Çmimet si antiçmime, antivlerat si vlera

0
50

Juliana Pasha - Eurovizion

Nga: Kiço Blushi

Ne menduam se do të merrnim patjetër një çmim në Eurovizion, por ja që dolëm me gisht në gojë. E pra, a është e vërtetë që peshku i madh e ha të voglin? Nuk ka ditë apo javë që Presidenti i Republikës të mos dekorojë ndonjë sportist, këngëtar, solist, valltar,apo dava më mirë, ndonjë të shquar “të spikatur” nga bota e spektakleve. Këto ditë, zyra e Kryeministrit shpalli një listë me emrat e personave të përzgjedhur prej tij për pensione të veçanta. Të përzgjedhurit gjithsesi do të jenë domosdo nga mjediset e estradës, sportit, teatrit, cirkut apo edhe filmit.

Miq, simpatizantë, qëndrestarë e dashamirë të Kryeministrit a të Presidentit gjithsesi do të shpërblehen një ditë për “merita të posaçme”, pavarësisht nëse kanë qenë ose jo vlera të mirëfillta kombëtare. Nuk dihet kush ka mbetur ende pa u bërë ndër ta ‘Nder i Kombit’ apo ‘Mjeshtër i Madh’! Në këtë garë pa garë nuk mbeten pas as kryetarët e bashkive e të komunave, që përditë shpallin lloj-lloj rapsodësh, shkarrashkruesish, recituesish a sportistësh të kësollojtë ‘Qytetar Nderi’ a Qytetar Katundi. Monografira, vetë-biografira, auto-lëvdata, merita të qena e të paqena, talente e heronj, autorë të shquar pa vepra shpallen e zbulohen e notojnë përditë në këtë det që tashmë është bërë jo kos, po dhallë. Sidomos po të vdesësh apo po të vish nga jashtë, kamerat dhe gazetat do të zbulojnë patjetër se çfarë artisti i madh ke pas qenë e as vetë nuk e ke pas ditur.

Partitë dhe kryetarët e partive të Tiranës, me një yrysh të tillë lavdidhënës e bujëshpërndarës preferojnë për “listat” e tyre të kësollojta personalitete publikë që me demek “kanë akses” në publik, e që, me gjasë, populli le kokën për ta. Përherë do të përzgjidhen ata që dinë të recitojnë e të këndojnë sa më “bukur” tekstet, fjalimet dhe vargjet e të tjerëve. Po sikur të kishin marrë çmimin e parë në Eurovizion? As Presidenti i Republikës nuk do të dukej më i famshëm e më lavdimadh se Juliana! Nuk ka mall e plaçkë që sot mund të shitet e mund të blihet më lirë se lavdia e pamerituar!

Në këtë vazhdë vlerësimesh të antivlerave disa agjenci të huaja, vite më parë, shpikën enkas për tregun tonë të etur për lavdi të pamerituar ca certifikata false ku “provohej” se: “ti je njeriu më i shquar i shekullit në mbarë rruzullin”. Madje, këto autoritete “akademikë” të Evropës mund të të dërgonin në shtëpi edhe një kopje të “Enciklopedisë” së Oksford-it a Kembrixh-it ku ishte “shkruar” emri yt me gërma ari, paçka se as në katund nuk të njihte njeri! Mesa duket nuk ka ushqim më ndjellës për injorantët, për ish-të izoluarit, për provincialët kulturorë, për të parealizuarit e plakur se sa shija e ëmbël/e hidhur e një lavdie të vjedhur, “të certifikuar”, të pamerituar!

Me këtë shembull të importuar nga jashtë një Hiç mund të blejë një diplomë, një master, një titull, një lavdi apo dava më mirë një medalje të dhënë nga Tirana zyrtare. Prindërit e pasur paguajnë shuma të majme për të bërë vajzat e tyre këngëtare apo për të marrë pjesë nëpër sfilita. Fëmijët e pasuruar paguajnë grafomanë që të shkruajnë libra ku tregohen meritat e prindërve e gjyshërve, për të provuar se denbabaden kanë pas qenë “oxhak”, dmth elitarë, patriotë, luftëtarë, rilindës, të shquar që u është ngrënë padrejtësisht haka.

