Çmimi i hidhur i heshtjes

0
32

Nga Mero Baze

Gazeta TemA ridel sot në treg në një përpjekje të re të ekipit të saj për t’u rikthyer në tregun pa rregulla të medies së mbetur shqiptare. Në të vërtetë asgjë nuk ka ndryshuar nga arsyet që na detyruan të mbyllim gazetën muaj më parë, kur për shkak të brutalitetit të qeverisë, gjobave politico- financiare dhe mbajtjes ende të rrethuar të aseteve të saj me policë, e patëm të pamundur mbijetesën. E dhimbshme është se tani që po rikthehemi dhe kthejmë kokën pas, shikojmë se gjatë kësaj mungese, arsyet të cilat na detyruan të dalim me dhunë nga tregu janë shtuar. Mbi të gjitha janë shtuar arsyet përse duhet mbijetuar në këtë betejë të pamoralshme të pushtetit me medien.

Mbyllja e gazetës TemA ngjalli frikë dhe deinkurajoi edhe pronarë të tjerë të medieve kritike, të cilët pas gjobave drakoniane kanë mbyllur redaksitë e tyre. Pra, nuk ka përfunduar asnjë prej arsyeve që ne e mbyllëm gazetën, por janë shtuar arsyet përse duhet të ridalim qoftë dhe me riskun e falimentimit financiar. Kushdo që përpiqet t’i hedhë një vështrim panoramës së medies shqiptare kohët e fundit e shikon qartazi se media, jo vetëm që është vendosur nën kontroll të pushtetit, por është sofistikuar dhe mënyra e kontrollit të saj.

Sot kemi një larmi mediesh, të cilat janë të lira të mbrojnë qeverinë apo opozitën, por jo të kritikojnë pushtetin. Në këtë shoqëri është krijuar një standard që lejohet të flasësh për gjëra që nuk ka nevojë të dëgjohen, dhe po lulëzon një shtyp ku lejohet të shkruhen gjëra që nuk ka nevojë të lexohen. Kryeministri Berisha ka tentuar dhe ia ka arritur në një farë mënyre të bëjë dhunën ndaj meje dhe gazetës TemA model ndëshkimi për gazetarinë kritike. Ai ka bërë gjithë ato që ka bërë për të ngjallur frikë tek kushdo që do të guxojë të thojë ndonjë të vërtetë për të dhe kriminalizimin e jetës politike prej familjes së tij.

Duke ndëshkuar gazetën TemA, me të gjitha metodat, që nga ato fizike, financiare, publike dhe deri tek një luftë klasash familjare ndaj meje dhe njerëzve të afërt të mi, ai kërkoi dhe ia arriti të përcjellë një mesazh frike në medien shqiptare. Tashmë pronarët e këtyre medieve, e dinë se çfarë duhet të bëjnë, duhet të mbajnë larg gazetarët që janë përplasur me Sali Berishën dhe të gjithë vrapojnë drejt modelit të dytë, modelit të shpërblimit që është modeli i medies proqeveritare. Para dyerve të këtij institucioni amoral është bërë një radhë e gjatë pronarësh mediesh që duan t’i bien në sy qeverisë për mirë, por dhe këtu e kanë mundimin e kotë pasi vendet për ata që shpërblehen janë zënë me kohë. Thjesht sa humbasin dinjitetin e tyre.

Një tjetër detaj i dhimbshëm i panoramës mediatike është pafuqia e medies për të prodhuar debat publik. Shikoni që dhe aferat e rëndomte korruptive nuk i zbulon me media, por detyrohet opozita ti lexoj në një podium që ti citoj media. Edhe një super padrejtësi që është bërë ndaj televizionit më të madh në vend Top Channel, siç është rasti i privatizimit të ish- Ekspozitës “Shqipëria Sot”, ku prona që i është dhënë televizionit, është bërë pre e motrave Vokshi dhe njerëzve të familjes Berisha, dhe lajmin nuk e “zbulon” Top Channel, pasi ka frikë nga gjoba, por pret të dalë në podium Eduard Shalsi që ta japë si reagim të opozitës. Nëse media para vitit ‘97 përplasej me pushtetin dhe ndoshta përgjakej prej tij, sot është e dorëzuar. Dhe ky është standarti më i ulët për lirinë e fjalës në një vend.

E fundit arsye që na detyrojnë të bëjmë një sporvë për mbijetesë është dhe heshtja e frikshme e opinionit publik dhe atyre që quhen elita intelektuale në këtë vend. Si në asnjë rast tjetër në historinë e këtyre 20 viteve, shoqëria po adapton standardet e diktuara nga pushteti pa rezistencë. Nëse pushteti të shpall armik, edhe shoqëria të shikon me keqardhje si armik. Shumë intelektualë apo njerëz të letrave të përshëndesin fshehurazi në rrugë, a thua je liruar nga burgu politik në vitet 70-të. Shumë njerëz të njohur kanë frikë të flasin publikisht për atë që ndodh. Në mënyrë paradoksale dhe të dhimbshme jemi kthyer tek koha kur intelektualët nuk shesin më idetë e tyre, por heshtjen ndaj së keqes. Dhe ky është një standard i frikshëm për një shoqëri.

Ne po ridalim në treg pa pretendimin se do të ndryshojmë shumë nga këto gjëra, por së paku të mos jemi shembull ilustrues i pranimit të së keqes që po vazhdon të përhapet ngadalë duke na kufizuar përditë liritë dhe shanset për një shoqëri perëndimore. Ne po dalim qoftë dhe për të treguar se nuk pranojmë që të tjerë të shesin mungesën tonë, si heshtje.