Copëza kujtimesh për mikun tim të paharruar Kapidanin e Mirditës Ndue Gjonmarku (1914-2011)

0
46

In Memoriam

Tomë Mrijaj, New York

Trojet etnike shqiptare, gjatë shekujve të historisë së lavdishme, kanë nxjerrë burra të shquar të pushkës dhe penës, të cilët, ishin dhe mbetën ndera e krenaria, jo vetëm e krahinës, ku, ato janë lindur dhe rritur, por edhe më gjërë, duke qenë gjithëkombëtarë, për kontributin e madh, që dhanë gjatë jëtës së tyre.
Kur këto patriot të shquar, nuk ndodhen sot në mesin tonë, ne me nostalgji përkujtojmë veprën e tyre, që gjithnjë do të mbetët e pavdekshme në panteonin e ndritur të historisë shqiptare.
Nga ana tjetër, kur një personalitet të komunitetit tonë shqiptaro-amerikanë e ke njohur nga afër (për shumë dekada), ke folur dhe kuvenduar shtruar, me orë të tëra, në takimet mes liderëve apo bisedave të lira si miq shtëpie këtu, në çdo çast, kur përmendet emëri i Kapidanit të Mirditës Ndue Gjonmarku, më rizgjohen kujtime të hershme të paharruara dhe shumë domethenësë, për këtë pinjollë të derës së famshmë, që ka një histori të lavdishme shumë shekullore.
Kur lexon sot bilancin e hidhur, që përjetoi Dera e famshme e Kapidanëve të Mirditës, shohim, se kjo principatë, është ndera dhe krenaria jonë e ligjshme, që mundi të mbijetoi me stërmundime për 5 shekuj mizorisë otomane, por që për hironi të fatit të keq, u tjetërsua (bijtë më të mirë të Derës së Kapidanëve) u vranë, u burgosën (torturuan mizorisht deri në vdekje), u internuan familjarisht, në kampet e përqendrimit, u vodhën dhe shkatërruan të gjithë pasurinë materiale, dokumentare dhe sekuestruan kullat e famshme historike në Orosh të Mirditës dhe në qytetin e Shkodrës…).
Kjo histori e hidhur, u ndodhi sistematikisht nga bashkëkombasit komunistë, që po me barbarizëm dhe urretje po realizonin planin bolshevik për zhdukjen e plotë të historisë së lavdishme të Principatës zëmadhe të Kapidanëve të Mirditës.
Mbas pushtimit dhe kolonializimit pesë shekullorë të Perandorisë mizore Otomane në trojet e Arbërit, shohim, se për fat të keq, kemi shuarjen e plotë të gjithë principatave shqiptare (për një arsye apo tjetër), gjatë rrjedhave të historisë, të cilat sot nuk ekzistojnë më, por që përmenden në analet e historisë dhe librat shkollore të arsimit shqip në trojet etnike shqiptare.
E vetmja, që mundi t’i bëj ballë me sukses rrëbesheve të përgjakshme të armiqve shumë shekullorë, ishte dhe mbeti Principata e Dukagjinit, që kulmon me histori të lavdishme të mishëruar tek Pal Dukagjini dhe më pas shumë i mirënjohuri Lekë Dukagjini, që na la trashëgim Kanunin, me të njëjtin emër, që ndryshe është kodi juridik i malësive tona, e cila vijon të ndiqet me respekt deri në kohën moderne.
Nga kjo derë principate në fjalë, vjen pinjolli, juristi Kapidani i Mirditës Ndue Gjonmarku, i shkolluar në universitetet më të njohura të Europës, si Austri dhe Itali.
