Ç’po ndodh me projektligjin e tërhequr të SHISH-it?

0
26

Preç Zogaj, 22.07.2010

Në ditët kur po binte sëpata e madhe mbi buxhetin, tashmë fiktiv për vitin 2010, duke provuar, më e pakta, një gabim trashanik në planifikimin nga Ministria e Financave, ja ku nxori kokën edhe projektligji i tërhequr, i pezulluar, i ngrirë, i fshehur, a kush e merr vesh, i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Pikërisht, ai projektligji që ngriti në këmbë muaj më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm, zotin Rasmussen. Ky i fundit përdori telefonin, por erdhi edhe vetë në Tiranë për t’u siguruar se Qeveria dhe Parlamenti shqiptar nuk do të miratonin një projekt që u binte ndesh standardeve të Aleancës së Atlantikut të Veriu, ku Shqipëria bën pjesë prej më shumë se një viti.

Nuk ka qenë e vështirë për vëzhguesit dhe analistët politikë të perceptojnë dridhjet që përjetuan në atë periudhë marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Amerikanët, që kanë qenë protagonistët e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i konsideruan disa prej ndryshimeve të ligjit për SHISH-n si cenim të interesave globale amerikane të sigurisë.

Duke qenë se falë lidhjeve të ngushta me Shqipërinë amerikanët e kanë mësuar se ku mbaron virtyti dhe ku fillon dinakëria e politikanëve shqiptarë, si dhe me të drejtën e vëllait të madh për të folur hapur e pa doreza me vëllanë e vogël, ata, me gjasë, nuk u mjaftuan me kërkesën për tërheqjen e projektligjit, por sqaruan edhe qëndrimin që do të mbanin nëse projekti miratohej.

Qëndrimi ishte pak a shumë ky: dy vendet nuk do të mund të qëndronin si më parë në të njëjtën Aleancë. Në leximin më të thjeshtë të këtij qëndrimi, kuptohej dhe kuptohet se nuk do të ishin Shtetet e Bashkuara që do të largoheshin nga Aleanca. Kjo e folur prej miku, edhe pse disi e sertë në pamje të parë, ishte një ndihmë e madhe për qeverinë dhe kryeministrin Berisha.

Me tonet e reja që futi në komunikim sekretari Rasmussen, si një person i tretë në raport me palët, por, ndërkohë edhe si personi i të gjitha palëve, qeveria deklaroi tërheqjen e projektligjit për ta konsultuar me shërbimet e NATO-s.

U evitua një aventurë me pasoja të rënda për vendin tonë të vogël, por u ruajt edhe nderi i qeverisë së ligjshme. Me këtë rast, publiku i gjerë kuptoi se fabula e ndryshimeve në ligjin e SHISH-it ishte më e thellë se sa një tundim i zakonshëm i kryeministrit Berisha për të grumbulluar e kontrolluar sa më shumë pushtete.

SHBA dhe NATO nuk po reagonin thjesht kundër këtij tundimi, siç bëjnë rëndom në raportet e tyre periodike për të drejtat e njeriut dhe funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Në kohën tonë të globalizmit dhe ndërkomunikimeve, sfida e politikanëve modernë është të lehtësohen dhe jo të mbingarkohen me pushtete. Mbingarkimi me pushtete në kohën tonë është vetëvrasje për drejtuesit e lartë.

Pra, shqetësimi i madh nuk ishte që Berisha po kërkonte ta kishte të tijin SHISH-in më shumë se sa e kishte dhe e ka. Reagimi i SHBA dhe NATO-s kishte të bënte me çështje madhore të sigurisë dhe bashkëpunimit brenda Aleancës; kishte të bënte me konceptet, vizionet dhe detyrimet e përbashkëta në kushtet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; kishte të bënte me pasojat dhe precedentët që do të hapte në jetën e familjes euroatlantike plangprishja e një vendi anëtar, devijimi nga rregullat e përbashkëta apo, me keq, loja me dy porta.

