Ç’thuhet të nesërmen e ngjarjes dramatike?

0
25


Mustafa Nano

Ky ishte kulmi i dhunës së ushtruar dje nga opozitaPersonalisht, mbrëmë deri në orën 22.30 kam qënë tepër i balancuar, dhe këtë e kam bërë së pari në respekt të informacionit që kisha (ngjarja ishte ende në terr), dhe së dyti për t’mos shtuar kripë mbi shëllirë (kish ankth e dhimbje gjithandej). Sigurisht, e dija qysh në fillim se qeveria ishte përgjegjëse për gazin lotsjellës, e për rrahjet pasionale që policët u bënin disa protestuesve ndërkohë që rrëmuja ishte fashitur, e dija se qeveria po bënte akuza si ato që bën përherë (dmth që opozita sundohet nga falangat e krimit e nga grupet kriminale, etj), por dija dhe tjetrën, që protesta u la pa drejtim. Për më tepër, në orët e para të mbrëmjes zuri të qarkullonte “versioni zyrtar në formë thashethemnaje i qeverisë”, sipas të cilit tre protestuesit janë vrarë nga vetë protestuesit. Këto dyshime i dëgjova për herë të parë nga tre kryeredaktorë gazetash, të cilët e besonin këtë version.

Madje, që të tre ishin të sigurtë se ishte Edi Rama ai që i ka kurdisur këto vrasje (në mënyrën më të çuditshme ky version jepej si lajm edhe në gazetën e sotme Panorama, në faqen tre, me titullin “vrasje e dyshimtë para kryeministrisë”). Më pas, këtë version të besuar nga kolegët e mij e dëgjova nëpër ekranët e televizorëve nga goja e atyre që e kishin nxjerrë këtë sendërgji. Berisha, Basha, Olldashi, deri dhe personazhi më fantazmagorik i Shqipërisë së 20 viteve të fundit, Arben Imami, e thanë troç apo me nënkuptime, se prapa vrasjeve qëndron dora e Edi Ramës.

Në këto rrethana i thashë vetes: Hej, tani mos u ngut, pasi kjo që po të dëgjojnë veshët është e llahtarshme! Megjithatë, pavarësisht skrupujve e dyshimeve që m’u kallën me përdhunë, deri në fund kam denoncuar akuzat e pabazuara në fakte të bëra nga ana e qeverisë në adresë të opozitës që na paskësh qëlluar mbi veten. Mirëpo pas orës 22.30 doli e vërteta në shesh; doli pra që asnjë protestues, asnjë për be, nuk është parë të ketë patur (apo të ketë qëlluar me) armë zjarri, doli që policia ka qëlluar me armë mbi një turmë krejt të pambrojtur, doli që të vrarët janë shkaktuar sipas shumë gjasave nga plumba të policisë. Nga ai moment gjërat janë më të qarta. Për mua.

Po për të tjerët? Është interesant të vihet re reagimi i të gjithëve një ditë më pas; sidomos, reagimi i elitës intelektuale, i scholar-ëve, i njerëzve të dijshëm, e columnist-ëve të këtij vendi. Ky lloj reagimi mund të shihet – e ku tjetër? – në gazeta. Nuk është se kanë patur mundësi të flasin të gjithë; ka folur një pjesë e tyre; kanë folur ata që, mirë a keq, drejt a shtrembër, e thonë shpejt e shpejt të tyren. Të tjerët, që kanë mendje më dinake, ose ndoshta më të ngathët, janë duke vëzhguar nga anon kandari i opinioneve për t’u hedhur nga shumica, ose janë duke pritur të ndriçohet ngjarja (këta të fundit kanë njëzet vjet që presin të ndriçohet ngjarja). Çfarë vihet re? Vihet re që një pjesë e madhe bëjnë me faj e me turp opozitën. Ndoshta i kanë shkruar komentet përpara se të merrej vesh e vërteta mbi policinë që gjuan mbi turmën?

