Çmimi i lartë i refuzimit të transparencës

0
61


Preç Zogaj, 04.11.2010

Hetimi parlamentar i zgjedhjeve nga opozita është i pranueshëm edhe kur për ato zgjedhje shkruhet vetëm mirë. Opozita angazhon kohën dhe njerëzit e saj. Nëse rezulton se ka kërkuar gjilpërën në kashtë, paguan koston përkatëse.

Këto gjëra dihen. Imagjinoni tani sa i domosdoshëm dhe i parefuzueshëm është një hetim si ky që po kërkon që prej një viti opozita shqiptare, për një palë zgjedhje si ato të qershorit të vitit 2009, për të cilat edhe vetë raporti i OSBE-ODHIR-it numëron disa shkelje të standardeve të Kartës së Kopenhagenit për zgjedhje të lira e të ndershme. I njëjti raport nënvizon e zezë në të bardhë se numërimi në një të tretën e qendrave të numërimit ishte i keq dhe shumë i keq.

Raporti shoqërohet me tridhjetë e katër rekomandime, që në tërësinë e tyre nuk referojnë boshllëqe në Kod, por shkeljen e Kodit. Të mos përmendim këtu të dhënat për manipulimet “shqiptare”, të pakapshme apo ndoshta edhe të paimagjinueshme për vëzhguesit e huaj, siç janë futja e fletëve në emër të emigrantëve, apo fabrikimi i shifrave në procesverbale, si ato që ka denoncuar PDK pas rileximit të kutive në qarkun e Shkodrës.

Vëzhguesit e huaj kanë kapur vetëm gjurmën e këtyre manipulimeve, kur kanë pikasur se numërimi ishte i keq në një të tretën e totalit të votave. Kurse “ujku” fle në kuti. Në kutitë e mbyllura si në një përbetim, që filloni me dhunimin flagrant te nenet 136 dhe 138 të Kodit nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, për të vijuar pastaj me akrobacitë e vazhdueshme politike dhe juridike të kryeministrit Berisha dhe shumicës së tij, si e si që hetimi i kërkuar nga opozita të shtyhet, të zhvlerësohet, të braktiset, të arkivohet.

Nga gjithë kjo sagë, që ka shënuar lëvizjen me të madhe politike të opozitës së drejtuar nga Edi Rama, që ka rikrijuar Shqipërinë e bulevardeve dhe shesheve të protestës, si në ditët me të mira të manifestimit të kësaj vlere, gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit, që ka vënë në lëvizje një aksion të mirëfilltë diplomatik të institucioneve euroamerikane me dy rezoluta të posaçme dhe me një mori takimesh dypalëshe e shumëpalëshe për zhbllokimin konsensual të hetimit të zgjedhjeve, pra nga tërë këto përpjekje dhe kundërpërpjekje për fat të keq sterile, në krye të vitit shohim të kenë mbetur në tapet si koncentrati i një reaksioni, dy gjëra të mëdha.

E para, Shqipëria, po të mos dojë shumica parlamentare, nuk bën dot hetim parlamentar të zgjedhjeve.

Ky është një përfundim i hidhur për demokracinë shqiptare, sikurse është një mesazh tepër negativ që u jepet miqve dhe partnerëve tanë perëndimorë. Në pamjen e parë, sforcimi, ngecja, qëndrimi vendnumëro dhe pamundësia e Shqipërisë për të vënë në lëvizje një hetim parlamentare për një çështje nga më të hapurat e sistemit demokratik, është një akuzë që i bëhet legjislacionit.

Kushdo që i merr të mirëqena apo priret t’i lexojë me dashamirësi justifikimet juridike të qeverisë mund të mendojë për një çast se Shqipëria paska ende një sistem ligjor kundërthënës , që nuk e mundëson as taksativisht as normalisht të drejtën e opozitës për të hetuar pa lejen dhe kushtëzimin e shumicës çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e Kodeve dhe ligjeve të votuara në parlament.

Në të vërtetë ky është një adresim qëllimisht i gabuar i vëmendjes drejt një pengese të paqenë për të fshehur pengesën e vërtetë që është mungesa e vullnetit politik.

Do të mjaftonte njohja me Kushtetutën, me ligjin organik të Hetimit Parlamentar, me interpretimin që ka bërë Gjykata Kushtetuese në lidhje me objektin e hetimit parlamentar dhe, së fundi, edhe me ndonjë prej raporteve të komisioneve te shumta hetimore që kanë funksionuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, për të kuptuar se nuk ka vend për të akuzuar legjislacionin.

Legjislacioni dhe e drejta jonë kushtetuese janë të standardeve europiane në këtë pikë. Edhe në Shqipëri hetimi parlamentar është i vetmi instrument kushtetues dhe e vetmja nismë parlamentare, që nuk kërkon një shumicë votash për t’u vënë në veprim.