Këtë vit mbushën 3 vjet, kur më 4 Janar 2011, në Spitalin “North Shore” Forest Hills, Queens NY, në moshën 97-vjeçare, u nda nga jeta Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku, i rrethuar nga familja, vëllai Kapidan Nikollë Gjonmarku, djali Gjoni dhe vajzat: Kristina, Bardha dhe Aleksandra. Ishin të pranishëm meshtari Dom Pjetër Popaj dhe miqte e ngushtë të familjes Gjomarku: Dr. Gjon Buçaj Kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, miku i familjes Tomë Mrijaj, Sekretar i Përgjithshëm i “Lidhjes së Tretë të Prizrenit” në ShBA.

Si e njoha unë Kapidanin Ndue Gjonmarku?

Me ardhjen time në New York, në vitin 1978, pata fatin, nderin dhe kënaqsinë e veçantë, të njihem nga afër dhe të mbesim miq të pandarë, me mikun e paharruar deri sa ai kaloi në amshim.
Në Orosh të Mirditës, lindi më 29 shtator 1914, Ndue Gjonmarku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza.
Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një përsonalitet i njohur askohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare.
Babai Gjoni, përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku, midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon pesë vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike në vitin 1934 në qytetin e Shkodrës.
I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adolishenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta sëbashku me vëllaun Lleshin në Universitetin (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences (Itali), për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë.
Ai, për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës, ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut.
Me anije i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendindje bëjnë, që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu sikurse kujtojnë disa bashkëkohës që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja dhe ai vetë, ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje atdhetare, fetare dhe kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës etj., duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, klerikë të lartë katolikë, konsuj dhe udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut.
Gjatë bisedave të lira e pyes Kapidanin, se a keni përjetuar ndonjëherë në jetën tuaj, një çast, i cili, ju ka mbetur në kujtesë. Dhe ai me një buzëqeshje fisniku m’u përgjigj: “Isha shum i ri, rreth 16-17-vjeçar e m’kujtohet rasti kur n’Shkodër po pergaditej nga Kleri Katolik shugurimi i Ipeshkvit të qytetit dhe Primat i Shqipnis Imzot Gaspër Thaçi (1882-1946). Paria e Shkodres, vjen në shtepin time dhe me thon t’ju prij në ket ceremoni të randsishme për qytetin dhe besimtart e devotshëm katolik. U thash se baba gjindet n’Mirditë. Ata me thanë, se ju mund t’a zavendsoni Kapidan Gjonin. Unë me shumë knaqsi mora pjesë në shugurimin e Ipeshkvit. Paria e qytetit, ku banin pjesë krent e familjeve ma të njohuna të qytetit, si: Çoba, Muzhani, Pistulli, Pogu, Bianku, etj., ku ma caktuen vendin n’krye të sofres n’mesin e dy konsujve italian dhe jugosllav. Isha shumë i ri me marrë pjesë në atë rreth të madh, në mesin e atyne figurave të nderueme të qytetit, por e kalova mirë proven e parë, mbasi në Kullën e Oroshit kishim mësue të dëgjonim e jo të flasim…”.
Edhe studiuesi Idriz Lamaj, në shënimet biografike për Kapidanin Ndue Gjon Marku shkruan, se: “…Ndojt i paraqitën raste me pritë e përcjellë përsonalitete të shqueme shqiptare dhe të hueja dhe me perfaqsue oxhakun e tij të njoftun… Por simbas tij, në Mirditë në kontakt me popull e krenë, dhe të krahinave të ndryshme, formohet në pikpamje tradicionale e kanunore. Të gjitha këto kontakte e formojnë moralisht e politikisht, me kuptue realitetin e gjendjes të ndërlikueme të kohës”. (Idriz Lamaj, “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1949-1956”, New York, USA, 2000, fq.101).
Në bisedë e pyes Kapidanin, se si e kalonit kohën në malet e pashkëlura të Mirditës. Ai si zakonisht, me një buzëqeshje fisnike, më përgjigjet: “Mirdita, për mue asht vendi ma i bukur në botë e ma i dashtuni. Populli fisnik i krahines së Mirdites, na ka dasht e respektue edhe ma shumë. Na nuk kena prit asnjiher qi populli me na pershndet ne, por na i kena pershendet përpara të gjithë, pavarsisht se a kanë kenë të rij apo ma të vjetër se ne. Na kena shkue shumë mirë me popull dhe kena kenë tamam si nji familje e madhe. E prandaj Oroshi e tanë krahina e Mirditës asht gjithçka për mue e Derën tonë”.

