Ç’ne Regani? (dhe ç’ne Koleka?)

0
40

Nga Eduard Zaloshnja, 16 shkurt 2013

Në një takim me disa studentë, Berisha iu kthye këto ditë edhe një herë temës së dashur të tij të taksës së sheshtë. Taksa progresive dihet që është marksiste, tha ai, duke vazhduar se ka zgjedhur taksën e sheshtë, ngaqë e kishte për zemër Regani (ish-presidenti i SHBA-së). ““Të paktën në dy shekujt e fundit, taksa progresive është koncept marksist. E dyta, ajo e sheshta, është koncept konservator, i cili kulmoi me Ronald Reganin,” tha Berisha.

Duket që ai nuk ka lexuar gjë për taksat e kohës së Reganit, as atëherë kur ishte anëtar i PPSH-së, e as tani që është kryetar i PD-së. Nyja në vijim ka dokumentin zyrtar të Shërbimit të Taksave të SHBA-së për vitin 1988, viti i fundit i qeverisjes së Reganit http://www.irs.gov/pub/irs-prior/i1040–1988.pdf . Nga ky dokument shihet qarte se taksa mbi të ardhurat personale në SHBA në kohën e Reganit ka qenë progresive, siç ka qenë gjatë gjithë historisë së kësaj takse në SHBA.

Kështu, për shembull, një beqar nën moshën 65 vjeç ka patur këtë progresivitet të taksimit në vitin 1988:

Të ardhurat personale vjetore deri në $4950: Taksa $0
Të ardhurat personale vjetore $4950-4965: Taksa $2
Të ardhurat personale vjetore $4965-4975: Taksa $3
Të ardhurat personale vjetore $4975-5000: Taksa $6
Të ardhurat personale vjetore $5000-5025: Taksa $13
Të ardhurat personale vjetore $5025-5050: Taksa $17
Të ardhurat personale vjetore $5025-5050: Taksa $21

E kështu me rradhe vazhdohej të aplikohej një përqindje taksimi në rritje, deri në nivelin e të ardhurave vjetore mbi $89560, përtej të cilit, për çdo 100 dollarë ekstra të ardhura, 33 dollarë i shkonin qeverisë federale si taksë.

Shkallezimi i taksimit eshte i ndryshem per persona te martuar dhe per grupmosha te tjera.

* * *

Edhe në mbledhjet e përjavshme të Këshillit të Ministrave, Berisha thekson vazhdimisht se modeli i propozuar nga opozita për taksimin progresiv është një politikë që ka rezultuar e falimentuar. “Ato janë politika që kanë dalë nga arkivat e Partisë së Punës së Shqipërisë, siç ishte rasti i taksës Koleka. Gazetarët investigative gjetën dhe dokumentin e tij, por që do mbeten vetëm në arkiva.”- thotë Berisha.

Siç duket, Berisha njeh vetëm Historinë e PPSH-së, në të cilën ka milituar me devocion të lartë për 22 vjet (1968-1990). Sepse po të kishte lexuar historinë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, për shembull, do të kishte mësuar se, kur këto vende qeveriseshin nga “idhujt” e tij të djathtë Regan dhe Theçer, taksa mbi të ardhurat ka qenë progresive. Edhe sot kjo taksë është progresive në këto vende (madje edhe në shumë e shumë të tjera), por shkalla e progresivitetit është rritur.