Zbatimi i dispozitave për hetimin parlamentar pa i vënë bishta dhe pa e nakatosur me xhonglime juridike do të kishte çuar me kohë në gjetjen e formulës së zgjidhjes, duke vendosur brenda parimeve të bashkëpunimit ndërpartiak një formatim të ndershëm e praktik të hetimit.

Megjithëse ka zgjedhur të kapet pas të ashtuquajturave pengesave ligjore, pra të fajësojë legjislacionin, shumica nuk ka mundur të bindë Europën – opozitën jo se jo – se është voluntariste dhe jo legaliste në qëndrimin e saj për hetimin e zgjedhjeve. Përgjatë vitit, Europa ka hyrë pa përkthyes brenda krizës shqiptare dhe e ka kuptuar si qëndron e vërteta.

Ja ku vjen edhe “koncentrati i dytë” i kësaj krize në përmbylljen e vitit të parë të jetës së saj: Shqipëria po sakrifikon marrjen në afatin e dëshiruar të statusit të vendit kandidat për në BE. Natyrisht, nuk është vetëm ngërçi parlamentar shkaku i këtij vendimi të paralajmëruar, që do të merret të martën e javës së ardhshme.

Janë edhe korrupsioni, krimi, gjendja e rëndë e sistemit të drejtësisë, kultura e pandëshkueshmërisë e të tjera e të tjera, që do t’i shohim sërish të pasqyruara në progres raportin e ri të BE-së për vendin tonë. Por ngërçi parlamentar është si ajo qershia që tërheq gjithë shportën.

Moszgjidhja e ngërçit i bën partnerët tanë të kuptojë se pse është kaq i lartë korrupsioni dhe pse janë kaq vulnerabël zgjedhjet në këtë vend. Kjo kambanë ka rënë me kohë për të gjithë ata që kanë veshë.

Mjerisht, edhe në prag të mbledhjes së datës 9 nëntor, shumica qeveritare ka pakujdesinë të publikojë një qëndrim që nuk mund të mos shkaktojë minimalisht habi edhe në aulat më modeste të demokracisë perëndimore.

Listohen si lëshime që i bëhen opozitës pjesëmarrja në komisionin hetimor, apo dhënia e kryetarit opozitës, kur dihet se në të gjitha komisionet hetimore të ngritur deri me sot kryetarin e ka pasur sipas ligjit grupi që ka kërkuar hetimin, edhe në pastë qenë pakicë e pakicës. Jepet si garanci zbatimi i vendimeve të gjykatës!

Granati të tilla për gjëra që janë të detyrueshme jepen vetëm nga ata që e mbajnë veten mbi ligjin! Kërkohet zgjatja e afatit të hetimit nga pala që nuk ka interes për hetimin, duke dekonspiruar lexueshëm taktikën e zvarritjes pa fund të procesit.

Dhe kur i vjen radha çështjes që përbën thembrën e Akilit të gjithë kësaj historie, pra përcaktimit të objektit të hetimit, shumica i drejton opozitës një kërkesë apo një sugjerim pa precedent: të shkojë të marrë një leje apo një okay në gjykatën e Strasburgut dhe në komisionin e Venecias, pa të kthehet në Kuvendin e Shqipërisë.

Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që ndonjë opozitë në botë të shkojë të marrë leje paraprake për nismat e saj parlamentare në ndonjë Gjykatë vendase apo të huaj. Kjo është me shumë se qesharake! Kjo është lajthitje. Ka vetëm një lëshim për opozitën në qëndrimin e qeverisë: lënia e shumicës së komisionerëve opozitës.

Por edhe ky lëshim ka fatin “të zhduket” kur të votohet raporti përfundimtar në Kuvend. Ndërkaq, ky lëshim është një pikë në det përballë absurditeteve që nuk i përmendem të gjitha. Është e paimagjinueshme të luhet në këtë shkallë me ëndrrën për integrim. Është e paimagjinueshme të sakrifikohet integrimi, sepse nuk duam të bëjmë transparencën e zgjedhjeve.

Ndërgjegjja demokratike nuk do të pajtohej me refuzimin e hetimit parlamentar edhe sikur të mos humbnim asgjë nga ky refuzim. Por kur shohim se i lartë është çmimi i këtij refuzimi, vetvetiu të shkon mendja te gjendja e papërfytyrueshme e kutive, ose te mungesa totale e profesionalizmit në politikëbërje.

Disa përfaqësues të qeverisë po thonë se opozita e ka demagogji, por nuk e do transparencën. Nganjëherë më vjen të mendoj edhe unë afërsisht si ata, që opozita në planin e interesit të ngushtë politik s’ka çfarë e do më transparencën.

Në këtë plan, ajo ka arritur më shumë se sa do të kishte arritur po të ishin hapur kutitë. Por vendit nuk i vlen loja e këtij niveli. Nuk na duhet një opozitë që mbledh pikët që humbet pushteti. Na duhet një opozitë që fiton pikët e veta. Dhe kryesorja, na duhet të fitojmë të gjithë zgjedhjet e lira e të ndershme që kalojnë nga hetimi i zgjedhjeve të kaluara.