Çmimi i lartë i kritikave ndaj Berishës

0
25

Kronologjia e zërave kundër në PD, nga “ngrirja” e Ngjelës deri te largimi i Oketës

Fatjona Mejdini, 5 Korrik 2012

Reagimi i madh publik tri ditët e fundit ndaj zërave të ngritur të deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike mbi nevojën e ndryshimeve qeveritare dhe riaktivizimit të strukturave të kësaj partie, tregoi faktin se brenda kësaj partie kritikat nuk janë të zakonshme. Nga një vëzhgim i gazetës “Shqip”, del qartë fakti se pas ardhjes në pushtet, PD-ja ka kaluar dy faza të rëndësishme për sa u përket debateve të brendshme dhe zërave ndryshe në parti.

Faza e parë është pikërisht mandati i parë i PD-së dhe që përkon me vitet 2005-2009 dhe në të cilin vrulli i marrjes së pushtetit krijoi edhe një klimë me të shtensionuar brenda PD-së, duke i bërë deputetët të ishin aktivë dhe madje kritikë në mbledhjet e grupit. Por me përfundimin e kësaj faze dhe me ardhjen e zgjedhjeve të 2009-s, deputetët e mandatit të dytë duket se kanë një përqasje më aprovuese ndaj rritjes së disiplinës në parti, ose që në rastin konkret përkthehet në mosartikulimin e kritikave, pavarësisht vendimeve herë pas here kontradiktore të lidershipit të PD-së.

Ndarja e këtyre fazave duket se ka një logjikë të rëndësishme në mes dhe që lidhet me mënyrën e zgjedhjes së deputetëve. Nëse në mandatin e parë, deputetët erdhën nga një sistem mazhoritar, ku iu desh të përballeshin drejtpërdrejt me kandidatët socialiste për deputetë, në rastin e mandatit të dytë, parlamentarët u zgjodhën nga vetë kryetari i partisë, Sali Berisha. Është krejt e kuptueshme që mënyra e re e përzgjedhjes së deputetëve rriti konformizmin. Por, nga ana tjetër, mbetja jashtë listave e disa kritikëve të mandatit të parë, duket se dha sinjale heshtjeje në mandatin e dytë.

Mandati i parë

Ish-deputeti i PD-së, Preç Zogaj, sapo kishte marrë mandatin si deputet i PD-së në vitin 2005, deklaroi se “marrja e pushtetit nga ana jonë duhet të jetë një festë e madhe që duhet të përfshijë sa më shumë njerëz”. Por duket se nuk ishte e thënë që “festa” e tij në PD të zgjaste për një kohë të gjatë. I mësuar me argumentin e drejtpërdrejtë dhe me dhënien e qëndrimit personal për çështjet politike, Zogaj po qëndronte larg vijës politike të PD-së dhe për rrjedhim përgjatë hartimit të listës së deputetëve për 2009-n pati një kontradiktë të fortë me Berishën. Kjo përplasje e bëri që të refuzonte të ishte pjesë e listave të paracaktuara nga Kryeministri. Më herët, PD-ja kishte bërë divorc zyrtar dhe me ish-kreun e Komisionit të Ligjeve, Spartak Ngjelën.

Deputeti Ngjela, që në fillim të marrjes së drejtimit të komisionit të rëndësishëm, nuk ngurroi ta akuzonte qeverinë se po sillte shumë nisma, të cilat binin në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo situatë e rënduar në këtë komision solli debate të mëdha mes Ngjelës dhe Kryeministrit Berisha, duke bërë që lidershipi i PD-së t’i “ngrinte” mandatin Ngjelës dhe për pasojë ta distanconte nga partia. Një “fat” pothuajse të përafërt me Ngjelën, pati edhe ish-deputeti demokrat i Tropojës, Aleksandër Biberaj. Ai nuk ngurroi që pas marrjes së mandatit si deputet të ishte i lirshëm në marrëdhëniet e tij me mediat dhe shpesh kritik ndaj disa prej politikave të PD-së.

Kjo situatë solli një tensionim të marrëdhënieve të tij me numrin dy të PD-së, njëkohësisht Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kontradiktë që i kushtoi Biberajt lënien jashtë listave në vitin 2009. Një “divorc”, i rëndësishëm ishte edhe ai i ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj me PD-në, gjatë mandatit të parë qeverisës. Ndonëse ishte Mustafaj ai që deklaroi tërheqjen nga posti i tij, për shkak të “lodhjes”, ky vendim mësohet se është marrë për shkak të debateve që ai ka pasur me Kryeministrin Berisha mbi disa nisma të PD-së.

Mandati aktual

“Ndëshkimi” i atyre deputetëve që përbënin zërin kritik në PD dhe zgjedhja e deputetëve të rinj nëpërmjet listave të hartuara nga lidershipi i kësaj partie lanë shenjë në mënyrën sesi do të funksiononte grupi parlamentar i PD-së. Në fakt dy vitet e para deputetët e PD-së zor se artikuluan në media ose në grup ndonjë kritikë në lidhje me mënyrën sesi funksiononte qeveria apo partia. Të vetmet diskutime dhe kërkesa që ngriheshin në pjesën me dyer të mbyllura të grupit parlamentar do të lidheshin me probleme të zonave që deputetët mbulonin.

Por “heshtja” u thye nga deputeti i Durrësit, Gazmend Oketa, i cili kryesisht në media nuk ngurroi të kritikonte lidershipin demokrat në lidhje me frenimin e mendimit ndryshe në parti. Kjo bëri që Oketa të vendosej në krye të Frymës së Re Demokratike, një parti e re e qendrës së djathtë në vend. Aktualisht, Mark Marku dhe Selami Xhepa mund të cilësohen si zërat kritikë në këtë parti dhe ende nuk dihet se cilin do të jetë reagimi i lidershipit të saj.

Largimet

• Spartak Ngjela
• Preç Zogaj
• Besnik Mustafaj
• Aleksandër Biberaj
• Gazmend Oketa
• Sali Shehu

Modeli amerikan

Një nga themeluesit e Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, zgjodhi dje të uronte ditëlindjen e SHBA-së në një mënyrë të veçantë. Duke përmendur kontributin e çmuar të SHBA-së në Shqipëri dhe Kosovës, ai theksoi se vendi ynë duhet të ndiqte shembullin e këtij vendi për sa i përket demokracisë, në rast se aspironte të ishte pjesë e familjes së integruar euroatlantike.