Wolf Oschlies, Mutter Teresa, Die Jugend in Skopje, shtëpia botuese Wieser, Klagenfurt Austri, 2009.
Shkruan: Zef Ahmeti [*]
Më herët në mediet shqiptare sa nuk e kryqëzuan pa nevojë studiuesin e thukët zviceran që vepron në Vjenë Prof. Dr. Oliver. J. Schmitt, për punën shkencore mbi Skënderbeun. Ai nuk është personalitet i cili e ka merituar një trajtim të tillë, të etiketohet mbase edhe si antishqiptar. Përkundrazi, ai mund të ketë tezat e tija që dikujt nuk na pëlqejnë, porse ai nuk e bën për shkak të fobisë, ngase ai merret me shkence e hulumtime, e, në anën tjetër nëse dikush nuk është i kënaqur, shkenca shqiptare duhet t`i përgjigjet po me vepër shkencore të nivelit siç e ka bërë ai. Ndryshe janë vlerësimet e profesorit gjerman, që pretendon se është studiues i Ballkanit, Prof. Dr. Wolf Oschlies që i jep për vetë ekzistencën e popullit shqiptar dhe për nënën shqiptare, Nënë Terezën.
Cili është vlerësimi i Dr. Oschlies për popullin shqiptar? Për ta kuptuar më mirë qëndrimin e studiuesit në fjalë kemi zgjedhur vlerësimin tij të publikuar në një gazetë periodike (G2W, Glauben in der 2. Welt, 3/2007, f. 16-21) që botohet në Zyrih (Zürich) ku shprehet me sa vijon: “Shqipëria vlerësohet etnikisht si “shteti më homogjen në Evropën Juglindore” në të cilin 98% e popullatës i takojnë kombit të titullar shqiptar. Në korrik të vitit 2006 Shqipëria kishte numëruar 3.6 milion banorë, zyrtarisht prej tyre vetëm 2% i takonin pakicave: 5000 maqedon, 66 000 grek, 1000 serb etj. Këto rezultate zyrtare duke i krahasuar me të dhënat e besueshme të vendeve fqinje, ato vejnë në pah, se shqiptarët me dëshirë i injorojnë 200 000 maqedon dhe grek, po ashtu edhe dhjetëra mija serbë, vllahë dhe romë etj.
Si shembull kur në dhjetorin e vitit 2006 maqedonët e Pustecit shqiptar kishin vendosur tabelat, për t`iu uruar “mirëseardhje” në katër gjuhë vizitorëve, intervenon policia shqiptare dhe largon tabelën e vendosur. Dhe para zgjedhjeve bashkiake të radhës në Shqipëri pakicat etnike kërcënohen në mënyrë masive për t`mos iu bashkuar partive të tyre. Dhe kjo ka diçka të bëj me atë se, faktikisht nuk ka fare “komb shqiptar”, por vetëm grupet e mëdha intra-etnike të gegëve në veri dhe toskëve të jug, gjuha dhe kultura e të cilëve dallon ekstrem”. Të gjitha shkrimet e zotërisë në fjalë përshkohen me të njëjtën frymë “shkencore”. Ai çdo ngjarje historike të popullit shqiptar e paraqet në mënyrë negative duke ia paraqitur lexuesit gjerman shqiptarët si burim të së keqes dhe urrejtjes.
Përpjekjet politike për ta luftuar identitetin e Nënë Terezës
Përpjekjet “shkencore”, që janë më shumë propagandë politike sesa shkencore, për ta tjetërsuar identitetin e etnitetit shqiptar të Nënë Terezës kanë filluar që kaherë. Një fenomen që vet ajo sigurisht nuk e ka dëshiruar fare. Një tendencë e tillë ka disa qëllime: tjetërsimin e identitetit të kësaj figure humane e cila e gjithë bota iu përkul, e quajti nënë, mbase për t`ia tjetërsuar shpirtin human dhe të krishterë që kishte fituar ajo në një familje tipike shqiptare katolike nga Prizreni e më vonë edhe nga Shkupi. Identiteti human i saj u formësua mu nga kjo edukatë që më vonë e përcolli atë gjatë gjithë jetës. Frymën e solidaritetit human ndaj bashkënjeriut, pa dallim përkatësie fetare e nacionale, ajo e fitoi nga edukata, sidomos e nënës së saj Dranës, e cila ishte humaniste e njohur ndaj të varfërve dhe nevojtarëve në rrethinën ku jetonin. Ajo më vonë këtë inspirim do ta gjejë edhe në edukatën fetare katolike.
Andaj dikush këtë edukatë dhe vepër shembull të saj nuk mund ta paramendoj të ketë dal nga gjiri dhe origjina shqiptare, e që njëkohësisht edhe shpreh një veçori të këtij populli. Ndërsa disa të tjerë janë përpjekur ta bëjnë të “vetën” nënën, për t`i dhënë vetvetes bujë e njëkohësisht për t`i dhuruar vetës një figura identifikuese që u mungon. Një përpjekje për ta manipuluar në mënyrën më të vrazhdë identitetin etnik e humanizmin dhe veprën e Nënë Terezës, është edhe libri i fundit i Prof. Dr. Oschlies që kohëve të fundit është botuar në gjuhën gjermane. Në një shkrim të tij Dr. Oschlies shkruan:”Me 5 shtator 2009 në Ballkan ishte një ditë e nxehtë. Një e shtunë. Prof. Gjorgi Ivanovin, Presidentin e shtetit të Republikës së Maqedonisë, megjithatë nuk e pengoi për t`i nderuar disa persona të cilët kanë dhënë kontributin e tyre rreth Nënë Terezës…
Ndër të nderuarit (dekoruarit) ishin shqiptari i Maqedonisë Aziz Pollozhani, ish Ministër i Arsimit i Maqedonisë, tash president shoqërisë Nënë Tereza në Strugën e Maqedonisë Jugore, dhe unë, gjermani Wolf Oschlies, libri i të cilit, i posa botuar mbi fëmijërinë e Nënë Terezës në Shkup, ishte pranuar me interesim të madh.” Po në të njëjtin shkrim ai deklarohet kështu: “Shqiptaria e kësaj gruaje është një pjellë e fantazisë trilluese! Nuk ka asnjë dëshmi të vetme, dokument apo shenjë për atë se, Nëna Tereza ka qenë shqiptare, se ka pasur diçka me shqiptar apo se ajo të ketë folur pak fjalë shqip.” Kjo frymë e përshkon gjithë librin e tij, për të cilin libër dekorohet nga President i Ish-Republikës Federative Jugosllave të Maqedonisë.
