Sajmir Lohja
Në Shqipëri do të kryhet regjistrimi i popullatës gjatë tërë muajit Prill 2011. Një shtet bën regjistrime të popullatës për gjëra konkrete, të prekshme: njeriu vetë (emri), familja, adresa, shtëpia, pasuria, pronësia, punësimi e biznesi. Këtë shteti e bën me qëllimin për të mbledhur taksat, për qëllim votimesh, për të planifikuar shërbimet dhe zhvillimet e ardhshme të qytetarëve të tij. Prandaj nuk ka kuptim që shteti të bëjë regjistrim fetar (ideor), sepse kishat apo xhamijat e bëjnë vetë regjistrimin e klientëve të tyre.
Ajo që duhet të bëjë shteti për kishat e xhamijat është regjistrimi i pasurive të luejtshme e të paluejtshme të tyre, por për të njëjtin qëllim: tatimin e tyre. Kishat e xhamijat janë pasuri e Shqipërisë dhe si të tilla i japin llogari vetëm shtetit shqiptar, i cili gjithashtu e ka për detyrë t’i vëzhgojë për t’i mbrojtur edhe se mos bien në grackën e veprimtarive armiqësore kundra shtetërore dhe kundra kombëtare.
Besimi fetar nuk ka qenë apo është platformë bashkuese e përfaqsuese për shqiptarët, prandaj çdo vijëzim apo ngjyrim fetar është në dëm të shtetit dhe kombit shqiptar. Për shkak të paditurisë kombëtare, nxitjes nga jashtë si dhe urrejtjes së edukuar nga klerikët fetarë, të cilat sollën luftën midis shqiptarëve të krishterë dhe atyre moslemanë, shqiptarët humbën para rreth 200 vjetëve atë që sot njihet me emrin Greqi. Edhe në rastin e të menduarit më të mefshtë, më të cekët e më të ngushtë, i cili pranon se “s’ka ndonjë gjë të keqe regjistrimi i përkatësisë fetare”, duket se harrohet me dashje ose pa dashje situata e Shqipërisë dhe nga cilët rrethohen shqiptarët.
Së pari harrohen grekërit, të cilët janë si zombis (të ngriturit nga varret) që kërkojnë Epirin, një ndarje administrative romake e më shumë se 2000 vjetëve të shkuara. Po ashtu, nga mesi i shekullit XIX, grekërit psallmuan idenë e Greqisë së Madhe (Megalidhea) me qëllim rilindjen e perandorisë fetare bizantine, të tretur në mesin e shekullit XV. Që atëhere, me synimin për një Greqi të Madhe, grekërit kanë kryer luftra me tërë shtetet përqark, kanë pushtuar toka, kanë kryer masakra të panumërta, përzënie të popullsive dhe genocide. Frymëzimi dhe mjeti i realizimit të Greqisë së Madhe ka qenë e është kisha. Për grekërit, ashtu si edhe për vëllezërit e tyre bizantinë serbë, kisha është shenja e pushtimit të tokës dhe popullatës.
Për grekërit, “grek” është kushdo që është i besimit fetar lindor (ortodoks). Grekërit kanë 20 vjet që po investojnë për këtë regjistrim duke iu dhënë “pensione” shqiptarëve që pranonin të deklaroheshin “homogjenos grekos” për një vizë vizitori. Së dyti harrohen levantinët shqiptarë (të spjeguar nga Faik Konica 100 vjet më parë), të cilët shndërrohen shpejt në specien “shitarë” mjafton të jenë ato që s’janë. Së treti harrohen glasat politike shqiptare që e kanë bërë Shqipërinë zyrtare këto 20+ vjet një vend që i plaçkiten pasuritë natyrore dhe njerëzore, si dhe një shtet të nëpërkëmbur.
Në Shqipërinë komunistë njerëzit dënoheshin deri me pushkatim nëse iu ngrihej kurthi i të menduarit ndryshe. Prandaj edhe pyetjet e vrazhda “I cilit besim fetar jeni?” apo ato të perëndimuara “A e praktikon besimin tuaj fetar?” janë të pakuptimta, fyese dhe armiqësore për Shqipërinë e shqiptarët. Tani, në Shqipëri nuk dënohet apo përndiqet njeri prej besimit fetar vetjak. Prandaj, s’ka ndonjë arësye për të regjistruar se sa vetë përndiqen apo dënohen për shkak të ndonjë besimi fetar.
Meqenëse tani me Kushtetutë, shteti shqiptar është i ndarë nga feja, atëhere organet themelore të ruajtjes së shtetit shqiptar, Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata Kushtetuese, kanë për detyrë të shpallin të pavlefshme çfardolloj pyetje fetare në formularin qeveritar të regjistrimit të popullsisë. Akoma, Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata Kushtetuese kanë për detyrë të fillojnë ndjekjen ligjore për tërë ato që kanë organizuar, urdhëruar e porositur futjen e pyetjeve fetare në formularin e regjistrimit të popullsisë.
Ndonëse do nevojitej kohë me numëruar institucionet e universitetet shtetërore, universitetet personale dhe zyrat e shoqatave jo-qeveritare në Shqipërinë zyrtare, si dhe gazetat e pavarura (nga Shqipëria), prapseprapë ato nuk bëzajnë në lidhje me çeshtjen në fjalë. Ato nuk bëzanë edhe kur ishin përpjekjet për të realizuar dhurimin e porositur të detit shqiptar Greqisë. Ato nuk bëzajnë edhe për plehrat europiane që mund të mbulojnë e tymosin me helme tërë Shqipërinë.
Prandaj është mision i sejcilit që i thotë vetes shqiptar të ndikojë që pyetjet fetare, edhe ato të “butat”, të hiqen nga pyetsori. Nëse shitarët dhe mendjecekëtit nuk i heqin, atëhere të veprojë (dhe t’ia thotë kujtdo që njeh) që në përgjigje pyetje të tilla të zhgarraviten (t’iu hiqet viza). Ky mision nuk është për thashethemexhijtë, nuk është për ato që rrijnë ulur galiç tek guri i derës, nuk është për vigjilentët dhe të emëruarit e tufëzave politike shqiptare.
Shpirtin e vet e di sejcili vetë dhe të tjerët s’kanë punë me të. Nëse dikush dëshron të besojë në ndonjë rrëfim, le të besojë; ajo është çeshtje vetjake e brendshme dhe ideore, ashtu siç është shpirti i njeriut.
Saimir Lolja
Tirana Observer 14-02-2011
Fakto Ditor 17-02-2011
Shekulli 17-02-2011
Illyria 22-02-2011