Vargjet nuk janë një arrtisje, por një kredhje tek realiteti
Poezia shkruan Floberti, është një shkencë e saktë si gjeometria. Të botosh një kolanë me poezi, për një gzetë të madhe, nuk do të thotë të vendosësh një trëndafil mbi një copë ku derdhen ngjarjet e përgjakshme, të përbaltura, të eksituara dhe të ankthshme të botës, nga kronika e zezë tek reçesioni ekonomik, nga masakrat që gjithmonë ndodhin në ndonjë pjesë të botës tek turpet dhe tek virtytet e vendit tonë. Një gazetë, veçanërisht një e përditshme, është një roman; shpesh një roman i keq i realitetit politik, ekonomik, social dhe moral. Çdo ditë na jep një fotografi, një radiografi, një rezonancë manjetike të jetës sonë; një grafik pak a shumë besnik dhe të vërtetë, të fokalizuar apo sfumuar, në disa raste edhe një fotomontazh abuziv të realitetit.
Poezia nuk është një arrtaisje, aq më pak një sublimim shpirtëror i realitetit, përkundrazi është shpesh një prej portreteve më të sakta, të pamëshirshme dhe origjinale. Nuk është më pak realiste sesa kronikat politike, reportazhet mbi një luftë apo epidemi, relacione për bilancet dhe defiçitet. Letërsia dhe, në kuadrin e vet, poezia në mënyrë të veçantë nuk jep informacione mbi faktet, mbi krizën ekonomike, ligjet që rregullojnë martesat, pensionet apo asistencën sociale, por thotë sesi njerëzit e jetojnë të gjithë këtë; thotë sesi shifrat e mëdha të papunësisë, të vështirësive shoqërore apo ideologjive në rritje apo në rënie, bien tek jeta e individit, bëhen përditshmëria e tyre, mishi dhe gjaku i tyre.
Poezia thotë të vërtetën e realitetit më të vërtetë, më të konsiderueshëm dhe konkret : jetën e çdo individi të veçantë. Thotë sesi ai dashuron, vuan, dëshiron, proteston, shpreson, takon dhe u largohet individëve të tjerë. Nëse duam të dimë me të vërtetë se çfarë ishte historia e Italisë në shekullin e fundit, nuk mjafton të dimë se çfarë bëri Musolini, De Gasperi apo Anjeli; Gabriele D’Anuncio apo Pazolini për të cituar rastësisht dy shembuj të rëndësishëm, na bëjnë që t’i prekim me dorë se çfarë ishte kjo histori, me transformimet dhe pështjellimet e veta, në jetën konkrete të ndjenjave, të ëndrrave, të shpresave, të zhgënjimeve të njerëzve.
Poeti i madh – thotë Elioti – tek shkruan vetveten, shkruan kohën e vet, apo kohën tonë, nëse është një bashkëkohës apo një stinë tjetër e historisë, nëse jetoi, shkroi dhe vuajti në të shkuarën. Për ta njohur kohën tonë, për t’u njohur, për të ditur sesi jetuam apo jo, sesi Hitoria është gërshetuar me dashuritë tona, rrahjet tona, nevojat tona intime dhe themelore, duhet t’u drejtohemi poetëve.
Këta të fundit nuk janë nevojshmërisht më të mirë se të tjerët; shpesh egocentrikë, asetçinj, meskinë; rivalitetet që krijohen brenda një çmimi letrar janë shpesh më të poshtra dhe mjera sesa ato për marrjen e një pushteti ekonomik dhe politik. Poetët – thotë një prej më të mëdhenjve, Milosz, kanë shpesh një zemër të ftohtë; nëse shkruajnë një poezi për vdekjen e një fëmije, rrezikojnë të apasionohen më shumë nga bukuria e vargjeve të tyre, sesa nga vdekja e qarë në vargje.
Por edhe në sajt të këtij subjektiviteti të egër dhe të papërgjegjshëm, poetët i bëjnë llogaritë më shumë se çdo tjetër me veten e tyre, me zjarrin dhe marrëzitë e patreguara në realitetin e përditshëm në dukje normal; vjedhin dhe përhapin flakën e shumë të vërtetave njerëzore të paqëndrueshme dhe prandaj shpesh të mbytura nga institucionet e jetës së organizuar. Poezia – thotë – sfondi i jetës, sipas Sabës, e thonë edhe kafshët, merr mbi vete, në realitetin konkret të lidhjeve epidermike dhe të nostalgjive shpuese, kontradiktat e epokës së vet.
Duke botuar një kolanë me poezi, një gazetë e madhe nuk ofron një ëmbëlsirë delikate apo tretëse që të kompensojë ushqimin tepër fuqishëm dhe të fortë të informacionit politik apo ekonomik, por përfundon detyrën e saj të parë që është pikërisht ai i informimit. Një informacion i mangët dhe që lë pasdore atë realitet, impulset, sfidat, përhumbjet që janë të të gjithëve dhe që poezia i shpreh për të gjithë. Jeta e një poeti është ajo e të gjithëve – thotë Nervali; detyrimisht duhet t’ua ofrojmë atyre të gjithëve – të paktën atyre potencialë – që janë lexuesit. Edhe gazetat kanë nevojë që të kryejnë me saktësi dhe me ndershmëri punë e tyre, të poezisë : askush si poeti – thotë – Rilke i urren përafrimet.
Përgatiti Arjan Th. Kallço