Me këtë qasje ndaj shqiptarëve dhe figurës së nënës shqiptare, ai sulmon edhe studiuesin më të saktë deri më tani përkitazi me historikun e familjes Bojaxhiu dhe fëmijërisë së Nënë Terezës, z. Albert Ramaj. Jo vetëm ky, por edhe gjithë autorët tjerë qe nuk e kontestojnë identitetin shqiptar të saj, i quan manipulues. Një frymë shoviniste e përcjellë atë gjatë gjitha shkrimeve të tija. Fjalori i tij është shumë i vrazhdë, i rëndë dhe shtrihet në vijën e hirtë, gati sa nuk kalon në racizëm. Dëshiroj të potencoj se, autori në fjalë ka reaguar në mënyrën krejt të pazakontë ndaj çdo shkrimi që ka publikuar Albert Ramaj për shqiptarët në gjuhën gjermane. Mbase reagime që dallojnë dukshëm nga studiuesit tjerë të sinqertë e serioz gjerman. Albert Ramaj kishte publikuar një studim për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri nëpër revista gjermane. Dhe menjëherë, për ta luftuar “propagandën” e Ramajt, Oschlies ngrihet në këmbë për ta vënë në pikëpyetje argumentin e tij dhe vetë ekzistencën e kombit shqiptar.
Ramaj shkruan një punim për të rinjtë e Kosovës, Oschlies reagon duke demantuar çdo vlerë shqiptare duke e ngritur shqiptarët si burim të së keqes, Ramaj (bashkërisht me Thede Kahl e Izer Maksutin) si bashkeditorë në gjuhën gjermane publikojnë librin mbi shqiptarët e Maqedonisë, Oshlies i përgjigjet me një kundërlibër. Çdo element pozitiv dhe faktik që e jep Ramaj, Oschlies mundohet ta demantoj, duke i kaluar gjitha normat e shkencës, duke kaluar në ofendime e duke bërë politikë. Oschlies ka problem të madh, siç shprehet edhe në librin e tij, madje edhe me Institutin Shqiptar (Albanisches Institut) që vepron në St. Gallen. Mbi familjen e Nënë Terezës ai na deklaron se, si nga ana e gjakut si baba po ashtu edhe nëna e Gonxhes nuk janë shqiptarë, se asgjë nuk kanë të bëjnë me Kosovën, dhe se familja Bojaxhiu e Bernaj na qenkan “vllahë maqedonë”. Oschlies këmbëngul se, Nënë Terezë nuk e kishte vizituar kurrë Kosovën. Ai shkon aq larg dhe merr guximin të deklaroj se, Nëna Terezë më shumë ka gjasë të jetë gjermane, sesa shqiptare.
Akuzat e ashpra të Oschlies i drejtohen edhe shtetit shqiptar (kupto Shqipërinë) po ashtu edhe shtetit të Kosovës, akuza të atij niveli tejet absurde në botën e shkencës dhe nivelit njerëzorë. Si pikë referimi për t`i demantuar elementet që dëshmojnë identitetin shqiptar të Nënë Terezës, Oschlies mbështetet theksueshëm tek autori Gëzim Alpion. Për fat keq kemi edhe “shqiptarë” të tillë që për shkak të karrierës a ndonjë interesi tjetër(?!) shajnë e manipulojnë me figurat e rëndësishme shqiptare. Si përfundim mund të themi se Prof. Dr. Oschlies duke manipuluar me faktet, duke mos ofruar asgjë të kapshme e të besueshme, ai i afron lexuesit gjerman një libër krejtësisht tendencioz, aspak shkencor, tmerrësisht manipulues, si duket kjo ka ndodhur nga fobia ndaj shqiptarëve.
Për fat të mirë, Oschlies është vetëm, dhe sigurisht do të mbetet edhe më tej vetëm, në mes shumë studiuesve të spikatur gjerman, austriak e zviceran që janë marrë, merren, dhe sigurisht do të merren me historinë e popullit shqiptar. Për shpifje të tilla dhe shtrembërime shkencore shtetet shqiptare Shqipëria e Kosova, duhet ta paditin në gjyq ose të paktën përfaqësitë diplomatike të këtyre dy shteteve, në gjermani dhe në Austri (sepse libri është publikuar nga një shtëpi botuese austriake) duhet të bëjnë një notë proteste kundër shpifjeve të Wolf Oschlies-it.
St. Gallen, 29 tetor 2009
___________________
[*] Zef Ahmeti është bashkdrejtues i Institutit Shqitpar (Albanishces Institut) në St. Gallen (www.albanishes-institut.ch). Ka studijuar shkencat jurike e polike në Prihstinë, Graz, St. Gallen e Hagen. Është autor i disa punimeve të ndryshme në shqip e gjermanisht.