Nga Halil Matoshi
Cila mund të cilësohet si “gjuhë joparlamentare” dhe çka “sjellje joparlamentare” në Kuvendin e Kosovës? Deputetët e Kuvendit të Kosovës e dinë se ka gjuhë dhe sjellje joparlamentare, por cilat janë ato nuk e dinë
Në botën e zhvilluar parlamentare, sidomos në disa parlamente aziatike janë të shpeshta edhe përleshjet që hyjnë në korpusin e sporteve marciale, ndërsa në parlamentarizmin evropian ka vende që nuk e ndalojnë sharjen, si p.sh. në Finlandë, ku Rregullorja e Parlamentit nuk e ndalon fjalën “Fuck You” (q…, apo shqiptuar me një gjuhë më të pranueshme: qërohu!).
Fjala fyese e gjuhës angleze ‘Fuck’, e thënë nga një deputet i revoltuar irlandez nuk është konsideruar shprehje e ndaluar për përdorim në Kuvend pasi nuk është në listën e fjalëve që ndalohen të thuhen me gjithë mend, ka raportuar BBC-ja. Deputeti Paul Gogarty i Partisë së Gjelbër, parti minoritare e koalicionit qeveritar, dy herë ka përdorur shprehjen F…., nga podiumi pasi është ndërprerë nga një deputet laburist. Gogarty menjëherë ka kërkuar falje për atë që vetë ai e ka quajtur “gjuhën më joparlamentare”, por duket se ai teknikisht e kishte gabim. Lista e fjalëve të ndaluara të Rregullores së sjelljes parlamentare në Finlandë ndalon përdorimin e fjalës shejtan, kloun, mi e të tjera – por jo edhe shprehja ‘Fuck’. Por raportuesi i BBC-së ka thënë se Komiteti prej tetëmbëdhjetë anëtarësh i Parlamentit finlandez do të shikojë mundësinë për “pasurimin” e listës së shprehjeve të ndaluara.
Dhe, kjo dëshmon se në parlamentarizmin perëndimor shumë më e rëndë dhe më fyese është fjala “vrasës” apo “hajn” sesa fjala “q…”.
Kosova ka deputetët më pasivë në rajon (më 2009 p.sh, janë miratuar vetëm 36 ligje) dhe nuk janë prodhuar as politika të mbrojtjes, as të sigurisë dhe kurrfarë politikash të jashtme, ndërkaq ata pos që janë ndër deputetët më ‘të terpiavtë’ janë më të dhunshëm në rajon. Deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe pse janë më të paguarit aktualisht në rajon ndërkaq kërkojnë rritje pagash 100 %, vetura, zyra me sekretaresha e laptopa si dhe benifite të tjera pavdekshmërie. E, etikë e qëndrueshme e kuvendarëve të vendit më të ri dhe më të varfër në Evropë do të ishte sikur ata të punonin 16 orë në ditë dhe të ishin shumë më tahmaçarë kur është fjala për kuletën e shtetit.
Mirëpo, ata nuk kursejnë as gjuhën më të pështirë ndaj kundërshtarëve politikë.
Është në traditën e politikanëve kosovarë dhe posaçërisht deputetëve të Kuvendit të Kosovës që me lehtësi të padurueshme të flasin për vjedhjen e parasë publike dhe të votës së lirë, për inspirim apo edhe pjesëmarrje në vrasje ose edhe për fëlliqje të foltores dhe tërë Kuvendit dhe për këtë gjuhë nuk ndëshkohen, sepse rregulloret dhe kodet etike janë aq të përgjithësuara saqë askush nuk e di se cila është gjuha më jopolitike dhe joparlamentare, çka është sharje e çka cilësim politik.
Duke qenë se, po supozojmë që kodi etik nuk i lejon deputetët të rrejnë, përmes tregimit të një deputeti duam të sfidojmë etikën e pushtetit në Kosovë. Gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, një deputeti të opozitës, pasi mbaron fjalën e tij, mbase kritike, sipas rrëfimit të tij autentik, ai të cilit i ishte adresuar kritika i ishte drejtuar: “A po q… naj sen”, aq zëshëm saqë kuvendarët përreth tij ia kishin plasur të qeshurave. Kryetari i Kuvendit ishte shtirur se nuk e kishte dëgjuar.
