“Çunat e Bllokut” që shpresojnë tek dhuna

0
40


Nga Mero Baze

Ka një përpjekje të pushtetit për të ndjellë dhunën ditën e premte. Berisha po bën sa mundet me retorikën e tij prej rrahagjoksi, që “nuk i hap rrugë njeriu”, ndërsa partneri i tij në pushtet Ilir Meta po merr atributet e Ministrit të Brendshëm dhe po njofton për rekrutime grupesh kriminale në disa qytete prej opozitës. E gjithë kjo mërmërimë pushteti kundër demonstrimit të së premtes, në të vërtetë nuk është as burrëri dhe as frikë nga pushteti, por thjesht një lloj ankthi. Ata në të vërtetë nuk dinë se çfarë duan të ndodhë të premten. Kur mendojnë që mund të shëtisin njëqind mijë vetë rrugëve të Tiranës dhe të mos ndodh asgjë, gëzohen me vete, por do të nxitojnë të mërzisin mbështetësit e opozitës që ishin frikacakë.

Kur mendojnë se dikush prej atyre qindra mijëra vetëve mund të humbasë durimin dhe t’i vërë shkëndijën përleshjeve me qeveritarët tremben, por shpresojnë që të gëzohen nga akuzat e gatshme që kanë parabërë për destabilizim. Paqartësia e tyre se si është mirë të jetë e premtja për ta, është në të vërtetë në bazën e gjithë retorikës kërcënuese që po mbush ekranet këto dy ditë. Është kjo paqartësi që po i detyron ata të shfaqen si një shtet politik para qytetarëve, ku një ish zëvendëskryeministër i shkarkuar si hajdut nga detyra javën e shkuar, bën rolin e kryepolicit të regjimit, ndërsa një kryeministër që i ka shokuar qytetarët me rrëshqitjen e tij psiqike, betohet duke u çjerrë me zë të lart për normalitet.

Unë nuk e di si do të jetë e premtja. Nuk di nëse qytetarët do të demonstrojnë dhe do të ikin në shtëpi, apo do të ulen në bulevard. Nuk di nëse Berisha do të guxojë të dalë në dritare t’i përshëndesë dhe ata ta tolerojnë. Nuk di nëse Familja Berisha, dhe këtu kam parasysh gjithë mbesat, dhëndurrët e nuset, do të largohen nga Tirana atë ditë, apo do të rrinë në shtëpi të tyre, për të parë nga afër protestat. Nuk di nëse familja e Ilir Metës do të marrë masa mbrojtëse, apo e ndjen veten e qetë. Por di që njerëzit janë zemëruar me qeverisjen dhe qeveritarët dhe do të dalin në rrugë. Kishte dhjetëra mënyra për tu ndalur deri më sot. Bile me këtë opozitë të moderuar që ka Shqipëria, kishte mundësi që kjo pjesë e popullit mos ta njihte kurrë përplasjen në rrugë. Por Berisha e ka sjellë çështjen tek rruga.

Ai konsumoi për një vit e gjysmë shansin për dialog politik rreth transparencës së zgjedhjeve dhe po konsumon me cinizëm avokatinë e një plaçkitje publike të shqiptarëve, që u shfaq me zë dhe figurë në ekranet shqiptare nga njerëzit e tij. Dhe njerëzit për këtë do të dalin të premten në rrugë. E sigurt është se askush nuk del as për të vrarë, as për të vjedhur dhe as për tu pasuruar, por dalin kundër vrasjeve që po shtohen përditë, kundër çmimeve që po kapin qiellin, kundër plaçkitjeve që po rrënojnë vendin përditë dhe kundër pasanikëve të rinj të Familjes Berisha që po bëhen pronarë de facto të Shqipërisë. Sali Berisha dhe Ilir Meta mendojnë se janë duke provokuar Edi Ramën apo aleatët e tij duke shpikur lloj- lloj skenarësh. E kanë gabim. Kjo opozitë ka dhënë prova të panevojshme për të na mbushur mendjen të gjithëve që është shumë gjaknxehtë.

E sigurt është se askush në këtë vend nuk mund të vijë në pushtet përmes dhunës, por më e sigurt po bëhet psikoza se kur në një vend humbet shpresa për të ndryshuar pushtetin me zgjedhje, dhuna kthehet në alternativë të rrezikshme. Berisha po e ndjell dhunën. Po e ndjell me shpresë dhe makth, me shpresë se do të jetë aq pak sa t’i bëjë punë atij dhe të mos ndihmojë kundërshtarët. Ilir Meta po ashtu po e ëndërron dhunën, pasi mendon se ajo është e kontrolluar dhe s’mund të shkojë në ekstrem. Do të ishte më mirë mos ta ndillnin atë, se me këtë opozitë të pafuqishme politike për të menaxhuar pakënaqësinë popullore që ka tejkaluar aspiratat e opozitës, Zoti na ruajt nëse një shkëndijë i vë zjarrin situatës.

Unë besoj se të premten në rrugë nuk do të dalin as hajdutë, as vrasës dhe banda nga ato që shikon në ëndërr Ilir Meta. Në rrugë do të dalin qytetarët e zemëruar. Nëse ata provokohen nga hajdutë apo banditë, është keq për pushtetin. Është keq për të gjithë ne, që çdo orë që kalon kemi më pak fuqi për të qenë përfaqësues të këtij zemërimi. Nëse Ilir Meta ka borxhe ndaj Lulëzim Bashës personalisht si “çuna të Bllokut”, është mirë t’ia kthejë personalisht dhe jo duke provokuar si Ministër i Brendshëm në hije i qeverisë Berisha. “Çunat e Bllokut” të Berishës, janë kthyer në një neveri për qytetarët shqiptarë, njësoj si çunat e Bllokut të Enverit në vitin 1990. Unë shpresoj që e premtja të jetë një ditë e bardhë për qytetarët shqiptarë të zemëruar, që ata të ndjehen zot të vetes së tyre. Por nëse Meta dhe Berisha e duan doemos të Premte të Zezë, duhet tua heqim këtë kënaqësi. Qofte dhe me dhunë.