Një evlat që pushton ekranet e gazetat me para nën dorë mund të cilësohet nesër, pa mundim, jo vetëm i shquar, por do të shpërblehet nga autoritet më të lartë “për merita të veçanta”. Edhe të vdekurit janë vërsulur për të përfituar ca më shumë nga lakrori i pamatë i lavdisë! Të gjithë i ndjek pas historia, të gjithë janë të shquar, të gjithë janë të lavdishëm! Është e kotë të kërkosh mes nesh njerëz të zakonshëm, modestë, të thjeshtë!

Shqipëria nuk ka më hierarki vlerash, po antivlerash! Prandaj, në këtë tollovi morale e kulturore, po të ishte gjallë Migjeni apo Vangjush Mio, me mijë për qind nuk do të gjenin dot një vend pune si mësues fiskulture a vizatimi në ndonjë katund të Pukës a të Devollit! Sot nuk ka vlerë kush je, ç’emër e ç’talent ke, sa kulturë, sa dije dhe ç’kontribute ke dhënë, po me kë je e, për më tepër, nga je e kundër kujt je. Dikur një aktor, meqë së gjalli luajti rolin e një heroi kombëtar, u identifikua me rolin aq shumë sa iu duk sikur (madje edhe e besoi) heroi i vërtetë ishte ai dhe jo personazhi që pat luajtur në skenë; ndaj, kur hynte në kafene e kur dilte në rrugë kërkonte ta nderonin njëlloj si të ishte dora vetë Bajram Curri.

Kjo ndoshta është një sëmundje profesionale e për këtë nuk kanë faj aktorët, por si i bëhet hallit kur këtë ngatërresë të rolit me personazhin, të folklorit me rapsodin e bëjnë autoritetet e lartë të shtetit, të cilët ndajnë çmime dhe vlerësime kombëtare sipas shijeve dhe anësive të tyre politike, pa pasur asnjë kriter, asnjë hierarki vlerash, asnjë kut?! Si i bëhet kur antivlerat dhe ambalazhet serviren prej tyre si vlera kombëtare? Si i bëhet kur, edhe për “proceset e shekullit” vendimet i japin gjykatësit e gjashtëmujorit, diploma e të cilëve mban vulën e një politikani të lartë? Si i bëhet kur Kryeministri dhuron pensione speciale, madje fal edhe toka, për këdo që atij i pëlqen e i shkon pas avazit, a thua se tokat dhe paratë e buxhetit ia ka lënë trashëgim i ati?

* * *

Para disa ditësh një artist, ish i burgosur nga diktatura, më tha me të drejtë: Si nuk doli një njeri të dorëzojë çmimet e Republikës apo titujt që u dha diktatura? Por edhe sot, si nuk doli një i vetëm që të dorëzojë titujt ‘Nder i Kombit’ apo ‘Mjeshtër i Madh’, kur këtë e ka marrë edhe Kadareja, edhe një që ka bërë disa vjershërime?! Por këtë artist e rrahu një biznesmen në mes të Tiranës!… Kaq e madhe është kjo shtysë e pushtetarëve për t’u rrëfyer si art-sport-kulturë-dashës, sa tani edhe rrugëve po u vihen emrat e do të gjallëve “të shquar” që “janë me ne”.

Përditë, me një këmbëngulje të admirueshme vlerat nakatosen qëllimisht me antivlerat: ai që të rreh është më i nderuar se ai që rrihet! Ai që poshtërohet, nuk nderohet! Mediokriteti bën ligjin e po i jep tonin shoqërisë, jo vetëm pse po merr çmime, emërime, pensione të veçanta dhe tituj kombëtarë, por edhe pse, pas mediokritetit zyrtar e politik, sharlatanizmi elitar ka hipur në piedestal, në podiume, në ekrane e në gazeta, duke imponuar “shembuj” të gabuar e, pse jo, edhe të shëmtuar imitimi për rininë e për shoqërinë. Për këtë mjafton të ndjekësh vetëm një seancë të Kuvendit e të dëgjosh “baballarët e kombit” sa vulgarë e injorantë janë, sa hapin gojën! Këta janë “burra” të vërtetë!

