Alba Malltezi
Emërimi i Bujar Nishanit si Presidenti i ri i Republikës me 73 vota, pra, pa një formulë konsensuale mes shumicës dhe pakicës, rrezikon të shkaktojë disa probleme për kryetarin e Partisë Demokratike. I paaftë për të disatën herë, për të hequr dorë nga prepotenca e numrave, Berisha, çoi akrepat e orës politike, dy muaj pas. Duke sfiduar opozitën dhe duke skandalizuar diplomatët, lajmëroi fillimisht se donte të zgjidhte Presidentin e Republikës nga radhët e partisë së tij, duke e votuar vetëm me numrat e mazhorancës. Reagimi ishte kritik dhe Berisha, për pak kohë, bëri sikur ndryshoi pozicion duke u deklaruar i gatshëm për të zgjedhur një President konsensual. E bëri, siç di ta bëjë ai, dmth, duke i kërkuar opozitës që të jepte konsensus vetëm për kandidatët e propozuar nga PD. Natyrisht që opozita do të thonte “Jo”.
Kështu ranë kandidaturat e mazhorancës, duke nisur që nga Xhezair Zaganjori e Artan Hoxha. Ky i fundit dha dorëheqjen pa u votuar, për arsye të mistershme. Duke mbërritur në raundin e katërt, ai, që sipas Kushtetutës lejon zgjedhjen e Presidentit me shumicën e thjeshtë, Berisha, duke sfiduar opozitën për të dytën herë dhe duke skandalizuar për të dytën herë diplomatët, vendosi të imponojë një njeri të partisë së tij. Dhe këtu nisin problemet.
Problemi i parë. Kur Berisha bëri sikur dëshironte të zgjidhte një President konsensual, la të bjerë në mënyrë automatike kandidaturën e Jozefina Topallit; simbol shumë i fortë brenda PD për t’u arritur të zgjidhet si Presidente konsensuale. Po për ç’arsye sot, kur mori vendimin për të tradhëtuar qëllimet e tij dhe u kthye për të zgjedhur një President nga partia, përse nuk rimorri idenë logjike të prezantimit të Jozëfina Topallit?
Edhe pse e kritikueshme, vendosja e një simboli të Partisë si President në krye të vendit, do të mbetej një formë arrogance, por pjesërisht e balancuar nga fakti se zgjidhej një grua. Për herë të parë në histori, Shqipëria do të kishte një grua Presidente. Por, dorëzimi i tij përballë luftrave të brendshme të partisë duke favorizuar përsëri rrymën e Lulzim Bashës, rrezikon të nxisë kundër tij një luftë të brendshme që këtë herë mund të jetë vendimtare. Nëse Jozefina Topalli ka njerëz dhe kurajo për ta këtë luftë, ky është momenti i duhur.
Problemi i dytë. Të zhgënjyer nga imponimi i një Presidenti partie duket se janë edhe ambasadorët, që prej disa javësh zhvilluan ping pong takimesh mes Ramës e Berishës, duke pasur një objektiv plotësisht të ndryshëm nga ai që u arrit në Kuvend. Disa ambasadorë nuk ishin as të pranishëm në sallë. Berisha, pra, jo vetëm rrezikon të përballet me një luftë Brenda partisë së tij, por edhe të ndeshet me “larjen e hesapeve” me komunitetin ndërkombëtar që do të konkretizohet në afatin më të afërt dhe vendimtar, atë të Reformës Zgjedhore.
Nëse Berisha u tregua i palëkundur në zgjedhjen e një Presidenti prej Partisë së tij, mund të detyrohet të bëjë një hap pas në zgjedhjen e rregullave elektorale. Nëse opozita në zgjedhjen e Presidentit, “humbi”, është e parashikueshme, që të pretendojë të kompensohet në tavolinën e Reformës së ardhshme. Nëse Berisha nuk dëshiron të mbahet mend si kryeministri që pasi i hapi dyert, i mbylli portën Shqipërisë në Bashkimin Europian, në reformën zgjedhore duhet të tregohet i hapur dhe bashkëpunues. Eshtë e njëjta reformë me të cilën do të luhet zgjedhja elektorale e vitit të ardhshëm.
P.S. Ky skenar ka një logjikë vetëm me një kusht, që ambasadorët, të mbeten koherentë me principet që zyrtarisht përfaqësojnë dhe të mos vendosin edhe njëherë të mbyllin sytë përballë prepotencës, abuzimeve dhe manipulimeve, siç kanë bërë shpesh në historinë e Shqipërisë Demokratike. Berisha, edhe njëherë, tregoi se bën atë që dëshiron.
(Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)