Dera e Gjonmarkut
ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit

E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe, asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit dhe të bijve të tij: Dr. Mark Gjonmarku (Ministër i Brendshëm), Ndue Gjomarkut dhe Llesh Gjonmarkut, të cilët, gjithnjë kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndoja, sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jëtën private e familjare.
Atë e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjën e forcave nacionaliste, që t’i bëjnë ballë komunizmit, kësaj ideologjie të shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe paatdhe të njerëzve, që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone.
Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetadashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore.
Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë (mars) të vitit 1944, i jep jetë themelimit të “Grupit Nacional Indipendent”, ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismen e vet krijon “Lidhjen e Shkodrës”, duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste, si: “Legaliteti”, “Balli Kombëtar” dhe “Grupi Nacional Indipendent”.
Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr vesht, se forcat e ashtëquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur (Mirditës), lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari.
Ai, ndër të tjera kërkon të lëshoj kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunist. Menjëherë i vjen përgjigjja pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit.
Sikurse kujton Kapidani Ndue Gjon Marku dhe shkruan z. Lamaj për këtë çështje, i thotë se: “Ndue i dashtun, sot fillon nji kthesë e re në historinë e Derës sonë, të Mirditës e Shqipnisë mbarë. Mbledh sa më shumë vullnetar e fillo qëndresën kundër brigadave komuniste. S’kemi rrugë tjetër”. (Idriz Lamaj, Vep. e cit., fq.102).
Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të “Legalitetit” dhe “Ballit Kombëtar”, të cilët, gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve.
Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës “Balli Kombëtar” patrioti Mit’hat Frashëri dhe drejtuesi i “Legalitetit” Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit’hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, sëbashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh’Pal, ku, i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër.
Me shërbestarin e kombit Mirt’hat Frashërin (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja, do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA.
Ngjarjet asokohe zhvilloheshin me shpejtësi. Si gjithnjë truri dhe kryet e lëvizjes antikomuniste mbetën në Veri të Shqipërisë, me seli në Mirditë. Nga ana e tjetër Dr. Mark Gjonmarkaj, me të gjithë forcat vullnetare, që kishte nën kontroll, duke mos u demoralizuar, më 26 nëntor 1944 len qytetin e Shkodrës dhe merr rrugën drejt malëve të Veriut. Tashmë Ndoj me bashkëluftëtarët e tij, për pesë muaj në shi e dëborë, luftojnë pa u mposhtur me të gjithë brigadat partizane, të drejtuara nga Mehmet Shehu, me urdhër direkt të gjeneralit e komandantit asokohe Enver Hoxha.
Forcat e brigadave komuniste, duke pasë ushtri të madhe në numër dhe të armatosur mirë pushtojnë krahinën e Lumes dhe Lurën, duke iu afruar shumë pranë trevave të Mirditës. Forcat nacionaliste, të drejtuar nga Ndue Gjonmarku gjenden para një rrethimi shumë të vështirë, kur brigadat komuniste sulmojnë në tre drejtime menjëherë, pa i dhënë mundësi nacionalistëve që të organizohen mirë.
Në këtë situatë të rëndë të krjuar, sikurse kujton Kapidan Ndoj, asokohe nuk i mbeti asgjë tjetër veçse të ngujohet në Sh’Pal. Kështu fillon një luftë e ashpër, midis komunistëve, që kërkonin të gjunjëzonin e pushtonin me dhunë krenarinë e historisë së lavdishme të Mirditës dhe nacionalistëve, që kërkonin të mbronin vlerat demokratike dhe lirinë e popullit nga një robëri internacionalistëve proletare, që ishin për një botë pa Zot dhe robëri, nata e zezë e së cilës filloi më 29 nëntor 1944 në tërë Shqipërinë.