Apo ndoshta i mendojnë ato gjëra dhe sot? Nuk e di. Ajo që di është shumë e thjeshtë: këta i kanë dhënë karar punës të dramatizojnë e të nënvizojnë dhunën e programuar të ushtruar mbi policët nga protestuesit (e injorojnë faktin, që këta të fundit kanë qënë të paarmatosur; nuk ka asnjë provë qeveritare apo mediatike që të na bëjë me dije se ka patur protestues të armatosur), dhe të mos i mëshojnë fare faktit, që policia ka qëlluar me armë zjarri mbi një turmë të paarmatosur, të parrezikshme e të pambrojtur opozitarësh, duke vrarë – në këtë përfundim të çojnë pamjet që pamë – tre prej tyre.

Ermal Hasimja bën një apel të arsyeshëm për qetësi, por rezultantja e shkrimit të tij në Panorama është një zemërim elokuent ndaj dhunës së ushtruar nga opozita. Asnjë fjalë për të vrarët nga policia. Në të njëjtën gazetë, Ilir Kulla e evidentonte qysh në titull mesazhin e shkrimit të vet: Unë dje isha polic. Nuk e lexova shkrimin; më mjaftoi titulli; e në këtë kuptim nuk e di nëse ai dje ishte një nga ata policët që qëllonin nga frëngjitë e kryeministrisë, apo një nga ata që qëllonin mbi trupa njerëzish me shkop gome, pasi demonstrata kish rënë.

Dhe poshtë Ilir Kullës ishte një shkrim i Amik Kasoruhos, i cili e kish gjithashtu me Edi Ramën. Henry Çili, në gazetën e tij MAPO, hedh idenë për dialog e kompromis pas asaj që ndodhi, por kur vjen puna tek qëndrimi, bën të njëjtën gjë: asnjë fjalë për policët që kanë shtënë në mish të pambrojtur njerëzish. Ndërsa Alfred Lela dukej se i kish vënë vetes një qëllim, teksa ka qënë duke bërë shkrimin: të rivalizonte Lulzim Bashën e Sokol Olldashin. Sabri Godo ecte në të njëjtën linjë në gazetën Shqip: e hidhte fajin mbi opozitën.

Të gjithë këta mund të kenë alibinë, që shkrimet t’i kenë bërë para se të merrej vesh e vërteta mbi vdekjen e tre protestuesve, por prapëseprapë, kanë patur kohë për t’i tërhequr këto shkrime; kuptohet, nëse nuk mendojnë ende sot njësoj si dje. Apo e vërteta nuk është kjo që unë besova, teksa shihja pamjet e filmuara para kryeministrisë? Apo ka fakte të tjetra, të cilat ata i dinë e unë nuk i di? Mos është e vërtetë që protestuesit janë vrarë nga protestuesit? Ok, unë po e lë një brimë të vogël dyshimi. Por ndërkohë, qëndrimet i mbajmë mbi bazën e asaj që dimë me siguri në një moment të caktuar.

Nuk mungojnë dhe zërat, që e shohin ndryshe këtë histori. I pari është Rexhep Qosja, pastaj Max Velo, Pëllumb Xhufi, Dashamir Shehi, Artan Lame, Mero Baze, Ardian Klosi, Ardian vehbiu, Andrea Stefani, Sokol Shameti, të cilët në një formë a në një tjetër fajësojnë qartësisht pushtetin dhe kërkojnë dorëheqjen o të qeverisë, o të kryeministrit. Nuk përjashtohjet mundësia, që këta të fundit t’i kenë dhënë këto mendime përpara se të informoheshim mbi sjelljen kriminale të policisë (një pjesë e tyre nuk kanë pritur ngjarjet e djeshme për të krijuar në mendim të saktë mbi kreun e pushtetit të sotëm), dhe nëse është kështu, sot do të duhet të jenë edhe më të prerë e më të qartë në opinionet e tyre.

Kjo ishte panorama e mendimeve dhe qëndrimeve të asaj pjesë të elitës shqiptare, që e ka parë të udhës ta thotë të vetën shpejt e shpejt. Të tjerë do të flasin sot, e nesër, e pasnesër. Dhe më mirë të flasin. Le të njohim më mirë sho-shoqin. Ndoshta kjo do të na ndihmojë për të kuptuar se sa i thellë dhe i gjerë është hendeku që na ndan, se ç’lloj hendeku është (politik, kulturor, ideologjik, ekonomik, tribal, apo i ndonjë lloji tjetër), e se si mund të ngrejmë ura komunikimi. Apo s’bëhet fjalë për ura komunikimi? Mos më thoni “po”; do të ishte fatale.