Falë qëndrimit amerikan, por edhe prononcimeve të zotit Rasmussen, publiku shqiptar krijoi perceptimin e duhur dhe shqetësimin e duhur për problemin e krijuar. Me dy fjalë, projektligji i ri për SHISH-in na krijonte probleme pikërisht me ata që u detyrojmë tempuj mirënjohjeje: me SHBA-në dhe NATO-n. Shqiptarët harrojnë, bëjnë sikur harrojnë apo falin për shumë gjëra. Por ata nuk do t’ia falnin askujt ftohjen apo fërkimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe tjetra, ata e mendojnë jashtë imagjinatës çdo skenar dhe çdo zhvillim që do të vinte në dyshim anëtarësinë e Shqipërisë në NATO. Edhe pse ka pasur e ka politikanë që e kanë pranuar me tam-tame këtë ngjarje historikë ngaqë nuk kanë pasur mundësi të pengojë; edhe pse ka e do të ketë politikanë të penduar që do ta shohin anëtarësinë si një pengesë për arrivizmin dhe frymëzimin e tyre politik antiperëndimor.

Që me 28 prill, kur Rasmussen vizitoi Shqipërinë, projektligji për SHISH kishte rënë në qetësi, sado që nuk është thënë ndonjëherë qartë se me çfarë mendje e tërhoqi qeveria: Për të lenë mënjanë? Për ta riparë me ekspertët e NATO-s? Për ta parë me ekspertët e BE? Për ta parë me ekspertët e NATO-s dhe BE-së njëkohësisht? Për ta kaluar, siç është, tinëzisht, në një moment të përshtatshme?

Përballë presionit ndërkombëtar, formalisht, qeveria është angazhuar ta konsultojë ligjin me ekspertë ndërkombëtarë. A kanë përfunduar këto konsultime? Çfarë ndryshimesh janë bërë? A janë të kënaqur në zyrën e Inteligjencës e NATO-s më këto ndryshime? Po Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Këto pyetje të thjeshta kërkojnë përgjigje të thjeshta.

Askush nuk i jep. Përkundrazi, deklaratat sporadike të ndonjë deputeti dhe qëndrimet e ditëve të fundit të LSI-së e shtojnë paqartësinë rreth asaj që po ndodh në prapaskenë.

Çfarë po ndodh në të vërtetë? PD e ka përfshirë projektligjin e famshëm në kalendarin e punimeve të Kuvendit për muajin korrik, që mbyll sesionin.

Disa media dhe zyrtarë politikë, që nuk kanë dashur të identifikohen, kanë ngritur dyshimin se shumica parlamentare, me të parë e me të bërë, mund ta votojë projektligjin vetëtimthi, në një moment kur askush nuk e ka mendjen te Kuvendi i Shqipërisë për shkak të verës, pushimeve, transferimit të ambasadorëve e tjerë. Skenari, po të jetë i vërtetë, është provokues në kulm dhe me shumë të panjohura për orientimin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të vendit.

Dhe duket se ka diçka, sepse nuk është opozita, as shtypi opozitar, por një parti qeveritare, më saktë partia që e mban qeverinë edhe kur nuk e voton, pra Lëvizja Socialiste për Integrim që ka ngritur arushën me disa deklarata të drejta në thelbin e tyre. Këto deklarata hedhin dritë në zonën e paqartë të përgatitjeve për ta kaluar projektin si ujët nën rrogoz.

“Ne do të votojmë vetëm një projekt të konsultuar me NATO-n”! Kjo është deklarata e LSI- së, e cila fiton kuptim dhe peshë të dyfishtë në kushtet kur kryetari i kësaj partie, zoti Ilir Meta, kryen detyrën e Ministrit të Jashtëm. Deklarata në fjalë është hapur një paralajmërim dhe njëkohësisht një denoncim i tërthortë i ndonjë manovre për ta kaluar projektin pa u konsultuar me NATO-n, siç u është premtuar Shteteve të Bashkuara dhe sekretarit Rasmussen.