Tek ne nuk ka modele morale, nuk ka më statuja, as monumente, as kodikë të artit e kulturës, as idhuj, sepse nuk ka as stimuj të vërtetë moralë dhe as materialë që të shkojnë në drejtim të duhur: te talentet, të përkushtuarit, të merituarit. Plehrat dhe ambalazhet shiten dhe kushtojnë më shumë se djersa dhe monumentet e kulturës. Stimujt, përfshi edhe pensionet “speciale”, edhe sponsorizimet, edhe dekorimet, edhe vetëmburrjet e paskrupullta, ashtu sikurse futja e emrit në listën për deputet, mund të jepen vetëm sipas shijes dhe preferencës së kryetarit, në rastin konkret sipas dëshirës, firmës, dmth lejes së Kryeministrit. Edhe çmimet për veprat më të mira të vitit, edhe paratë për projekte filmash, ekspozitash a botimesh do të kalojnë në këtë “sitë politike”, ndaj ka aq shumë mediokritet.

Jemi i vetmi vend në Evropë, n’daç edhe në Azi, që nuk ka kritikë, që nuk ka një opinion publik të specializuar e të përgjegjshëm që di të seleksionojë, të mbrojë e të ndajë shapin nga sheqeri. Sepse si në çdo fushë të shoqërisë, edhe këtë peshore të vlerave e ka dhe e mban, si një armë asgjësuese, vetëm politika e ditës. Kush do të shpallet nesër i shquar, Nder i Kombit, këtë nuk e vendos paraprakisht respekti që ka kombi, dmth opinioni publik, por firma e Presidentit apo e Kryeministrit, të cilët, edhe në këtë drejtim janë të pagjykueshëm, të papërgjegjshëm, të pakontrollueshëm. Le të botojë një gazetë emrat e atyre që janë bërë Nder, Mjeshtër apo që kanë marrë pension special që të kuptohet se treçerekun e tyre nuk i njeh kurrkush! Shihni psh kush ka qenë Ministër Kulture në këto 20 vjet dhe sa peshë kanë pasur ata në opinionin publik, në qeveri e në mjediset intelektuale e kulturore.

Ky degradim i vlerave kombëtare nuk bëhet rastësisht, nuk buron nga kuturuja, as vetëm nga injoranca, por nga qëllimi djallëzor që kanë drejtuesit e të gjitha sistemeve e kohëve në këtë vend: duke u shoqëruar nga xhuxhër, liderët ngjajnë më të gjatë; duke nxjerrë nëpër ekrane e podiume më mediokrit, ata duken më të fisëm, më me vlera, më të mençur e, rrjedhimisht, edhe më të pazëvendësueshëm! Por edhe sepse kësisoj, – duke u bërë të gjithë “këmbët e dhisë”, – do të zhvlerësohet ndikimi i autoriteteve të vërtetë shkencorë e artistikë mbi opinionin publik! Ja pra përse sot fjalët “elitë”, “intelektual”, “akademik”, “shoqëri civile”, “Nder i Kombit”, etj në thelb kanë më shumë ironi e tallje se kuptim dhe rëndësi, sepse qëllimi i tyre është konvertimi në pagesë. Është “Nder i Kombit” Kadareja, po pse të mos jetë edhe Gëzim Kruja e Rrema?

Këtë mekanizëm vlerësim-zhvlerësimi e kanë shpikur diktaturat e të gjitha ngjyrave, por atë e ka përvetësuar mrekullisht klasa e sotme politike që hapërdan ndere, tituj, favore e lavdi të pamerituar pa asnjë kriter… Jo më kot mbretërit e Mesjetës mbanin pranë fronit një palaço, i cili paguhej shtrenjtë jo vetëm për të mbajtur gjallë humorin e lartmadhërisë, por edhe që “artisti” i sarkazmës të dinte të tallte e të poshtëronte vartësit e tij. Sepse vetëm kështu mund të ngrihej akoma më lart figura dhe autoriteti i padiskutueshëm i mbretit.