Ashiqare, fjalët si “hajn”, “vrasës”, ose “e ke fëlliqur foltoren…”, që dëgjohen në seancat e Kuvendit të Kosovës nuk konsiderohen sharje, madje ato konsiderohen shpesh si të rëndomta, dhe deputetët që i shqiptojnë ato nuk ndëshkohen, ndërsa po të shfrynte dikush në seancë apo në foltore “Fuck You” (q…) ose “Bitch” (“kudër”) apo “Son of the Bitch” (“bir kudre”) nuk do të kalonin pa u ndëshkuar.
Vërtet cilat janë fjalët fyese dhe sjelljet joparlamentare që e cenojnë Rregulloren e Kuvendit, pra edhe institucionin dhe kuvendimin?
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës është e vitit 2005 me disa ndryshime të 2006-s nga koha e Kornizës Kushtetuese dhe e UNMIK-ut, dhe ajo, as pas pesë vjetësh (gati dy vjet nga pavarësia e vendit) nuk është ndërruar. Në këtë rregullore pos që flitet se është e ndaluar gjuha joparlamentare dhe se deputeti duhet të sillet konform me etikën, nuk ka ndonjë listë fjalësh apo shprehjesh të ndaluara dhe as listë se çka konsiderohet sjellje joparlamentare.
Kjo e dëshmon më së miri punën prej viganësh që e bëjnë kuvendarët kosovarë, të cilët madje duan rritjen e rrogave…
Por ka edhe më zi. Një parlamentar suedez, Per Svedberg (44), kishte pirë aq shumë në një ndejë Krishtlindjesh saqë kishte hequr pantallonat dhe i ishte vënë pas ta ndiqte kolegen e tij nëpër korridorin e Parlamentit. Gruas i ishte dashur të mbyllej me çelës në zyrë për të shpëtuar. Ajo menjëherë e kishte thirrur sigurimin dhe derisa po priste kishte dëgjuar “gjuhën joparlamentare” siç janë kërkesat për “kohabitacion” dhe “koalicion”. Deputeti pastaj ka kërkuar falje dhe sjelljen e tij joparlamentare e kishte arsyetuar me një operacion të para do kohesh të lukthit, që për pasojë kishte shkuarjen e birrës dhe rakisë drejt e në kokë! “E kam ditur se nuk guxoj të pi alkool, por kam menduar se birrë guxoj. Nuk mund ta arsyetoj veprimin tim, por isha së tepërmi i dehur, ka thënë Svedberg. Kolegia e tij e kishte falur pasi që e vlerësonte si njeri normal dhe shumë të këndshëm.
Natyrisht se raste kaq ekstreme nuk mund të paramendohen në Kuvendin e Kosovës, për shkak të ndërtimit tradicional konservator të shoqërisë.
Rregullorja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e parasheh një situatë të tillë hipotetike, prandaj nuk parasheh as ndëshkim adekuat.
Shoqëria kosovare nuk ka qëndrueshmëri etike, prandaj i zgjedh edhe deputetët siç është vetë, fundësisht të paqëndrueshëm, madje nga e tërë bota demokratike vetëm në Kosovë, në dekadën e parë të shekullit të 21-të janë votuar edhe kandidatë të inkriminuar apo edhe të vetëdeklaruar për vrasje.
Pse Kuvendi i Kosovës kërkon mijëra euro paga për funksionarët dhe deputetët, kjo është lakmi e tyre njerëzore, por pse zgjedhësit kurrë nuk reagojnë ndaj gjuhës dhe sjelljeve të tyre jo vetëm joparlamnentare, por edhe të dhunshme si p.sh. kërcënimet “hajde dalim jashtë”, ose “në vrasje janë të implikuar ministra e zëvendësministra”, kjo vërtet e dëshmon se shpirti kolektiv i shoqërisë kosovare është i strukturuar në dhunë.
Prandaj, para se të ketë nevojë për bukë e lojëra kjo shoqëri ka nevojë për një armatë psikiatrish e psikologësh.
Tek pastaj mund të flasim për gjyqtarin e pavarur dhe sundim të ligjit.