Nga PD janë përgjigjur se përfshirja e projektligjit në kalendarin e muajit korrik ka qenë një akt rutinë, pa domethënie; se projekti do të shqyrtohet dhe do të votohet në shtator pasi është konsultuar me ekspertët ndërkombëtare të Euralius, që është një mision i BE-së pranë Ministrisë së Drejtësisë! Nga toni dhe teksti i përgjigjes, është lënë të kuptohet se LSI po ngre një furtunë në gotë.

Por nuk mund të jetë kështu. Të thuash se nuk ka ndodhur asgjë, do të thotë që ose këta të LSI-së janë të marrë (por vetëm të marrë ata nuk janë), ose në qeveri çfarë di njëri, s’e di tjetri, çfarë thotë njëri, s’e thotë tjetri dhe megjithëse kemi një kryeministër që ka namin e dorës së fortë, kur vjen puna për çështje të mprehta, njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit.

Në rastin tonë, as kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Ilir Meta, për shkak të lëvizjes që ka bërë, matet katërmbëdhjetë herë kur i duhet të thotë diçka të kundërt me qeverinë ku bën pjesë. Disiplina apo konformizmi i tij, kanë gjithsesi një kufi, përtej të cilit Meta nuk mund të shkojë.

Atij nuk i ka mbetur rrugë tjetër dhe e ka ditur se ç’ka bërë kur u ka kërkuar bashkëpunëtorëve të tij, zotit L. Rama dhe zotit E. Haxhinasto të deklarohen kundër votimit të një projektligji të pakonsultuar me NATO-n. E vërteta mund të jetë kjo: PD dhe Berisha, me atë idenë e mostërheqjes nga e tyrja, e kanë konsideruar të mjaftueshme të konsultohen me misionin e BE-së pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë mënyrë dalin para publikut dhe thonë: ja, e mbajtëm fjalën, u konsultuam me ndërkombëtarët! Mirëpo, fshat e bidat, thotë populli. Këta të NATO-s janë tjetër, nuk janë Euralius.

Dhe bëhet fjalë për një natyrë tjetër konsultimi, që nuk ka të bëjë me teknikalitete. Projektligji është kundërshtuar nga SHBA dhe zyra e inteligjencës së NATO-s. Ai është kthyer për t’u konsultuar me ekspertët e NATO-s. Vetëm nëse NATO u ka dhënë mandat juristëve të Euralius-it, qeveria është në rregull me konsultimin e saj. Në të kundërtën, konsultimi mbetet jo vetëm i papërfunduar, por ai nuk ka përfillur “të zotin e punës”.

Kjo do të thotë që dridhjet, tensioni dhe gjithë problematika që hapi projektligji në muajt mars-prill të kthehen në pikën e nisjes, më saktë në një pikë me të lartë të spirales së konfliktit. Kjo do të thotë të përballemi me pikëpyetje të reja e të rënda në lidhje me mënyrën se si kërkon të sillet Shqipëria si anëtare e re në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Për vetë jehonën dhe efektet e veçanta që ka në rrafshin e marrëdhënieve të Shqipërisë me aleatët strategjikë perëndimore, e vërteta e ndryshimeve, rregullimeve dhe procedurës së votimit të projektligjit për SHISH-in duhet të dihet në çdo kohë nga të gjithë deputetët, nga shtypi dhe publiku i gjerë.

Ministrit i Jashtëm, Ilir Meta, ka pasur rastin të njihet nga afër me qëndrimin amerikan gjatë vizitës së tij të fundit në Departamentin e Shtetit. Posti e obligon të jetë transparent me publikun në këtë pikë.

Miqësia e Shqipërisë me SHBA vlen më shumë se karriera e tij dhe çdo karrierë tjetër në këtë vend. Për nëntëdhjetë e shtatë për qind të shqiptarëve, që e shohin të ardhmen e Shqipërisë nga Perëndimi, anëtarësimi në NATO vlen më shumë se çdo post e parti.