, si nga Bashkësia Shqiptare në Suedi, ku ai jeton tash 50 vjet, por dhe më gjerë.
SHB “Toena”, e cila e ka përgatitur e publikuar këtë libër, organizoi përurimin e tij, një ditë para mbylljes së tërë Panairit. Ishin të pranishëm shkrimtarë e poetë, publicistë e studiues të ndryshëm, kolegë e miq të autorit etj. Veprimtarinë e hapi drejtoresha e SHB “Toena”, Irena Toçi. Ajo nënvizoi faktin se Daja është autor i disa librave, me poezi e prozë dhe i katër fjalorëve të rëndësishëm. Në të gjithë ata, ai ka shprehur përkushtimin e vet atdhetar, arsimor e kulturor, shkencor etj. në shërbim të bashkëkombësve të vetë.
Në vazhdim, sidomos për krijimtarinë letrare të Dajës dhe përmbajtjen e librit të ri, foli shkrimtari e poeti, Namik Selmani. Ndër të tjera, ai tregoi se, bazuar në tërë punën e palodhur të Sadulla Zendelit-Dajës, komuna e vendlindjes, Gostivari i ka bërë vlerësim të merituar, duke e shpallur “Qytetar Nderi”, në 80-vjetorin e lindjes së tij, pra në qershor të këtij viti. Me atë rast, atje u përurua libri kushtuar atij, “Ju dua më shumë se veten”, i cili ka autor shkrimtarin e mirënjohur Viron Kona , me banim në Tiranë.
Disi më e veçantë ishte fjala e prof. Gjovalin Shkurtaj-Akademik. Me gjuhën e specialistit të afirmuar të gjuhësisë, ai theksoi vlerat e shumta të katër fjalorëve, që kanë autor Sadulla Zendelin. Sidomos, u ndal në punën voluminoze e të mirë, që ka bërë Daja gjatë përgatitjes së fjalorëve, suedisht-shqip(1994 e 2004)dhe shqip-suedisht(Tiranë, 2014), ky i fundit me afër 1.600 faqe dhe35.00 fjalë.
Në këtë veprimtari përuruese foli dhe Agim Xhaka, ndërsa Xhelal Luca recitoi poezi të autorit. Ndërsa, gjatë përurimit, Nasuf Myftari përgatiti e ia dhuroi Dajës një vizatim, me portretin e tij.
Në mbyllje të tërë veprimtarisë, mjaft emocionuese ishin fjalët e autorit Sadulla Zendeli, i cili i falënderoi përzemqrisht folësit dhe gjithë pjesëmaarrësit etj. Ndërsa kënaqësi e veçantë ishte, si për autorin e miqtë, kur ai ua dha atyre me nënshkrim e dashamirësi, librin që sapo u përurua.
2.
Është e kuptueshme se mund të flitej e të shkruhej gjatë për librin e ri të Sadulla Zendelit-Dajës. Por do të tregojmë vetëm pak rreth përmbajtjes së tij, më tepër me gojën e vetë autorit. Në përfundim të përurimit, ndër të tjera, ai tha :”Rizgjimin e Arbërisë” e përbëjnë episode, ngjarje, emocione e përjetime të mijat. Në përgjithësi, ato janë lule dashurie për mëmëdheun e njerëzit e mirë shqiptarë ose cilindo tjetër në këtë botë, ku jetojmë. Ato janë përjetime të bukura ose tronditëse të jetës dhe veprimtarisë së një mërgimtari, që edhe sot në moshën e thyer, 80-vjeçare, mendon e punon pa u kursyer, po me ato vrulle të vërteta shpirti dhe zemre, të cilat ma nxjerrin gjumin dhe ma zgjatin ditën, më rinojnë dhe m’i shtojnë dëshirat për të punuar me energji të reja…”.
Ky libër, me poezi, kujtime e artikuj, përmban 430 faqe dhe është i shoqëruar me mjaft fotografi. Hapet me pak fjalë hyrëse nga miku i shquar i shqiptarëve, suedezi Ullmar Kvik.Në pjesëne parë janë botuar shumë poezi të frymëzura për vendlindjen, atdheun e bashkatdhetarët shqiptarë të Sadulla Zendelit-Dajës, kudo që ata ndodhen.
Në pjesën e dytë, “Proza”, mund të veçojmë shkrimet: “Dashuria për vendlindjen dhe gjuha shqipe në mërgim”,”Dëshmi për hapjen e shkollës shqipe në Suedi”, më 1975(ku Daja ishte nismtar e mësues i saj),”Kosovë, mos na largo nga vendi ynë!” etj.
Domethënës është dhe shkrimi i V.Konës, botuar në pjesën e tretë, rreth një libri të Dajës, ““Gostivari, në zemrën time”, himn lirie dhe heroizmi”.Po aty janë botuar disa poezi, që autorë të ndryshëm i kanë kushtuar atij, në kohë të ndryshme.
Pjesa e katërt dhe e fundit e këtij libri ka urimet për Dajën, me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Ato janë dërguar nga miq të shumtë të tij, me banim në Shqipëri, në vendndlindjen Gostivar, në Kosovë etj., por dhe në Suedinë e largët. Në mbyllje janë fjalët vlerësuese të recensentit të këtij libri, shkrimtarit e publicistit të njohur, Viron Kona.
…E përgëzojmë përzemërsisht autorin e librit “Rizgjimi i Arbërisë”, Sadulla Zendelin-Dajën dhe i urojmë jetëgjatësi e krijimtari sa më të frytshme, në shërbim të shqiptarizmit, kulturës dhe shkencës shqiptare!
Tiranë, 16 nëntor 2015