Megjithë rezistëncën e madhe, për tre ditë me radhë, duke parë edhe humbjet e mëdha në radhët e forcave nacionaliste, Ndue Gjomarkaj, jep urdhër për tërheqje në drejtim të Shkodrës, që ishte kthyer në një qendër të madhe të rezistencës antikomuniste.
Kapidan Gjoni, Dr. Marku dhe Ndoj takohen dhe zhvillojnë bisedën e fundit, për planin e ri, që kishte menduar Dr. Marku. Kështu, ai kishte vendosur sipas logjikës së tij të shëndoshë, që i ati Gjon Marka Gjoni dhe vëllai i tij i dytë Ndoja, duhet të largoheshin nga Atdheu, me arsyetimin, se nuk duhet të shuhet dera e tyre nga përpjekjet luftarake, që do të bëhen me forcat komuniste.
Vërtetë e dhimbshme, por e domosdoshme kjo zgjidhje e menduar shumë mirë nga Dr. Marku, të cilën pas 9 dekadave mbi supe Kapidani Ndue Gjonmarku e kujton me dhimbje, kur flet për momentin e ndarjes me antarët e tjerë të familjes. Ka qenë pikërisht Kisha e Kastratit në Malësi të Madhe, kur Ndoj ka shtrënguar dorën për herë të fundit me Dr. Markun.
Atë e bir nisën prej Kastratit në Tuz, Kolashin, Vishegrad, Sarajevë, Zagreb, në Vjenë, Linz dhe në Insbruk, në një dimër të ashpër dhe nën breshërinë e bombardimeve të shpeshta nga forcat e aleatëve. Nga qëndrimi për disa ditë në Insbruk, me një makinë udhëtojnë drejt Italisë, duke kaluar në “Passo di Resia” afër kufirit të Zvicrës. Për pesë muaj ata qëndruan në Merano deri në gusht të vitit 1945 dhe më pas morën drejtimin drejt Romës, që mbetet edhe stacioni i fundit i tij.
Me të mbërritur në Perëndim (Itali), Kapidani Ndue, mendoi të bashkoi forcat nacionaliste dhe antikomuniste, për të hedhë bazat e krijimit të një organizate të mirëfilltë politike, kundër rregjimit të kuq të Tiranës zyrtare, që po e zhyste popullin në mjerim. Fryt i këtyre përpjekjeve, është edhe krijimi i partisë politike me emrin “Bloku Kombëtar Indipendent” në vitin 1946 e cila do të ketë jetëgjatësi deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri më 13 dhjetor 1990, duke i qëndruar me dinjitet deri në fund, ku e mbylli me nderë e njerëzi.
Gjatë vitit 1948, në bashkëpunim me aleatët perëndimore anglo-amerikanë, Kapidanit Ndue i paraqitet rasti për të dërguar vullnetar për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”, ku, bënin pjesë shumë antarë të Blokut.
Në lidhje me këtë mision Kapidani kujton: “Në pikëpamje morale ishem kryenalt, tue marrë në konsiderim luftën kundër rregjimit komunist, vendosa me ftue dy luftarë besnikë, të cilët pranuen pa kurrfarë kundërshtimi. Kështu filloi ndërmarrja e jonë kundër rregjimit komunist në Shqipni”.
Bloku, bëri hapin e parë dhe ruajti linjën e përpjekjeve qëllimmirë për të bërë bashkimin e të gjithë forcave antikomuniste shqiptare në mërgatë, që ishin ndarë dysh në Komitet dhe jashtë Komitetit. Kjo inisiativë, synonte afrimin e grupeve të ndryshme dhe harmonizimin më të plotë e të qartë të veprimtarisë së tyre në dobi të atdheut dhe në një front të përbashkët kundër komunizmit. Mirëpo, rruga e nisur nuk ishte e kollajt, mbasi fillojnë polemikat dhe pengesat ndaj inisiatorit të saj mirditor.