E njëjta skemë funksionon edhe sot! Ja përse sot më shumë vlen dhe bën efekt dekorimi Mjeshtër i Madh i një “artisti” cirku apo estrade, se sa klithma tragjike për ndihmë e vajzës së Petro Markos! Ky është mjerim e shfytyrim jo vetëm për kulturën dhe për artin kombëtar, por sidomos për moralin e shoqërisë që tashmë është transformuar në një shoqëri pa peshore, pa modele, pa shtylla, pa orientim moral dhe estetik. Tek ne sundon kultura e imitimit dhe e shitblerjes që pjell aq kollaj, herë zyrtarisht e herë vetjakisht, atë amebën e pavdekshme të mediokritetit ballkanik, duke lënë gjatë në pushtet antivlerat, duke u dhënë më tepër rëndësi fasadave, falsitetit, spektaklit, modës, recitimit, lakuriqësisë, vanitetit, majmunllëkut, dmth konsumizmit të ditës për t’u dukur!

* * *

Qasja me kritere partiake ndaj vlerave dhe antivlerave të kulturës kombëtare provon të ç’niveli janë krerët tanë, po edhe se si po rrëshqet teposhtë peshorja kombëtare e meritës dhe e nderimit, peshore që mban gjallë kombet e qytetëruar! Për këtë mjafton të shihet si janë hartuar tekstet shkollorë, si ka përfunduar arsimi, auditorët, apo si një analfabet që ka para, mund të marrë një titull a post të lartë shtetëror, duke u bërë, nga badigard – deputet, nga aktor apo shoëgirl, zëdhënës partie a qeverie…Ka një “ngushëllim” edhe për këtë zezonë morale: në Rusinë e Putinit ndodhka pikërisht kështu, si tek ne: “rusët e rinj”, me zinxhirë floriri e orë të shtrenjta janë artistët e vërtetë të politikës së ditës!

Sipas një filmimi me kamera të fshehtë këta rusë “të rinj” të përzgjedhur si deputetë nuk ngurrojnë të shkelin butonat e votimit “në emër” të atyre deputetëve që mungojnë në seancën e parlamentit, duke kryer kësisoj votime të gënjeshtërta në parlament. Kjo është provë besnikërie ku e ku më e madhe se firmosja e një peticioni! Ja pra përse lipsen dhe preferohen përherë të tillë kllounë, si në diktaturë, edhe në këtë gjasme demokraci! Ja përse nga i njëjti brumë që dilnin dje Artistët e Merituar apo të Popullit, dalin sot Nderet e Kombit e Mjeshtrat e Mëdhenj të Punës, dhe më pas edhe deputetët!

Sepse ky xhins i përzgjedhur politikisht (përmes seleksionimit klientelist, krahinor dhe sidomos parimit të lepepeqërisë) është i gatshëm që, në emër të artit e kulturës, në emër edhe të publikut, pra jo vetëm të politikës, do ta shpërblejnë nderin dhe favorin, duke u bërë altoparlantë që mund të shumëfishojnë zërin e “së vërtetës” në dobi të partisë e të kryetarit të saj. Sipas kësaj logjike “pragmatike” fansat e një Ciljete të japin më shumë vota se fansat e Fishtës apo të Naimit, sepse këta të fundit, edhe po të duan, nuk të ndihmojnë dot të marrësh pushtetin (rrezik edhe të dëmtojnë, se ngjan arkaik, “xhaketë e vjetër”!)

Andaj, duke mediokrit, hiçët, antivlerat, gjysmakët, duke emëruar e përzgjedhur të tillë “elitarë”, kryetarët e partive dhe pas tyre Kryeministri dhe Presidenti jo vetëm që hiqen sikur nuk i zë gjumi për hallet e kombit dhe për vlerat e tij të patjetërsueshme të identitetit, të art-kulturës dhe të mbarëvajtjes së kombit, por edhe të mbajnë gjatë e qetë sundimin e tyre, sigurisht me “mjete dhe me metoda demokratike”, pa censurë e në “liri të plotë”. Në një liri që “çuditërisht” përfundon në anarki të vlerave, ku prapanica e ka të sigurt që do të vihet në kuzhinë për të gatuar kulturë!