Përpjekjet e Kapidanit Ndue Gjonmarkut hasin në pengesë, për mospranimin e tij në Komitetin e parë nga ana e përfaqësuesve të organizatës Balli Kombëtar, që zotëronte asokohe të gjitha postet e organizatave. Ndërhyrja energjike e diplomacisë angleze dhe amerikane (ku përfaqësuesit amerikanë këmbëngulën, që Kapidani të pranohet pa kushte), bëri të mundur që të zgjidhet ky problem dhe kështu Kapidani i Mirditës bëhet një ndër drejtuesit e Komitetit, falë kulturës së shëndoshë perëndimore, vizionit largpamës, për të ardhmen, origjinës me emër shumë të mirë të familjes nga ai vinte, kontributi me armë në dorë, që kishte dhënë drejtpërdrejtë kundër komunizmit etj.
Ndue, do të ketë takime të rëndësishme në Itali, me ushtarakë të lartë italianë, sikurse ishte admirali i marinës italiane zotin Talarigo dhe të misionit anglo-amerikan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane.
Takime të tjera ka pasur edhe me z. Herbert, një përsonalitet i njohur britanik për çështjen shqiptare, amerikanin z. Mc Lean etj. Gjithashtu Ndoj këmnguli, që në këtë Komitet duhet të përfshihet patjetër edhe intelektuali i shquar ing. Xhafer Deva, mbasi ai ishte një njeri me influencë të madhe në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë politike. Kapidan Ndoj, ka organizuar hedhjen e parashutistëve të grupit të ing. Xhafer Devës në Shqipëri.
Kapidani, kishte një respekt të veçantë për atdhetarin e flaktë Mit’hat Frashërin. Për figurën dhe veprën e tij, Kapidani, flet me një admirim të veçantë, për arsye sikurse thotë, se: “Ishte nji njeri me nji prestigj të naltë kombtar dhe pinjoll i nji familje me merita të mëdha atdhetare”.
Në vitin 1956 Kapidani Ndue Gjonmarku hap familje të re, duke u martuar me zonjushën romane Maria Teresa Agustini, një vajzë e diplomuar në gjuhët frëngjisht dhe anglisht në Universitetin Internacional “Pro Deo” në Romë.
Çifti i ri, do të gëzohet me lindjen e tre vajzave: Kristina, Bardha, Aleksandra dhe Gjoni djali i vetëm, që ruan emrin e gjyshit të vet shumë të mirënjohurit Kapidanit Gjon Marka Gjonit.
Kapidan Ndue, u interesua qysh në fillim të shkollojë fëmijët në të gjitha nivelet. Kështu vajzat dhe djali mbasi përfundojnë shkollën e mesme, ndjekin dhe përfundojnë me rezultate shumë të larta kolegjet më të njohura në ShBA.
Me vdekjen e prindërve të gruas së Kapedanit dhe të babait të tij Kapidanit Gjon Marka Gjoni, në vitin 1966, familja e tij emigrojnë në ShBA. Edhe këtu fillon një etapë e re e lëvizjes antikomuniste, ku, aktiviteti i tij zgjerohet dhe respekti, për kontributin e tij rritet edhe më shumë kur zgjidhet si Kryetar i Blokut dhe për vetë faktin tjetër, se ai tashmë është trashëgimtar i Derës si Kapidan i Mirditës, krenari dhe nder, të cilën e mbajti deri në moshën 97-vjeçare, kur ai kaloi në amshim.
Veprimtaria e Kapidanit, është shumë e madhe me shkrime publicistike, në organet zyrtare të Blokut, gazetat: “L’Albanie Libre” dhe “Lajmëtari i të Mërguemit”, që asokohe botoheshin në New York dhe Rome.
Famlja, do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me klerikët katolikë shqiptarë në emigracion, një traditë e trashëguar edhe nga të parët e kësaj Dere brez mbas brezi dhe shekuj pas shekujve në Mirditë.
Kështu qysh në Itali, ruajti lidhje të ngushta me atdhetarët e antikomunistët konseguentë, studiesin, shkrimtarin, meshtarin e palodhur, bashkëvendasin e bashkemigrantin, klerikun e nderuar në të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikanë, nacionalistin e madh, që luftoi me pushkë e pendë, themeluesin e Kishës së Parë Shqiptare në ShBA “Zoja e Shkodrës”, të nderuarin e respektuarin Dr. Mons. Zef Oroshin (1912-1989).
Gjatë viteve të fundit të jetës, ai po merrej me saktësimin e disa interpretimeve të gabuara, që i janë bërë (gjatë kohëve të ndryshme) veprës së Atë Shtjefen Kryeziu Gjeçovit me titull: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilin e la në dorëshkrim. Fryt i këtyre hulumtimeve serioze, është edhe botimi në vitin 2002 në New York të veprës së parë me titull kuptimplotë: “Mirdita Dera e Gjomarkut Kanuni”.
Mirdita, është krenaria dhe lavdia e dinastisë së Derës të Kapidanit, është vetë historia e pasur e Mirditës dhe Derës së Kapidanëve, bijtë e nderuar të së cilës njeri mbas tjetrit, bënë një epokë të lavdishme gjatë shekujve. Ata sëbashku plotësojnë njeri-tjetrin dhe janë dy anë të së njëjtës medalje të çmuar në xherdanin e pasur të historisë së popullit shqiptar.
Mbas gjithë kësaj historie dhe kalvari të pambarim, që kaloi Dera e Kapidanëve të Mirditës, shteti dhe qeveritë e ndryshme shqiptare, që kanë kaluar tash 24 vjet, nuk u kujtuan asnjëherë të rindërtojnë Kullat e famshme historike në Orosh të Mirditës dhe Shkodër, dhe t’i kthejnë ato në muze kombëtare, mbasi ata janë pjesë e historisë së lavishme të trojeve shqiptare ndër shekuj.
Mirëpo nga ana e tjetër, shteti e ka për detyrë, të riabilitojë dhe të vendos në piedestalin e nderit të kombit me prova konkrete deshmorët e kësaj Dere, si: Kapidan Dr. Mark Gjomarku, Llesh Gjomarku, që ranë dëshmor në malet e Veriut, në luftën e vendosur kundër komunizmit.
Vëllai i tyre, juristi Kapidani Ndue Gjomarku (në pranverën e vitit 1944), ishte i pari, që për 6 muaj me radhë, organizoi dhe ngriti në këmbë Mirditën, në luftën e armatosur, kundër qeverisë komuniste, luftë të cilën e vijoi në emigracion, me organizimin e parashutistëve në malet e Shqipërisë, sëbashku me babain e tij Kapidan Gjon Markagjonin deri me shembjen e komunizmit në Shqipëri në vitin 1990.
A mund të mohohet kontributi i madh i antikomunistit Dedë Gjomarku, që kaloi 39 vjet në burgjet e tmershme të diktaturës komuniste dhe vëllai i tyre i vogël Nikolla, i cili, e theu perden e herkut të burgut me guxim dhe kaloi jashtë kufirit!?
Gjithashtu edhe nipi i tyre Gjon Marku i Ri, i cili, u rrit në kampet e përqendrimit deri në rënien e komunizmit dhe më pas arriti të bëhet deputet në Parlamentin pruralist shqiptar, duke përfaqsuar trevën e Mirditës, ku, ka dhënë një kontribut të madh me Karitas-in austriak, duke i ardhur në ndihmë popullit të tij të shumëvuajtur, si në ndërtimin e shumë shkollave dhe ringritjen e kishave të shkatërruara.